Presidenit Ilir Meta i është drejtuar përmes një letre informuese kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla lidhur me negociatat me Greqinë, për çështjen e detit.
Letra e kreut të shtetit vjen në prag të mbarimit të mandatit të tij dhe dorëzimit të detyrës së presidentit të Republikës.
Në mesazhin e gjatë, kreu i shtetit shpreh shqetësimin se nuk është informuar në kohë për hapat e negociatave të autoriteteve shqiptare me palën greke.
Gjithashtu, Meta shpreh rezerva për kryeministrin Edi Rama dhe Ministrinë e Jashtme, të cilët nuk i kanë përcjellë institucionit të Presidentit të Republikës, informacione për kuadrin negociator dhe fazën ku ndodhen bisedimet me Athinën zyrtare.
Meta thotë se qëndrimi i tij ka qenë i palëvizshëm në mos lejimin e cenimit të interesave kombëtare të vendit, ndërsa shton se mbetet i hapur për bashkëpunim.
21 korrik 2022
Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetutese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, znj.Lindita Nikolla dhe të gjithë deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare.
Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.
I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë jo vetëm deri në mbrëmjen e datës 24 korrik 2022, por edhe përtej.