Dhoma Amerikane: Amnistia fiskale, pastrim parash dhe sjell paratë e drogës

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) në një deklaratë zyrtare, thotë se vëren shqetësime serioze mbi draft-ligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Edhe pse akti i ri ka disa ndryshime nga iniciativa e mëparshme e qeverisë e ndërmarrë në vitin 2020, këto ndryshime nuk janë aq thelbësore për të ndryshuar rreziqet e ngritura prej saj dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, si FMN-ja dhe Komisioni Evropian.

Për këtë arsye, qëndrimi i Dhomës Amerikane, bazuar në opinionin teknik të ekspertëve të Komiteteve është si më poshtë:

Dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia.
Zbatimi i amnistisë do të sjellë konkurrencë të pandershme, duke favorizuar individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, nëpërmjet tre situatave të ndryshme:
Shmangia e pasojave të sistemit gjyqësor;
Investimi i fondeve nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale;
Pagesa e një norme tatimore më të ulët (5-10%) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32%.
Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen.

Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale.

“Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE.

Prandaj, nëse ky draft nuk merr mbështetjen publike të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë garanci publike nga organizatat monitoruese si Moneyval, FMN etj, Dhoma gjykon se kjo iniciativë do të jetë një hap në drejtim të gabuar, gjë që do të dëmtonte reputacionin e vendit për të bërë biznes me partnerët ndërkombëtarë dhe do të ulte mundësinë për të tërhequr investime të huaja në vend”, thuhet në deklaratë.

Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme.

About Redaksia2

Check Also

Shantazhi/ Bardhi: Janë presion për përgjimet që disponoj nga “Sky Ecc”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi foli mbrëmjen e sotme për mesazhet shantazhuese …

Leave a Reply