Përreth Detit të Zi

Histori, gjeopolitikë, ekonomi

Në historinë e tij të gjatë, rajoni përreth Detit të Zi ka nohur shumë dominues aziatikë dhe europianë. Aktualisht janë 3 aktorët që avancojnë pretendimet e tyre të influencës ndaj tij: Turqia, Rusia dhe Bashkimi Europian bashkë me Shtetet e Bashkuara, edhe pse fiton një rol gjithnjë e më të rëndësishëm fluksi i Kinës. Agresioni rus në Ukrainë është ende në zhvillim. Për këtë, në prezantimin e aktorëve të veçantë, preferojmë të kufizohemi në pozicionin e Turqisë dhe të Kinës, sidomos sepse impenjimi kinez tregon rëndësinë në nivel botëror të një rajoni të tillë, duke ofruar veç të tjerash me metodat e saj një alternativë ndaj ndërhyrjeve të forta politike dhe ushtarake të aktorëve të tjerë, por çfarë nënkuptohet tamam kur flitet për rajonin e Detit të Zi? Në aspektin gjeografik, është ai rajon që shkon nga Ballkani në Kaukaz dhe nga stepat në veri të Ukrainës dhe të Rusisë deri në Anadoll. Nga pikëpamja politike, në fakt rajoni përfshin vendet që gjenden në brigjet e këtij deti: Turqia, Gjeorgjia, Rusia, Ukraina, Rumania dhe Bullgaria. Është edhe një rajon më i gjerë i Detit të Zi: këtij i përkasin vendet të cilat kanë nënshkruar Deklaratën e Organizatës për Bahskëpunimin Ekonomik i Detit të Zi (Charter of the Organization of the Black Sea Economic Cooperation), domethënë, përtej vendeve të cituar më parë, edhe Shqipëria, Greqia, Moldavia, Armenia dhe Azerbaixhani.

Historia e formimit të Detit të Zi

Deti i Zi ka qenë për një kohë të gjatë një liqen me ujë të ëmbël. Në çfarë mënyre është bërë më pas një basen uji të kripur me një akses në Mesdhe është një çështje e debatuar akoma sot midis gjeologëve. Është e sigurtë se në një moment të caktuar Bosfori ka ceduar, duke i dhënë kështu origjinë një lidhje të qëndrueshme me Mesdheun. Kjo rrugë komunikimi është e pranishme prej rreth 7000 vitesh. Ekzistojnë teori të ndryshme sesi është arritur në situatën aktuale. Disa mendojnë se 7000 vite më parë ndodhi një përmbytje gjiganteske e Detit të Zi, ku disa shkencëtarë e pranojnë përmbytjen për të cilën flet Bibla. Midis shkencëtarëve që mbrojnë këtë teori janë Walter Pitman dhe William Ryan, të cilët në vitet ’90 botuan një libër që ngjalli bujë në të gjithë botëm. Ato theksonin që në fundin e epokës së akullnajave akullnajat qenë shkrirë, duke e ngritur kështu me shumë nivelin e deteve; në këtë pikë Bosfori do të derdhej me dhunë të jashtëzakonshme në Detin e Zi, që ndodhej në fakt në një nivel më të ulët. Shkencëtarë të tjerë e kontestojnë një teori të tillë. Kështu gjeologët e Potsdamit, Helge Arz dhe Christian Borowski, mbi bazën e disa karotazheve, kanë zbuluar praninë e molusqeve të ujit të kripur edhe 100000 vite më parë. Kështu, përmbytja e 7000 viteve më parë nuk do të kishte qenë uji i kripur i parë që ka ardhur në Detin e Zi. Shumë shkencëtarë e mohojnë që kjo përmbytje ka pasur një dimension si ai i teorizuar nga Ryan dhe Pitman. Mendojnë në fakt se uji i kripur nuk është derdhur dhunshëm në Bosfor, por ka kaluar pak e nga pak.

