Autoritetet italiane kanë deklaruar se mafia puljeze dhe Ndrangheta po pastrojnë dhe riciklojnë paratë e trafikut të drogës në Shqipëri. Hetimi është kryer pas arrestimeve të muajit të kaluar kur u vendosën në pranga 11 persona, pesë italianë, midis tyre puljeze, kalabrezë dhe gjashtë shqiptarë të cilët akuzohen për trafik droge dhe armësh.
Gjithashtu, autoritetet italiane kanë arritur në këtë përfundim nisur nga arrestimet e viteve të fundit të personave të ndryshëm për trafik droge që kanë prekur dy brigjet e Adriatikut.
Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, grupet kriminale kanë zhvendosur prodhimin e drogës nga Shqipëria në krahinat e Barit dhe Foggia ku janë sekuestruar edhe plantacione me kanabis dhe sera me mbi tetë mijë bimë marijuanë, me peshë mbi një ton e gjysmë, nga të cilat do të ishte e mundur të merreshin mbi dhjetë mijë doza droge për t’u hedhur në treg.
Pas kapjes së mbi 100 italianëve dhe shqiptarëve dhe sekuestrimit të rreth gjashtë tonë drogë, autoritetet italiane kanë evidentuar faktin se grupet kriminale puljeze dhe kalabreze përdorin Shqipërinë si bazë për pastrimin e parave.
Mediat italiane teksa u referohen të dhënave të autoriteteve të vendit të tyre dhe Shqipërisë shkruajnë se pas operacioneve policore ku janë arrestuar puljezë, kalabrezë dhe shqiptarë dolën fakte këto banda mafioze po planifikonin të investonin paratë e tyre të paligjshme në Shqipëri, veçanërisht në fushën e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.
Marrëdhëniet e mafias puljeze dhe kalabreze me ato shqiptare në fushën e drogës italiane janë vërtetuar tashmë prej disa kohësh.
Përgjimet e kryera në Shqipëri do të nxirrnin në dritë korrupsionin në shkallë të gjerë të sferave më të larta të pushtetit të përfshirë në sistemet e ndryshme të pastrimit të parave në vend.
“Është e pamundur të mos pranohet që dy mafiet nuk e përdorin Shqipërinë si një territor të përshtatshëm dhe të favorshëm për pastrim parash. Marrëdhëniet mes mafias puljeze, kalabreze dhe shqiptare janë gjithnjë e më intensive duke pasur parasysh se tregjet e klaneve po zgjerohen çdo ditë që kalon”, shkruajnë mediat italiane.
Operacioni që u zhvillua në Shqipëri, në harmoni me Eurojust-in, përfshinte gjithashtu lidhje të nivelit të lartë politik që u lejon mafiozëve të operojnë aparatin e tyre masiv të pastrimit të parave dhe të pastrojnë paratë e pista të sipërmarrjeve të tyre kriminale.
Operacioni bëri të mundur arrestimin jo vetëm të mafias, por edhe të jakave të bardha, duke demonstruar edhe një herë sesi mafia ka ndryshuar dhe sa të thella janë rrënjët e infiltrimit mafioz në infrastrukturat politike, ekonomike dhe financiare.
“Në bisedat e regjistruara, dalin anëtarë të Ndranghetës, të cilët do të kishin diskutuar për investime të mundshme me një biznesmen shqiptar, të cilin e cilësuan si “i afërt me kryeministrin dhe të afërt me kryetarin e Bashkisë së Tiranës”, theksojnë më tej mediat italiane.
Sistemi i ri i riciklimit Shqipëri-Itali, Itali-Shqipëri po perfeksionohet duke krijuar rreziqe të mëdha për ekonomitë e të dy vendeve.