Është Peter Handke Kapiten Gremçi i Ballkanit

Kosovari Jeton Neziraj paraqet në Cividale të Friuli një pièce që denoncon mbështetjen e nobelistit ndaj Serbisë gjatë luftës: «Arti nuk mund të jetë një justifikim i vlefshëm për kë mohon krimet e Millosheviçit».

Në qendër të sallës një tapet i hirtë i gjatë, një banak i hirtë, me sfond në pëlhurë edhe ajo e hirtë, përreth tri anëve publiku pret që aktorët të hyjnë në skenë. Ja ku janë, pesë prej tyre e kanë fytyrën të fashuar me bandazhe dhe ecin duke u lëkundur përgjatë kornizës së tapetit. Në banak ulet Peter Handke përpara një barbekjuje ku po skuq kërpudha helmuese në pritje të një telefonate nga Suedia: kalon një dre i qetë, ai merr pushkën dhe e vret. Në funeralin e Sllobodan Millosheviçit, aktorë në qasje sadomazokiste eksitohen nga liturgjia funebër e Handke. Kapiten Gremçi me krahë pëllumbi përballet me Peter Pan që ka krahë prej lakuriqi nate, një gremç i keq. Janë vetëm disa prej momenteve më intensive të spektaklit tetral The Handke Project. Or, justice for Peter’s stupidities, shkruar nga autori kosovar Jeton Neziraj, i quajtur nga kritika gjermane si «Kafka i Ballkanit», dhe i drejtuar nga Blerta Neziraj.

I vënë në skenë me aktorë të ardhur nga Kosova, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Italia dhe Germania, teksti i referohet Nobelit të kontestuar të shkrimtarit austriak Peter Handke (2019) në një investigim që eksploron limitet midis artit dhe përgjegjësisë etike dhe nëse duatrokitjet në të parën në kryeqytetin kosovar Prishtinë kanë qenë të gjata dhe pjesëmarrëse, i detyrohet edhe forcës me të cilën teksti krijon një jehonë të kuptimit midis luftërave ballkanike ende të paharruara dhe asaj aktuale në Ukrainë. «Kam menduar gjithmonë se kishte të drejtë shkrimtari gjerman Günter Grass (Nobel në 1999, shënimi im.) kur thoshte se është absurde që shkrimtarët të mund të jetojnë në partizanllëkun e tyre për idetë e dhunshme apo të rrezikshme në emër të artit», reflekton autori, që do ta çojë spektaklin në Cividale të Friuli më 23 korrik me rastin e Mittelfest, festivalit të teatrit, muzikës dhe vallëzimit të zonës qendro – europiane dhe ballkanike. «Si të sillesh atëhere me veprën artistike të Peter Handke? Ai që shkoi në funeralin e Millosheviçit për t’u deklaruar i afërt me serbët, pasi që “nuk e njihte të vërtetën”. Me të vërtetë nënkuptonte sidomos atë mbi genocidin në Srebrenicë. E mohonte dhe duke e mohuar nuk bënte gjë tjetër veçse e përgatiste me mjete të tjera».

Handke e rivendikon artin e të bërit pyetje dhe t’ia vendosë realitetit, kjo liri duhet të ketë një limit?

«Besoj se arti duhet të jetë gjithmonë i lirë të ngrejë pikpëpyetje, por ka një kufi etik që ka të bëjë me synimet e autorit. Kur Handke ka vënë në dyshim krimet e luftës, nuk synonte të ngrinte anë të panjohura të atyre fakteve të mirëdokumentuara, por vetë, t’u zhvlerësonte të vërtetën. Sikur një shkrimtar të fillonte sot të prodhonte budallallëqe propagandistike duke pohuar se krimet në Ukrianë nuk janë kryer nga ushtria ruse, por nga vetë ukrainasit, do të ishte i papranueshëm. Megjithatë, në rastin e Handke, ky pozicion është toleruar dhe justifikuar në emër të gjenisë letrare të tij».

Një Handke me çorape të shkurtëra që i kërkon një Joseph Goebbels me fustan të gjatë dhe syze në stil Doktor Strangelove: «Si mund t’i bind lexuesit se 8000 varret e Srebrenicës nuk ekzistojnë?»