Emri i detit

Të ndryshme janë hipotezat që kërkojnë të shpjegohet se pse sot ë është vendosur emri «Det i Zi». Në radhë të parë, praktikisht, prej turbullirës së tij të madhe shikueshmëria e ujit është e kufizuar në një gjysmë metri thellësi, por në perspektivë historike emri ka një origjinë tjetër. Kur otomanët pushtuan Anadollin, u desh që të gjenin një emër për ta treguar këtë liqen. Në fillim adoptuan emrin e dhënë nga kolonizatorët venecianë dhe xhenovezë, që e kishin quajtur «Deti i Madh». Në turqisht, shprehja i përkthye me «Kara Deniz», por «kara» në atë kohë mund të nënkuptonte jo vetëm «i madh», por edhe i «errët, i turbullt». Me kalimin e kohës, termi «kara» e humbi domethënien i «madh» dhe ruajti vetëm atë të «errët». Kështu bullgarët, ukrainasit dhe në vijim rusët kanë adoptuar emrin «Deti i Zi». Një shpjegim tjetër i referohet turqve dhe otomanëve. Në të kaluarën, këta të fundit tregonin pikat kardinale me ngjyra: të kuqen për jugun, blunë për lindjen, të zezën për veriun dhe të bardhën për perëndimin. Edhe deteve të afërta ji dhanë emrat korrespondues: Deti i Kuq në jug, Deti i Bardhë në perëndim (akoma sot, në bullgarisht, serbish dhe maqedonisht, Egjeu quhet «Deti i Bardhë») dhe Deti i Zi në veri.

Historia e vendbanimeve

Gjatë mijëvjeçarëve, në Detin e Zi janë ngulur popullsitë më të ndryshëm, aq sa një historian i Europës Lindore, Stefan Troebst, flet për një «autostradë e migrimit të popujve». Sidomos në mijëvjeçarin e I B.C., thuajse të gjithë popullsitë që atëhere spostoheshin nga Lindja në perëndim kanë kaluar nëpër bregun verior e Detit të Zi: hunë, shiitë, mongolë, ostrogotë, tatarë, grekë, venecianë, xhenovezë, otomanë dhe më pas rusë. Veç kësaj, rruga veriore e mëndafshit e prekte këtë liqen. Edhe klima e butë – Deti i Zi gjendej në të njëjtën lartësi të bregut mesdhetar francez – dhe terreni pjellor i bënin tërheqës këto vende. Qysh nga kohërat më të thella, ky rajon u karakterizua nga një larmi e madhe etnike dhe kulturore. Flukse aziatike dhe greke qysh në lashtësi kontribuan në formimin e qytetërimeve mikste. Edhe në kohërat e dominimit të Perandorisë Romake, rajoni mbeti një pikë kontakti dhe një vend migrimesh. Duke filluar nga fundi i shekullit të VII, kazarët me origjinë turke e shtrinë dominimin e tyre edhe në pjesë të tjera të brigjeve veriore dhe lindore të Detit të Zi dhe për tre shekuj ndërtuan aty një fuqi lokale. Në shekullin e XIII, rajoni kaloi nën dominimin e Hordhisë së Artë, por kjo nuk i pengoi republikat marinare të Venezia dhe të Genova t’i vendosnin kolonitë e tyre tregëtare përgjatë brigjeve. Pas rënies së Hordhisë së Artë, rajoni kaloi nën dominimin e Khanatit të Krimesë dhe qëndroi deri në gjysmën e dytë e shekullit të XVIII. Nën egjidën e Perandorisë Otomane dhe të Khanatit të Krimesë, u zhvillua një kulturë e markës islamike. Këto fuqi ndërmorën inkursione të rregullat në rajonet e stepave dhe pyjore të veriut, të banuara nga sllavët, për të nxjerrë një plaçkë të pasur, edhe në termat e qenieve njerëzore. Banorëve të Konfederatës Polakon – Lituane dhe të Moskës këto plaçkitje shkaktonin një vuajtje të pallogaritshme dhe dëme të mëdha financiare. Njësitë kozake e përdorur nga kurora e Moskës dhe nga ajo polake nuk arritën t’i ndalojnë këto agresione. Për shkak të kufijve të hapura, nuk ishte e mundur një shfrytëzim bujqësor intensiv të këtyre zonave pjellore dhe veriu ishte tejet i ndarë nga Deti i Zi.

