Berisha: 7 korriku, fillimi i betejës tonë si në ’91-shin!

 

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA, NË TAKIMIN ME LDGSH

Unë në radhë të parë dua t’u përshëndes ju përzemërsisht dhe më shumë mirënjohje, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike në këtë proces të rithemelimit dhe ngritjes së saj si një forcë e vërtetë politike opozitare. Ashtu siç duhet të jetë një forcë politike opozitare dhe ndihma juaj ka qenë vërtet e jashtëzakonisht e çmuar.

Por kjo është vetëm një periudhë, vetëm një etapë që kërkon një obligim edhe më të madh tuajin në këtë mision, në mënyrë që Partia Demokratike të arrijë sa më shpejt që rolin dhe vendin tuaj ta ketë në atë nivel, në atë pozicion që duhet. Një përparim është bërë në këtë proces, por këto janë vetëm hapat e parë. Jemi absolutisht jo në objektivin që kemi, objektivi është natyral i përcaktuar barazia e plotë midis burrave dhe grave, motrave dhe vëllezërve, djemve dhe vajzave në këtë parti politike. Kjo nuk është vetëm në rrafshin moral një objektiv jetik për emancipimin shoqëror, për zhvillimin dhe shpalosjen e të gjitha potencialeve tona, por kjo bëhet sot shumë më e rëndësishme sepse kemi të bëjmë me politika zyrtare të kriminalizimit të kësaj shoqërie. Pra në qoftë se në vështrojmë politikat zyrtare që ndjek Edi Rama, ato janë nga politikat e spastrimit etnik të Shqipërisë deri tek politikat e kriminalizimit të shoqërisë shqiptare. Këto ditë në vend parlament, vjen ligji për legalizimin e drogërave një doktrinë kjo e propaganduar fort nga George Soros, por me nismë konkrete në OKB, një doktrinë kjo që mbjell krim, krim dhe vetëm krim.

Ju jeni dëshmitar se si proceset që dalin dëshmojnë se autorët kryesorë të krimeve janë në parlament dhe qeveri, kurse ata që qëndrojnë në rrugë dhe bodrume janë thjeshte ushtarët e tyre. Prandaj ne duhet të punojmë fort bashkërisht me ju, që roli i grave dhe vajzave në PD të ridimensionet me shpejtësi. Në disa takime që unë kam pasur, shpreha keqardhjen se në rast se erdha i hedh një vështrim auditorëve tona, audiencave tona do vëresh se ato janë në shumicë mashkullore, dhe janë mashkullore krejtësisht në mënyrë të pamerituar. Sepse ata burra ata djem të cilët janë në sallë kanë bashkëshortet, motrat e tyre që duhet të jenë me ta në sallë. Dhe që këtu ne shprehim se PD angazhimin e madh.

Nga ana tjetër, dua të theksoj se fitorja kalon vetëm nëpërmjet jush. Jua them këtë me bindjen më të thellë, fitorja kalon nëpërmjet zonës elektorale grua, vajzë,. Kjo zonë elektorale është më fuqishme në rrafshin elektoral se sa zona tjetër. Kjo zonë elektorale është më numerike, dhe më aktive në fushatë se sa zona tjetër elektorale. Pra pa asnjë diskutim që fitorja e PD e cila është jetike sot për fatet e shoqërisë shqiptare kalon nga gratë dhe vajzat e Shqipërisë. Ne jemi tani në prag të fushatës për qeverisjen vendore. Më vjen mirë shumë sepse njeriu i parë që është paraqitur te unë për të më shprehur dëshirën për të kandiduar për bashkinë e qytetit të saj ishte një zonjë. Pasi biseduam për problemet që kishte më thotë që unë e kam ndërmend. I them një fjalë standarde, se ne tani e kemi me primare. Mu përgjigj se, në rast se më parë nuk bëra ndonjë lobim, i thashë vetëm vëllait tim, tani, thotë, do loboj fort që të fitoj dhe në parti dhe në qytet.

Ndaj dhe ju ftoj që të bëni çdo përpjekje për të kandiduar dhe për të marrë pjesë në garën që do zhvillohet, në garën e primareve dhe më pas drejtues të bashkisë dhe komunave të vendit, apo këshilltarë. Kam shumë dëshirë të shoh një numër sa më të madh në detyra, sepse janë absolutisht të përgjegjshme dhe shumë të afta në detyrat e tyre. Para se të flisja për protestën që kemi më 7 korrik mendova që të shpreh te ju edhe këto mendime që i konsideroj shumë të rëndësishme për PD. Në çfarë nuk kemi në avantazh është koha, ajo është jashtëzakonisht e ngjeshur e shkurtër. Sepse kemi humbur kohë në të shkuarën dhe tashmë duhet të bëjmë gjithçka, të punojmë në shumë planë, të anëtarësojmë vajza, gra të reja demokratë. D.m.th të shtojmë radhët tona, të zgjojmë nga apatia të gjithë demokratët dhe veçanërisht të rikthejmë në aktivitet demokratët nga 90-ta e gjer më sot. Në këtë mënyrë në fuqizojmë me shpejtësi forcën tonë politike.

Ne shpallëm datën 7 korrik ditën e protestës kombëtare.

E shpallëm këtë datë sepse pakënaqësia është shumë e madhe ndaj kësaj qeverie. Dhe në rast se do e shtynim protestën në një kohë optimale, do thellohej dëshpërimi tek njerëzit. Ne nuk e kemi të fshehur, e kemi të hapur. Platforma jonë krahas Parlamentit dhe formave të tjera do jetë protesta dhe vetëm protesta. Ne protestën e datës 7 korrik e kemi preludin dhe do bëjmë gjithçka për një protestë më të madhe që kemi organizuar. E kemi preludin e sezonit të protestave. Ne kemi një qeveri që ka vendosur në Shqipëri monizmin e plotë. Edi Rama me votimin që bëri për Presidentin e Republikës me mandate absolutisht të grabitura nëpërmjet patronazhistëve, nëpërmjet bandave, blerjes së votës, por mbi të gjitha me përdorimin total të institucioneve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.

