Metalla: Rama po fal detin! Këta edhe këtë trashëgiminë po e shkatërrojnë

• Osman Metalla: Rama po fal detin. Shkoi në Hagë pa plan dhe kushte ndaj Greqisë, thjeshtë për të hedhur pataten e nxehtë matanë!

U fol për Portin e Durrësit, por edhe Porti është trashëgimi. Porti dhe qyteti kanë qenë gjithmonë bashkë me njëri-tjetrin. Këta edhe këtë trashëgiminë po e shkatërrojnë. Kë pyetën për të transferuar Portin? Askënd. Në një darkë i erdhi në mendje dikujt, të nesërmen tha do ta çojmë atje dhe mbaroi historia. Por nuk është vetëm Porti. Shqipërinë e ka bekuar zoti me det, këta kanë inat të madh me detin, detin vetëm e vjelin, e keqpërdorin, por s’e kanë vlerësuar kurrë. Ka një mega-ministri, por nuk gjen një drejtori që të ketë emrin det brenda. Mali i Zi është një shtet shumë më i vogël se Shqipëria, shtet detar me trashëgimi detare dhe e ka të shprehur edhe në strukturën qeveritare rëndësinë e detit. Ata kanë Ministrinë e Çështjeve Detare dhe Transportit.

Ne çështjet detare i kemi hedhur pas krahëve. Detin e kemi shumëzuar me zero, detin e falim. Kush nga ne qytetarët, pas vitesh negociatash që ka bërë Edi Rama me palën greke, dinë se çfarë kanë diskutuar, dinë se çfarë kanë vendosur, dinë se ku jemi, cilat janë pretendimet e palës shqiptare për këtë pasuri? Do të shkojmë në Gjykatën e Hagës! Por vendimet i ke marrë ti vetë dhe s’ke lënë askënd të negociojë, negociatat s’kanë përfunduar dhe thua në një moment të bukur po iki në Hagë. Por me çfarë kushtesh? Me kushtet kur ti u thua atyre zgjerimi i detit territorial nga 6-12 milje mua nuk më cenon? Kur në fakt na cenon. Kur në fakt hapësirat detare që duhet të pretendohen nga pala shqiptare, ky personalisht thotë nuk na cenojnë dhe nuk kemi interes te ajo pjesë. Nuk mund të shkohet kështu.

Të shkosh në Hagë për pasurinë kombëtare, duhet të kesh një plan, duhet të kesh pretendime të caktuara, duhet t’i shkosh Gjykatës me pyetje të përcaktuara. Cilat janë mosmarrëveshjet që ti ke me palën greke? Ti sot nuk ke paraqitur asnjë mosmarrëveshje me palën greke. Duhet t’i thuash gjykatës kam 1, 2, 3 gjëra për të diskutuar me ty. Ne shkojmë atje thjeshtë për ta zgjidhur gjykata, ky për ta hedhur pataten e nxehtë matanë, kaq është historia. Ky është trajtimi që iu bëhet pronave të shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Shqipëria ndeshje të madhe në Pragë, përmbys Ukrainën

Super rikthim i kombëtares shqiptare ndaj Ukrainës, nga disavantazhi 1-0, kanë arritur të fitojnë me …

Leave a Reply