Historia e gjeopolitikës së Detit të Zi

Prej kohësh fuqi të mëdha si europiane, ashtu edhe aziatike kryejnë një luftë të paepur për kontrollin e këtij territori, e rëndësishme në aspektin strategjik, por edhe ekonomik. Për t’i kuptuar rëndësinë strategjike, duhet të mendohet për pozicionin qendror të sak për rrugët tregëtare që nga veriu (rajoni i Detit Balltik) të çojnë në Detin Mesdhe, ashtu si për ato midis kontinentit euraziatik dhe Europën. Rëndësia e Stambollit dhe e ngushticës që çon nga Deti i Zi në Detin Mesdhe është e padiskutueshme. Por edhe pjesa veriore e këtij deti ka një rëndësi strategjike. Lumenjtë e mëdhenj që nga veriu derdhen në Detin e Zi i kanë dhënë kujt mbizotëronte në këtë territor mundësinë jo vetëm për të kontrolluar tregëtinë, por edhe për të spostuar trupe dhe furnizime në rast lufte. Për këtë Perandoria Otomane kërkoi që ta sigurojë bregun verior e Detit të Zi nëpërmjet një zinxhiri kështjellash, për të kundërshtuar ekspansionin e Rusisë, që duke filluar nga fundi i shekullit të XVII, ishte bërë gjithnjë e më e madhe në drejtimin jugperëndimor. Rusët arritën ta pushtojnë kështjellën e parë turke qysh nga fundi i shekullit të XVII, por ju desh i gjithë shekulli i XVIII për t’u vendosur qëndrueshëm në bregun verior të basenit. Qysh atëhere vendbanimi i tyre në këtë zonë procedoi me shumë shpejtësi. Deri në 1827, në «Rusinë e Re» kishin arritur tashmë 800000 kolonë. Nëse në 1806 vetëm 6% e tregëtisë ruse me jashtë kalonte nëpër portet e Detit të Zi, në 1816 kjo shifër ishte rritur tashmë deri në 16% dhe për eksportet e drithërave kuota e tregëtisë në Detin e Zi ishte në 70%. Midis 1880 dhe 1914, niveli i impenjimit të rajonit në ekonominë botërore ishte e krahasueshme në kohën ku ishte në raport me republikat marinare të Venezia e Genova dhe lidhte Kinën me Europën. Në fundin e shekullit të XIX dhe në fillimin e shekullit të XX, edhe vendburimet e qymyrit, fushat e drithërave dhe puset e naftës tërhoqën investitorë të shumtë.

Por kjo situatë ndryshoi me Luftën e Parë Botërore dhe ngjitjen në pushtet të bolshevikëve. Atëhere lindi një përplasje jo vetëm gjeopolitike, por edhe ideologjike midis nacionalizmit, që dominonte në Bullgari, Turqi dhe Rumani, dhe «ndërkombëtarizimit» të lidershipit të ri të Moskës. Në këto rrethana, në shtetet jobolshevike ndodhi tentativa e parë për ta menduar, por edhe strukturar rajonin e Detit të Zi si një njësi e dallueshme. Objektivi ishte ai i krijimit të një aleance midis shteteve të vogla, për t’i penguar fuqitë e mëdha të arrinin një pozicion dominues. I ashtuqujaturi «Projekt Promete» (i quajtur kështu nga një gazetë e botuar në Paris, Prométhée) ishte ndërtuar nga emigrantë të ardhur nga shtete të ndryshme të Europës Lindire dhe nga Kaukazi, të cilët kërkonin një aleancë politike dhe ekonomike midis shteteve të Detit të Zi: Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe, në perspektivë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Kjo lëvizje nuk drejtohej vetëm kundër bolshevikëve, por kundër Rusisë si e tillë. Një përfaqëseus ukrainas i lëvizjes thoshte: «Me krahun e majtë që prek Poloninë, duke kaluar nëpër rajonet miq të kozakëve mbi Don, Kuban dhe të Uraleve, dhe me krahun e djathtë që shtrihet deri tek popujt e Azisë Qendrore, Turkestanin dhe rajonet e tjera, kjo aleancë midis shtetesh do të ndalet një herë e përgjithmonë dhe në mënyrë definitive tendencat imperialiste të Rusisë, e kuqe apo e bardhë qoftë».

Nëse atëhere nuk mund të realizoheshin idetë e lëvizjes, në fundin e Luftës së Dytë Botërore shtetet e tjera të rajonit, si Rumania dhe Bullgaria, në vijim të Marrëveshjes së Jaltës, hynë në bllokun e drejtuar nga Moska. «Lufta e Ftohtë» që e pasoi përbën një kohë paqeje relative. Nga ajo më pas doli një konfigurim krejtësisht i ri i rajonit. Atëhere mund të pohohej deri se për herë të parë nga kohërat e lashta në brigjet e Detit të Zi kishte lindur një periudhë pastërtisht pluraliste. Në këtë kontekst, nuk mund të harrojmë se njerëzit u persekutuan brutalisht, fillimisht me imponimin e detyruar të kolkozëve kundër fshatarëve të lirë, më pas me urinë Holodomor të organizuar me vetëdije nga Stalini për të thyer rezistencën e popullit ukrainas. Nga një pikëpamje historike, të gjitha shtetet që kanë kontrolluar Detin e Zi qenë qeveri perandorake – Perandoria Otomane dhe ajo Ruse – që kanë arritur ta shmangin ndërhyrjen e fuqive të tjera të mëdha në punët e rajonit. Në vitin 1936 u firmos «Konventa e Montreux», që do të duhej të garantonte statuskuonë. Traktati i pengonte shtetet që nuk ndodheshin në Detin e Zi të vendosnin baza ushtarake të përhershme në brigjet e tij, përveçse të rregullonin jetëgjatësinë e pranisë së anijeve të tyre ushtarake në basen.

