Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me gjyqin ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, që do të zhvillohet ditën e nesërme në lidhje me dosjen ‘Babale’. Në një postim në Facebook, Berisha thotë ky gjyq është një proces i mirëfilltë stalinist. Berisha shkruan se denoncimi i deputetit Salianji detyroi Fatmir Xhafajn të shpëtojë vëllain nga hetimi për trafiqet e se sot askush nuk e di ku ndodhet ai. Sipas Berishës, akuzat kundër tij u montuan nga dëshmitarë të rremë, nga bashkëpunëtorë të ngushtë të krimit në krye drejtues të lartë policie.
Postimi i plotë i kryetarit të PD, Berisha
Rikthehen proceset staliniste!
Miq, deputeti Ervin Salianji del nesër para gjyqit, në një proces të mirëfilltë stalinist. Ai shkon në bankën e të akuzuarit sepse denoncoi Geron-Agron Xhafën, i dënuar me 7 vite si kreu i rrjetit të trafikut të drogës të Bolonjës me Venezuelën dhe i kërkuar nga drejtësia.
Ai vazhdonte prej vitesh i qetë, i mbrojtur nga vëllacko i tij Fatmiri, ministër, dhe Edvini, veprat e tij të zeza, sipas hetimit të gazetarit të pavarur.
Denoncimi i deputetit Salianji detyroi Fatmirin, për të shpëtuar vëllain nga hetimi për trafiqet që drejtonte nga Vlora, ta dorëzonte atë me procedurë të rrufeshme në Itali, ndërsa sot asnjëri nuk e di se ku ndodhet ai.
Në një akt të turpshëm dhe skandaloz, deputeti Ervin Salianji akuzohet nga klani i drogës Xhafa për shpifje, sepse ai denoncoi publikisht mbrojtjen nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa të trafikantit Agron Geron Xhafa, në kërkim si i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge, dhe për faktin se Ervini, me guxim, bëri publik investigimin e gazetarit që provonte se Geroni vazhdonte organizimin e trafikut të drogës.
Akuzat kundër tij u montuan nga dëshmitarë të rremë, nga bashkëpuntorë të ngushtë të krimit në krye të policisë, Ardi Veliu, Albert Nushi dhe Andon Marko, dhe me ndihmën e trafikantëve në Shërbimin Informativ.
Të dashur miq, ky proces i turpshem dhe i pashembullt në 30 vite në shkallë të parë, i’u besua anëtarit të bandës së Lushnjes, Artan Gjermeni, i cili zbatoi urdhërat që mori nga Xhafa-Rama. Ndërsa në apel çështja i’u besua gjykatëses Sadushi, të shoqin e të cilës e lidh një miqësi e njohur dhe fort e dyshimtë me Fatmir Xhafën dhe klanin e tij.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe procesin e montuar politik stalinist të klanit Xhafa kundër deputetit Salianji dhe i bëj thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian, Unionit Parlamentar Ndërkombëtar, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të ndërhyjnë kundër këtij procesi të turpshëm politik të klaneve të drogës me pushtet që duan të dënojnë deputetin Salianji, si hakmarrje për denoncimin e tij të guximshëm. #sb