«Instrumenti i Handke është letërsia dhe nëse themi se vokacioni i letërsisë është të ngrejë pikëpyetje, atëhere nuk ka asgjë më të mirë se të vësh një pikëpyetje përpara realitetit. “Në Srebrenicë është kryer një genocid” bëhet “Në Srebrenicë është kryer një genocid?”. Shenja grafike është një lloj arpioni i Kapiten Gremçit, një armë vdekjeprurëse».

Faktet do të vihen gjithmonë në gjendje shahu nga rrëfimi që u bëjmë?

«Tek Një varr për Boris Davidoviç, Danilo Kiš shkruan se faktet janë “ato që jemi dakord se janë”. Ky lloj logjike është përdorur gjerësish nga politikanët nacionalistë në Ballkan. Duan vetëm një realitet të ndërtuar nga faktet negociues: duke vepruar kështu minimizojnë mizoritë që kanë ndodhur, fshijnë përgjegjësinë direkte të shtetit. Në këtë mjegull faktesh, dyshimet e një shkrimtari nobelist kanë një peshë të jashtëzakonshme, pasi në një epokë “pas të vërtete” dhe fake news për shumë e vërteta nuk gjendet në histori apo në lajme, por vetëm në letërsi».

Pa luftërave ballkanike bota ka qenë kundër Serbisë. Handke ka mbrojtur një popull nga demonizimi?

«Janë opinionet e Handke ato që i kanë shkaktuar dëmin më të madh Serbisë. Duke shkruar elegji për kriminelët, në vend që të promovojë zëra të shumtë kritikë, ka vrarë mundësinë për shoqërinë serbe që ta përballojë të kaluarën dhe të distancohet nga krimet e kryera në emër të tij dhe lështë që në realitet vetëm ka kontribuar më tej të demonizohet vendi. Një Serbi demokratike, që përballet me të kaluarën kriminale të saj, është në interesin e të gjithë rajonit., pikërisht siç ka qenë burim dhe eksportuese krizash, është edhe çelësi potencial për paqen».

Do të arrijë Serbia të lirohet nga fantazmat e së kaluarës?

«Panorama aktuale politike, me një lider autokrat si Vuçiçi, ish besnik i Millosheviëit, lë pak hapësirë për optimizëm. Zërat kritikë janë gjithnjë e më pak, shoqëria civile është e dobët dhe koncepti i “mediave të pavarura” nuk ekziston. Panorama kulturore është thuajse krejtësisht e nënshtruar. Kjo situatë duhet të reflektojë duke shikuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë: çdo lloj mbështetjeje e dhënë Putinit nga shkrimtarë dhe intelektualë europianë do të ketë një impakt shkatërrimtar ndaj shoqërisë ruse në dekadat e ardhshme».

Nëse nuk mund të dënohet një popull i tërë, a është e mundur të lirohet në emër të një pakice rezistuese?

«Gjatë luftës në Kosovë kam parë të gjitha llojet e mizorive që vetëm lufta mund t’i prodhojë. Kam qenë afër vdekjes shumë herë, por nuk kam qarë kurrë. Siç thonë potetët, mësohesh edhe me vdekjen. Më pas, pas lufte, papritmas jam gjendur duke qarë kur kam lexuar një deklaratë të aktivistes serbe Natasha Kandiç që listonte disa prej krimeve të kryera nga policia dhe ushtiria e vendit të saj kundër shqiptarëve. Një gjest vërtet i fuqishëm, që vinte nga një palë që deri në atë moment ishte parë të prodhonte vetëm mizori. Këta persona, kjo pakicë rezistuese, e bën akoma më të lehtë pajtimin».

Me fundin e Jugosllavisë ka përfunduar edhe mundësia për një shtet multietnik?

«Nuk besoj: nëqoftëse marrim Maqedoninë e Veriut ka një harmoni mjaft të qëndrueshme midis shumicës maqedone dhe shqiptarëve, që ërbëjnë rreth 30% të popullsisë. Në Kosovë shqiptarë dhe serbë lokalë po mësohen të jetojnë përkrah njëri tjetrit, por Serbia vazhdon t’i fryjë zjarrit: manipulon serbët në Kosovë, në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë për politikat ekspansioniste të saj. Ama është e rëndësishme të vërehet se gjithnjë e më shumë njerëz po fillojnë të kuptojnë se armiku i tyre nuk janë serbët, shqiptarët apo kroatët, por klasa politike e korruptua, nacionalistët dhe ish zotërinjtë e luftës, për të ruajtur privilegjet, ushqejnë urrejtjen dhe frikën».