Lufta në Gjeorgji (2008), me ndërhyrjen ushtarake ruse në favor të rajoneve separatiste dhe konfliktin në Ukrainë, i egërsuar në vijim të agresionit rus, që e ka pasur fillimin në 2014, kanë influencuar ndjeshëm zhvillimin e të gjithë rajonit, që është kthyer në qendër të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Turqisë, por edhe midis Rusisë dhe Perëndimit (Bashkimit Europian dhe NATO). Megjithatë duhet thënë se raportet e reja që po krijohen midis Rusisë dhe Turqisë nuk janë karakterizuar vetëm nga gjeopolitika dhe nga interesat për sigurinë: konflikti që po rëndon në Ukrainë e ka çuar Rusinë të përqëndrohet midis përmirësimit të marrëdhënieve me Turqinë. Këto zhvillime përkojnë me përkeqësimin konstant të kushteve të sigurisë të të gjithë rajonit: lufta në Ukrainë është vetëm një midis konflikteve në zhvillim, duke konsideruat atë në Transnistri, Abkhazi, Oshecinë e Jugut, por edhe në Nagorno Karabakh. Në të gjitha, përveç të fundit, shikojmë të përfshirë drejtpërsëdrejti Rusinë, e cila dëshiron të mbajë kontrollin e këtyre territoreve.

Turqia

Turqia ka një pozicion unik në rajonin e Detit të Zi. Nga njëra anë, është një vend anëtar i NATO dhe posedon ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës; nga ana tjetër, ka zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë politik, ekonomik dhe ushtarak me Rusinë. Ankaraja është aktori më i rënddësishëm në rajonin e Detit të Zi, por ka interesa edhe në Lindje të Mesme, në zonën lindore të Mesdheut, përveçse ushtron një influencë të madhe mbi Kaukaz dhe mbi Azinë Qendrore, domethënë mbi të gjitha rajonet që janë të lidhura menjëherë me Detin e Zi. Situata e Turqisë, me interesat dhe influencat e saj që shkojnë nga Gadishulli Ballkanik deri në Kinë, nuk paraqet vetëm avantazhe, por e vendos këtë vend përpara shumë problemeve të sigurisë.

Prej shekujsh Deti i Zi kontestohet midis Turqisë dhe Rusisë dhe prej pak kohe ka qenë vërtet një «det ruso – turk». Si Turqia, ashtu edhe Rusia e shikojnë këtë basen si një sferë influence të sajën dhe asnjëra prej të dyve nuk është e gatshme të  durojë aty praninë e fuqive të tjera. Gjatë «Luftës së Ftohtë» Turqia është gjetur edhe në herë akoma të jetë kundërshtare e Rusisë (atëhere BRSS). Por edhe aleanca me Shtetet e Bashkuara ka qenë pasoja e logjikës konfrontuese midis Lindjes dhe Perëndimit – kur një vend ishte i detyruar të zgjidhte nga cila anë ishte – më shumë sesa një zgjedhje e «lirë» nga ana e Turqisë. Në këtë kuptim, mund të kujtojmë krizën e Qipros e 1974 dhe revokimin e embargos të vendosur nga Shtetet e Bashkuara për Qipron mbi furnizimin me armatime, që çoi në thuajse prishjen e raporteve diplomatike midis dy vendeve. Në vitet ’90, Ankaraja tentoi të zgjidhë dikotominë e konfliktit Lindje – Perëndim dhe të zhvillojë ambiciet e saj në politikën e jashtme. Fakti që Black Sea Economic Cooperation Organisation (BSEC) e kishte selinë e saj në Stamboll demonstron se çfarë roli luante Turqia, por gjë akoma më e rëndësishme ky shtet shërbente si urë midis Perëndimit dhe vendeve të ish bllokut lindor, për shembull në programin e NATO Partnership for Peace (1994).