Pra, faktikisht në zgjedhjet e prillit si kurrë më parë që nga koha e Partisë së Punës në fushatë u angazhuan të gjitha institucionet dhe i gjithë potenciali financiar, njerëzor i shtetit. Ç’ka i bën zgjedhjet absolutisht të pavlefshme. Në këtë kontekst ne kemi të bëjmë me një pushtet që ka dalë nga zgjedhje të dhunuara, tjetër problem se ne nuk i dolëm dot zot. Po ua them unë se, në rast se ish-kryetari i PD të nesërmen e zgjedhjeve, ose të pasnesërmen u bënte thirrje demokratëve të mbushnin sheshet, ato zgjedhje nuk legjitimoheshin kurrë. Por ai u mor me zgjedhjet e tij dhe të tjerët sigurisht nuk do merreshin kaq shumë dhe me kaq hollësi për ata që nuk protestonin. Pra kemi të bëjmë me një pushtet të dalë nga vota e dhunuar. Kemi të bëjmë me një parti e cila akumuloi nga viti në vit dhe sot ajo ka 99.9% për mos thënë 100% të pushtetit, sepse edhe ai një apo dy gjykatës që kanë mbetur pa u caktuar në Gjykatën e Lartë, ka ngelur për shkak të mandatit dhe jo se nuk është emëruar nga PS. Pra, a do vazhdojmë ne të ecim me një pushtet monist që në kundërshtim me kushtetutën ka zhdukur kontrollin dhe balancën që parashikon Kushtetuta? Ne nuk mund ta pranojmë këtë.

Jemi në kushte identike që kemi qenë para shkurtit të vitit 1991. Kjo e bën protestën dhe sezonin e ardhshëm të protestave një domosdoshmëri të madhe. Ne kemi të drejtë të mbrojmë vlerat e pluralizmit politik. Kemi të drejtë të mbrojmë përcaktimet Kushtetuese të ndarjes dhe balancës së pushteteve. Por nga ana tjetër, në shumë e shumë takime me përfaqësues të grupeve nga më të ndryshme të shoqërisë shqiptare del qartë se sot qytetarët shqiptarë janë qytetarë të kauzave të nëpërkëmbura. Të kauzave të shpërfillura. Janë qytetarë të kauzave të dhunuara në shumë e shumë aspekte. Janë qytetarë që qeverisen nga një qeveri e cila në mënyrë absolute mendon shumë herë më tepër për pastrimin e eksponentëve të saj. Mendon shumë herë më tepër për klientelën e vet, se sa për problemet e qytetarëve. Ju i dëgjoni ministrat në parlament, ata flasin sikur të ishin ministra të planetit Mars apo ndonjë planeti tjetër dhe jo ministra të një populli që përballet ditë për ditë me probleme madhore të ekzistencës së tij. Ju e ndjeni më mirë se çdokush tjetër se çmimet po rrokin qiellin. Rriten në mënyrë stratosferike, arrijnë nivele që janë dhe më të larta se niveli mesatar i BE-së ndërkohë që rrogat tona janë shtatë tetë herë më të ulëta.

Sot në Parlament po votohet ligji që nuk kompenson asnjë qindarkë qytetarët, por përkundrazi me paratë që mblidhen nga çmimet e larta, sepse TVSH rritet vlera që paguhet për çdo njësi me dyfishimin e çmimit është pothuaj dyfish. Dhe me këto para në vend se të ndihmohen në mënyrë thelbësore qytetarët, këto para u kalohen atyre që kanë marrë tenderët me 99.9 % të prokurimit. Atyre që kanë marrë tenderët me çmimet maksimale, dhe unë jua them se çmimet maksimale përdoren vetëm e vetëm për të ndarë para. Pra unë ta jap ty tenderin me 99.9 % ndërsa ti do më japësh mua kaq nga përqindje.

Tani këtyre u kthehen qindra milionë euro se u rritën çmimet, ndërsa atyre që u rriten çmimet për kafshatën nuk u jepet asnjë qindarkë. Çfarë ndodh? Janë rritur kostot çmimet për transportin, ushqimet, shpenzimet e çdo gjë dhe përzgjidhen vetëm ndërtuesit. Përse ndodh? Sepse ndërtuesit ndajnë më shumë para me qeveritarët. Përkundrazi, përgatitet të vijë në Parlament ligji që të gjithë atyre që u është premtuar se nuk do u vendoset taksë deri në vitin 2029, u vendoset një takse e re që me siguri i çon drejt falimentimit. E njëjta gjë me profesionet e lira, e njëjta gjë me shëndetësinë.

Ndaj përveç protestës, ky regjim nuk do mund të rrëzohet. Ky regjim duhet rrëzuar.

Pushtetin e marrim me votën e lirë të shqiptarëve, por Edi Rama nuk njeh votën ndaj dhe në do bëjmë gjithçka t’i shkurtojmë ditët në pushtetin e tij.

Ju falënderoj dhe një herë dhe ju ftoj të shprehni mendimet tuaja në këtë takim.

Kjo protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shoqërinë shqiptare, për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë.

About Redaksia

Check Also

Berisha mban një minutë heshtje për Mirush Kabashin

Kryetari i PD, Sali Berisha mbajti Berisha mban një minutë heshtje për Mirush Kabashin. Berisha …

Leave a Reply