Sulmi kibernetik ndaj e-albania, shtyhet regjistrimi për klasat e para dhe të dhjeta

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar se pas sulmit kibernetik ndaj e-albania dhe faqeve të tjera qeveritare, do të shtyhet afati i regjistrimit për klasat e para dhe të dhjeta.

Në një njoftim në rrjetet social Kushi tha se dëshiron të garantojë prindërit dhe nxënësit se kjo shtyrje nuk do të ndikojë në procesin e regjistrimit.

Pas mbylljes së detyrueshme të shërbimeve publike të platformës e-Albania nga ana e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për shkak të sulmit kibernetik, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të shtyjë afatin e regjistrimeve në klasa të para dhe të dhjeta për një afat të pacaktuar.

“Për shkak të sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania, e cila ndikon edhe procesin e regjistrimit për nxënësit në klasa të para dhe të dhjeta, kemi vendosur që afatin e regjistrimeve ta shtyjmë deri në një datë të pacaktuar.

Dëshiroj të garantoj prindërit dhe nxënësit se kjo ndërprerje nuk do të ndikojë aspak në procesin e regjistrimit, dhe se çdo nxënës do të ketë mbështetjen tonë të nevojshme deri në finalizimin e procesit. Në vijim do t’ju informojmë përsëri për rihapjen e aplikimeve dhe afatet e reja të regjistrimit”- shkruan ministrja.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi dje se është detyruar të mbyllë përkohësisht aksesin e tyre në shërbimet publike për shkak të një sulmi kibernetik. Në njoftim thuhet se për një kohë të pacaktuar qytetarët nuk do të mund të kenë akses në faqet e shërbimeve online si dhe ato qeveritare deri në momentin që të neutralizohen sulmet dhe të jenë të sigurta, duke mos rrezikuar të dhënat personale.

About Redaksia

Check Also

Shqipëria ndeshje të madhe në Pragë, përmbys Ukrainën

Super rikthim i kombëtares shqiptare ndaj Ukrainës, nga disavantazhi 1-0, kanë arritur të fitojnë me …

Leave a Reply