Edi Rama, në cilësinë e autokratit famëkeq të Shqipërisë, thelloi precedentet e mëparshme me sjelljen e tij të vrazhdë, pa minimumin e edukatës qytetare ndaj gazetarit Klevi Muka. Duke u ndodhur përballë një pyetjeje së cilës ministrja e tij Olta Xhaçka nuk i jepte dot përgjigje, Rama ia shqiptoi gazetarit ndëshkimin nëpërmjet “riedukimit”, një masë që ka ekzistuar vetëm gjatë diktaturës. Ashtu si kolegia Ambrozia Meta, edhe Klevi Muka do të jetë i përjashtuar nga e drejta për të marrë pjesë në takimet e kreut të qeverisë me mediat.
Rama u tregua i paduruar, kur gazetari i drejtoi një pyetje Olta Xhaçkës nëse ajo e ka zbatuar Kodin e ri Etik për Këshillin e Ministrave për të mos u takuar me biznesmenët pa praninë e dy punonjësve të administratës, shkelja e të cilit ka pasoja deri në largimin e saj nga detyra. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) e gjen shumë me vend pyetjen e drejtë që gazetari ia bën ministres Xhaçka në praninë e Ramës.
Reporterët Pa Kufij, siç është në dijeni edhe opinioni shqiptar, e kanë dënuar si të papranueshme sjelljen e tij të mëparshme ndaj gazetares Meta. Duke krijuar recidiv tjetër me gazetarin Muka, Rama tregon arrogancë jo vetëm ndaj gazetarëve shqiptarë, jo vetëm ndaj opinionit shqiptar, por edhe ndaj organizmave perëndimore që mbrojnë të drejtat e gazetarëve për të pasqyruar me profesionalizëm realitetin, por edhe të drejtën e shqiptarëve për të pasur një gazetari të lirë, të drejtë, të përgjegjshme dhe profesionale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) iu bashkohet të gjitha shqetësimeve që krijojnë në Shqipëri sjelljet sistematike të Edi Ramës ndaj gazetarëve dhe ngulmon që ai të reflektojë duke iu kërkuar falje gazetarit Klevi Muka, gazetares Ambrozia Meta, kolegëve të tyre shqiptarë dhe opinionit publik shqiptar.
Ne i ftojmë gazetarët që t’i bojkotojnë takimet e Edi Ramës me mediat deri sa ai të tërheqë masën e “riedukimit” ndaj kolegut Klevi Muka. I ftojmë të gjithë faktorët shqiptarë të interesuar për fjalën e lirë, për mendimin e lirë, për të drejtën e informimit profesional që të reagojnë me të gjitha format e mundshme demokratike ndaj arrogancës së shtuar të Ramës ndaj gazetarëve dhe mediave.
UGPSHD i bën thirrje dhe pronarëve të mediave, pavarësisht se shume prej tyre mund te jene te lidhur me interesa financiare me qeverine, te mbrojne te drejtat dhe dinjitetin e gazetareve.