Në përgjithësi, mund të thuhet se strategjia turke lidhur me rajonin e Detit të Zi është e shënuar nga dy ngjarje historike tronditëse. E para përbëhet nga lufta midis Rusisë dhe Perandorisë Otomane, e fituar për më tepër nga e para. Nga njëra anë, pasoja ka qenë mosbesimi turk ndaj Rusisë dhe, nga ana tjetër, respekti i saj ndaj këtij vendi, gjë që e shtyn edhe tani Turqisë ta shmangë sa më shumë të jetë e mundur një konfrontim me të. Ngjarja e dytë historike është e ashtuquajtura «sindromë e Sèvres» – nga traktati i firmosur më 20 gusht të 1920, sipas të cilit pjesa e madhe e rajoneve turke ndahej midis fuqive fituese të Luftës së Parë Botërore – domethënë një mosbesim i Turqisë ndaj Perëndimit. Një ide e përhapur gjerësisht në vend është se Perëndimi do të ishte gjithmonë i gatshëm ta dobësonte, për ta shfrytëzuar më pas këtë dobësi. Në perspektivën turke, duhet të pengohet që Deti i Zi të bëhet një «det rus» apo «oborri i shtëpisë së NATO». Edhe për këtë në luftën në zhvillim në Ukrainë, Turqia kërkon të ruajë një ekuilibër të vështirë.

Pozicioni turk lidhur me Detin e Zi varet nga aftësia e vendit për ta ruajtur statuskuonë. Turqia i përmbahet në mënyrë shumë të ngurtë Konventës së Montreux. Kështu edhe tani nuk e lejon hyrjen e asnjë anijeje të NATO në Detin e Zi. Megjithatë duhet thënë se qysh gjatë krizës së raporteve ruso – turke të 2015 – 2016, Erdoğan mundësoi praninë e NATO në zonë. Në atë kohë ai kishte pohuar: «Deti i Zi është bërë thuajse një det rus. Nëse nuk ndërhyjmë tani, historia nuk do të na e falë». Pas përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë, Erdoğan e ka ndryshuar opinionin e tij lidhur me çështjen. Disa analistë mendojnë se dëshira e Turqisë për të ruajtur statuskuonë është një «mohim i realitetit», pas bëhet fjalë për një statuskuon që nuk ekziston më nga 2014. Megjithatë, nëse analizohet nëpërmjet prizmit të teorisë së bilancimit të rreziqeve, pozicioni turk duket patjetër me kuptim. Tani në Ankara janë Shtetet e Bashkuara që shikohen si rreziku më i madh për stabilitetin e rajonit dhe, nëse merret në konsideratë ecuria, përgjithësisht pozitive, e marrëdhënieve ruso – turke, bashkëpunimi me Rusinë mund të çojë në avantazhe më të mëdha respektivisht një bilancimi që parashikon një kundërshtim ndaj Rusisë.

«Soft power» i Kinës në Detin e Zi

Si Shtetet e Bashkuara, Kina nuk është vend që gjendet në Detin e Zi e megjithatë luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Shembulli i politikës kineze është aq i rëndësishëm paso shkëputet rrënjësisht nga poilitika e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Në vend që ndërhyjë ushtarakisht dhe politikisht, në mënyrë direkte ose jo, siç bëjnë të gjitha fuqitë e tjera të mëdha, Kina synon tek ekonomia dhe soft power. Edhe pse një zonë kaq periferike si Deti i Zi për të është më pak e rëndësishme se fqinjët e saj të afërt në Azinë Lindore, megjithatë Kina është e interesuar për këtë rajon, sidomos pasi gjendet në afërsinë e «Rrugës së Vjetër të Mëndafshit», që tani duhet të rilindë si «Rruga e Re e Mëndafshit».

Lidershipi kinez ka zbuluar mundësinë e soft power në vitet ‘2000, duke e nënvizuar sidomos në katër aspekte: atë të kulturës, të politikës, të diplomacisë dhe të shoqërisë. Në rajonin e Detit të Zi, ashtu si në rajone të tjera të botës, Kina synon sidomos në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale me shtete të veçanta dhe jo me organizata mbikombëtare. Kurse përsa i përket Turqisë, edhe ajo i ka dhënë fillim një politike reduktimi të varësisë nga shtetet perëndimore dhe një përmirësim të marrëdhënieve me ato joperëndimore, si Irani, Rusia dhe Kina. Qysh në 2010, Kina dhe Turqia patën diskutuar mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve strategjike midis tyre. Në 2015, Xi Jinping dhe Erdoğan deklaruan se donin të zhvillonin «një bashkëpunim strategjik, të bazuar mbi respektin reciprok». Por raporte midis këtyre vendeve nuk janë aspak të privuar nga problemet. Kujtojmë sidomos çështjen e politikës kineze ndaj ujgurëve, ashtu si edhe faktin që shtetet e rajonit të Detit të Zi nuk sillen midis tyre si rivalë sesa si partnerë dhe marrëdhëniet e mira me njërin prej këtyre shteteve mund të kenë efekte negative në raportet me të tjerët.

