Kryetarja e LDG, Albana Vokshi tha se, mijëra shqiptarë iu bashkuan protestës së 7 korriku. Duke komentuar tubimin masiv të një dite më parë, anëtarja e Kryesisë së PD tha se protestuesit dhanë një mesazh edhe për vendimin e Anthony Blinken, që shpalli non grata liderin demokrat.
“Partia Demokratike nuk ka asnjë rrymë anti-amerikane brenda saj. Përkundrazi është partia që ka pasur dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA si kur është në qeverisje, ashtu edhe në opozitë. Të jesh ‘non-grata’ nuk do të thotë të jesh anti-amerikan. Ajo është një çështje personale e zotit Berisha që po e zgjidh përmes gjykatës në Paris. Qytetarët në 7 korrik dhanë përgjigjen më të mirë për këtë, sepse në protestë nuk kishte vetëm demokratë, por mijëra qytetarë që iu bashkuan Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë”, tha Albana Vokshi në Report Tv.
Gjithashtu, Vokshi tha se Rama u tremb nga protesta dhe këtë e tregoi me vendimin e dy ditëve më parë për të rritur pagat për mësuesit dhe ulur çmimin e naftës.
“Ne jemi pro respektimit të vendeve të NATO-s duke ruajtur sovranitetin. Ashtu edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian çdo shtet ruan sovranitetin bazuar në Kushtetutë. Partia Demokratike pret këdo që do të shprehë mendimin e lire në një diskutim të hapur, por jo të pranojë elementë që duan të kryejnë veprime anarkiste. Janë të mirëseardhur në Front sindikatat, mesuesit, shoqëria civile e të tjerë. Ne e dinim që qytetarët kishin besim tek ne. Ne e dinim që PD është e bashkuar pavarësisht dy-tre deputetëve të mënjanuar. Ka edhe të tillë elementë, por përtej kësaj ishte një ditë shprese. Pas tre vitesh pa protesta, qytetarët reaguan. Unë kam takuar më shumë mësues se në çdo protest tjetër. Fakti që Edi Rama doli dy ditë përpara me dy ministre në krah dhe tha se do të rriste pagat e mësuesve, nuk është e rastësishme. Sepse mendon që duke rritur me 6% pagën e mësuesve apo duke ulur çmimin e naftës tre herë brenda javës, tregoi se Rama trembet nga protesta”, tha Vokshi.