Shehaj: Kompania e lidhur me Gjiknurin do të ndërtojë resort në Parkun e Butrintit

Pas zvogëlimit të hapësirës së Parkut Kombëtar të Butrintit qëndrojnë resortet turistike. Denoncimi bëhet nga deputeti i PD, Agron Shehaj, sipas të cilit, kompania “Alb Star” ka marrë statusin e investitorit strategjik për të fshehur gjurmët e ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

“Provat dhe faktet e denoncuara publikisht nga media, por edhe dokumentet zyrtare, hedhin dyshime të forta se arsyeja kryesore për zvogëlimin e zonave të mbrojtura, janë interesat private ekonomike të njerëzve me pushtet ose klientëve të lidhur me qeverinë. Ky që kam në dorë është një vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili mban datën 10 qershor 2021. Citoj tekstualisht vendimin: Këshilli Kombëtar i Territorit vendosi miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin resort turistik me 2, 3 dhe 4 kate me parkime nën tokë, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë dhe me subjekt zhvillues shoqëritë ‘Albstar sh.p.k.’ dhe ‘Andi sh.p.k.’. Vendndodhja është në Sarandë dhe më saktësisht është pjesërisht në parkun e Butrintit”, tha ai.

Nga Parlamenti, Shehaj u shpreh se, resorti do të ndërtohet brenda parkut të Butrintit, i dhënë me koncesion pak kohë më parë nga ana e qeverisë shqiptare.

“Tani që ta kuptojnë edhe qytetarët, bëhet fjalë për projektin ‘Manastir Resort’, i cili do të ndërtohet në parkun e Butrintit, që në fakt tani duhet thënë në ‘ishparkun e Butrintit’, sepse Rama dha lejen e ndërtimit në një toke brenda parkut të Butrintit, një vit më vonë, po prapë me firmën e tij, Rama e zvogëloi parkun e Butrintit për të nxjerrë jashtë parkut tokën ku do të ndërtohet resorti. Nuk e përmenda pa qëllim lejen e parë të ndërtimit. Sepse ajo fakton qartë se kush qëndron me të vërtetë pas resortit në Butrint. Është kompania ‘Albstar’ dhe kompania ‘ANDI sh.p.k.’. Kjo e dyta zotërohet Andi Gjiknuri, i afërm i ish-ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri”, shtoi ai.

Shehaj sqaroi se statusin e investitorit strategjik e ka përfituar ligjërisht vetëm kompania ‘Albstar’, por projekti është i ndarë me kompaninë tjetër, që sipas tij, i përket të afërmit të ish-ministrit Gjiknuri.

“Në 2 dhjetor të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin e investimit strategjik procedurë e asistuar për projektin ‘Manastir Resort’. Por me djallëzi, në vendim, statusin e investitorit strategjik e përfiton vetëm subjekti ‘Albstar’. Pra, resortin e kanë të dyja kompanitë, gjysmë për gjysmë”, tha në Kuvend deputeti Shehaj. Duke risjellë në vëmendje marrjen e statusit të investitorit strategjik të bashkëshortit të ministres së Jashtme, deputeti demokrat tha se skema është e njëjtë dhe synimi është që të fshihen përfituesit e vërtetë të favoreve shtetërore. “Pra, ashtu si në rastin e ministres së Jashtme, edhe këtu kemi përfshirjen e pushtetarëve dhe njerëzve të afërt të tyre në projekte strategjike, që marrin favore nga shteti. Dhe rastet janë identike. Edhe këtë herë, ashtu si në rastin e zonjës Xhaçka, është tentuar po e njëjta skemë për të fshehur përfituesit realë”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat tha se kompania ka marrë 100 milionë euro pagesa për tenderë publikë nga viti 2014 e në vijim dhe pjesa dërrmuese ka ardhur nga institucionet nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës. Më konkretisht, ai u ndal te tenderi shumë i përfolur i rrugës Kardhiq–Delvine, loti 5, ku tenderi është fituar me 99% të fondit limit prej 16 milionë eurosh.

“Pra, ‘Albstar’, një nga kompanitë që ka marrë qindra-miliona euro tendera, edhe nga agjenci ne varësi të ish-ministrit Damian Gjinkurit, tani na hyn në ortakëri me kushërinjtë e zotit Gjiknuri për të ndërtuar një resort 28 milionë euro në parkun e Butrintit. Nga një anë si ministër Gjiknuri i jep tendera publikë kompanisë ‘Albstar’, nga ana tjetër kushërinjtë e tij i bën ortakë të tyre, dhe të dy bashkë i bën investitorë strategjikë”, u shpreh Shehaj.

Pas akuzave të deputetit të Partisë Demokratike Agron Shehu, ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, paralajmëroi padi për shpifje, duke hedhur poshtë akuzat se i afërmi i tij është i lidhur me resortin turistik në Butrint. Ai pranoi që kushërinjtë e tij janë të përfshirë në biznese, por përfitues si investitor strategjik nuk ishte djali i xhaxhait të tij. Gjiknuri tha se ka ngritur padi ndaj tij për shpifje, ndërsa akuzoi deputetin Shehu se është përdorur nga palët në Partinë Demokratike.

About Redaksia

Check Also

Olsi Rama kërcënon SPAK

Olsi Rama ka kërcënuar dje përmes një letre publike direkt SPAK në lidhje me laboratorin …

Leave a Reply