Megjithatë për Kinën marrëdhëniet me Rusinë kanë përparësi. Politika kineze në Detin e Zi influencohet nga interesat globale të vendit dhe, si partner strategjik global, Rusia mban për të një rëndësi shumë më të madhe se të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Kurse raportet e Kinës me Ukrainën janë përqëndruar mbi tregëtinë dhe investimet. Në 2011 është nënshkruar Joint Declaration on the Establishment and Development of Strategic Partnership Relations dhe në fund të të njëjtit vit vlera reale e shkëmbimeve tregëtare midis Ukrainës dhe Kinës i ka tejkaluar 10 miliard dollarët, por marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar duke filluar nga 2013 – 2014, për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Qysh përpara 2022, Kina ishte pozicionuar qartë lidhur me këtë. Në 2017, gazeta Huanqiu Shibao (Global Times) shkruante: «Njerëzit që mbështesin Moskën besojnë se veprimet e Rusisë janë një reagim ndaj presioneve strategjike afatgjata të Perëndimit. […] Jemi më shumë të prirur që të jemi dakord me njerëz që e mbështesin Rusinë». Në 2002 ky pozicion nuk ka ndryshuar.

Megjithatë, problemet politike zakonisht nuk e pengojnë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, që janë në qendër të strategjisë kieneze. Ato janë zhvilluar në mënyrë të shpejtë me Turqinë, por edhe me shtetet e Kaukazit, si Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Armenia. Me Gjeorgjinë, Kina ka nënshkruar një traktat të shkëmbimit të lirë tregëtar. Azerbajaxhani është një urë e rëndësishme tregëtare midis Azisë Qendrore dhe Lindjes së Afërme. Armenia ka qenë vendi i parë kaukazian që ka blerë armatime kineze në vend të atyre ruse. Në 2013, investimet kineze në Azerbajxhan kanë tejkaluar 1 miliardëshin e dollarëve. Kina adopton parimin e «mosndërhyrjes» në punët e brendshme të një shteti tjetër, gjë që në këto vende konsiderohet një shenjë respekti. Rumania dhe Bullgaria konsiderohen të rëndësishme nga Kina si «portë» drejt Bashkimit Europian, sidomos për ekonomine tregëtare. Është e vështirë të dallohen flukset kulturore dhe humanitare nga ato ekonomike.

Për shembull, vetëm pak shtete kanë mundësinë financiare të hapin qendra kulturore në çdo pjesë të botës. Instituti Konfuci ka pasur dhe vazhdon të ketë një sukses të madh jo vetëm në Rusi, por edhe në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani. Është shumë aktiv edhe në Kaukaz. Veç kësaj, janë vendosur programe shkëmbimi me universitetet lokale. Për Kinën, ana lindore e Detit të Zi si korridor ekonomik për Europën dhe Lindjen e Afërme është një faktor stabiliteti për politikën e saj në rajon, pavarësisht sesi do të zgjidhet konflikti në anën veriore të basenit. Si përfundim, mund të pohojmë se pas shekujsh izolimi relativ – kur Deti i Zi ishte akoma «deti turk» apo, në vijim, «deti ruso – turk» –, rajoni po fiton një rëndësi gjithnjë e më të madhe jo vetëm për aktorët lokalë, por edhe për ata globalë. Është një «kufi» i vërtetë midis qytetërimeve dhe kulturave, por përkrah mundësive që një kusht i tillë mund të ofrojë – si mundësia e një shkëmbimi ekonomik dhe kulturor – rajoni mund të përbëjë një rrezik, nëse vende, popuj dhe kultura të ndryshme do të ndërmerrnin rrugën e përplasjes në vend të asaj të pasurimit reciprok.

(Giovanni Sale për La Civilta Cattolica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Një vit nga ikja e “Sokratit Shqiptar”!

Nga Bujar LESKAJ Sot, datë 5 dhjetor 2024 bëhet 1 vit nga ndarja nga jeta …

Leave a Reply