Kryetari i PD, Sali Berisha, tha gjatë një konference për mediat se PD mbështet hapjen e negociatave, ndërkohë që theksoi se kjo parti do të përkrahë dhe miratojë çdo akt në funksion të integrimit të vendit.
“Jam këtu për të paraqitur deklaratën e Partisë Demokratike sa vijon:
Këto ditë, do të mbahet Konferenca e Parë e qeverisë shqiptare me Komisionin Europian, akt që shënon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, hapje që ndodh në një kohë të dytë, pas konferencës së parë.
Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike, e cila ka qenë dhe mbetet lokomotivë e integrimit, shpreh mirënjohjen më të thellë për KE dhe vendet anëtare, për vendimin miqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe aspiratave të tyre për integrimin e plotë të vendit në BE si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre.
Gjithashtu siguroj BE-në se PD sot në opozitë do të mbështesë dhe nesër në pushtet do të miratojë çdo akt, vendim dhe reformë të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit në BE”, tha Berisha.