Po hyjmë në një epokë ripërcaktimi të kufijve?

«Për dy vite ka qarkulluar një plan mbi të cilin dukej se kishte një ujdi midis qeverisë serbe dhe qeverisë së mëparshme të Kosovës: një ndarje tokash mbi baza etnike. Ky plan ka pasur mbështetjen e disa qarqeve europiane, në Francë dhe në Austri, përveçse të administratës Trump e të Putinit. Megjithatë, ka dështuar për shkak të reagimit të fortë të opozitës kosovare dhe ka mundësi sepse qeveria Merkel ishte kundër idesë. Fantazmat e projekteve fashiste, e ndarjes territoriale mbi baza etnike dhe të lëvizjes së popullsive, janë ende të gjalla dhe aktive».

Nacionalizmat kërkojnë rrënjë mitike. Çfarë narrativash në fakt mund ta mbështesin demokracinë?

«Ëahtë e rëndësishme të forcohet narrativa për të cilën demokracia nuk mund të jetë më e mirëqenë. Armiqtë e saj i ngulin shpatat gjithmonë dhe kudo, edhe në vende që i konsiderojmë demokraci të konsoliduara, si Hungaria apo Polonia. Vëmendja duhet t’u shkojë atyre vendeve ku sistemi demokratik është një arritje e fundit, ato të drejtuar nga liderë autoritarë apo gjysmëautoritarë dhe aktualisht ka shumë në Ballkan. Fatkeqësisht, Europa mobilizohet vetëm kur ndjehet e kërcënuar».

Do ta çoni këtë spektakël në Beograd: çfarë prisni?

«Një miku im, aktor nga Beogradi, më thoshte se në Serbi mund të fyesh çdo shenjtor dhe do të falesh, por nëse fyen Peter Handke, të nxjerrin sytë. Gjatë provave kemi humbur tre aktorë serbë. Në një moment të parë kanë pranuar të aderojnë në projekt, por sapo kanë lexuar tekstin janë tërhequr për motive të ndryshme, kryesisht duke thënë: “Është një argument delikat”. Ky lloj reagimi më ka ndihmuar gjatë shkrimit dhe tani është një personazh që është “aktori serb që lë spektaklin”! presim që disa njerëz të ndjehen të tronditur, por kjo është një e mirë, është e shëndetshme: për shoqërinë serbe, por edhe për Europën. Konkretisht, ndërsa spektakli vazhdon në skenë, do të jetë e domosdoshme prania e policisë, por kjo në Beograd nuk është ndonjë risi».

Si e shikon Ballkani Europën?

«Kosova ka një axhendë proeuropiane, por procesi i integrimit ecën shumë ngadalë. Kosovarët vazhdojnë të jenë të vtmit që kanë nevojë për një vizë për të udhëtuar në Bashkimin Europian dhe kjo është çnjerëzore. Megjithatë orbita e vetme mbi të cilën vendë dëshiron të rrotullohet është ajo europiane. Pakashumë, kjo vlen për të gjithë vendet e tjera ballkanike, me përjashtim të Serbisë, e cila vazhdon të kultivojë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Rusinl dhe ku ndjenja antieuropiane është e përhapur».

Luftërat ballkanike e viteve ’90 na ndihmojnë të kuptojmë luftën në Ukrainë. Mund të na ndihmojë kjo luftë të lexojmë të ardhmen e Ballkanit?

«Rusia e Putinit është e ngjashme me Serbinë e Millosheviçit. Diferenca është se Putini ka forca dhe aftësi shkattërruese më të madhe. Leksioni për t’u mësuar është se kukullat proputiniane, Milorad Dodik i Republikës Srpska (entitet serb i Bosnje dhe Hercegovinës, shënimi im.) dhe Aleksandar Vuçiç i Serbisë, duhet të izolohen pasi janë burim potencial krizash, synojnë të krijojnë “botën serbe”, një formulë e re fashiste që zëvendëson “Serbinë e Madhe” të viteve ’80. Rezultatin e dimë».

(nga La Lettura)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

8 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës

Si sot 8 vjet më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza,  fituese e çmimit …

Leave a Reply