PD dënon vetëçensurën që Edi Rama u imponon gazetarëve, Jola Hysaj: Gazetari i A2CNN, Klevi Muka i shpallur në riedukim nga Kryeministri, akt i papreçedentë.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARJA PËR MARRËDHENIET ME PUBLIKUN, JOLA HYSAJ
Partia Demokratike përshëndet qëndrimin kurajoz të gazetarit të A2, Klevi Muka. Ne, dënojmë censurën dhe mospërmbajtjen etike e protokollare të kreut të Qeverisë.
Dënimi me riedukim, duke i ndaluar pjesëmarrjen për tre muaj në konferenca shtypi, një gazetari, është një akt paprecedent i marrdhënieve media-qeveri në gjithë Europën.
Të ngjashmit e këtij qëndrimi gjenden vetëm në Turqinë e Erdoganit, Rusinë e Putinit, Korenë e Veriut të Kim Yongut.
Partia Demokratike përshëndet reagimin e “Reporterëve pa kufij” pas incidentit në konferencën e djeshme të shtypit. Me këtë rast, u kërkojmë edhe organizatave të tjera të lirisë së shtypit, që të shtojnë presionin mbi një qeveri që nuk lejon gazetarët t’u bëjnë pyetje ministrave.
Partia Demokratike u kërkon faktorëve relevantë ndërkombëtarë, të përfaqësuar në Tiranë, t’i bashkohen reagimeve kundër censures mediatike.
Raportet e fundvitit nuk mjaftojnë.
Kontradikta mes raporteve dhe qëndrimeve këtu në Tiranë, nuk bie në sy për mirë.
Në fund, ne i kërkojmë kryeministrit Rama të heqë nga komunikimi publik konferencën për shtyp.
Monologu, dhe jo dialogu, është streha e tij. Duket qartë, që në konferencat për shtyp ai nuk mund ta kontrollojë veten, dhe as situatën.
Kur një gazetar është në rrezik të mos-ushtrimit të profesionit, Shqipëria është në rrezik.