Rama u rrit pagën artistëve të Operës, por jo aktorëve të Teatrit Kombëtar, reagimi: Presim deri në 31 gusht

Një vendim qeverie i para një jave është bërë shkak për një përplasje brenda komunitetit të artistëve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka të bëjë me rritjen e pagave të artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërkohë që nuk kanë përfituar aktorët e Teatrit Kombëtar. Këta të fundit jo vetëm nuk e kanë pritur mirë diferencimin që u është bërë, por i kanë bërë një paralajmërim Kryeministrit Edi Rama.

Përmes një letre, figura të njohura të artit i bëjnë të qartë Edi Ramës se nëse nuk do të ketë rritje page deri me 31 gusht, ata do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe artistik. Aktorët e Teatrit Kombëtar i kërkojnë Kryeministrit Rama dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti, rritjen e pagave, njësoj siç u veprua me Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në një letër të 18 korrikut dhe të firmosur edhe nga aktorët më në zë, si: Ndriçim Xhepa, Arben Derhemi, Elia Zaharia, Naun Shundi e Laert Vasili, vihet theksi te fakti që kjo trupë ka mbushur sallat e Teatrit para pandemisë dhe po i mbush sërish edhe tani pas pandemisë.

“Në mënyrën se si funksionon dhe si është ndërtuar sistemi i pagave, këto institucione janë vlerësuar gjithmonë brenda një kuadri ligjor. Në këtë rast, me ndërhyrjen e Këshillit të Ministrave, kjo gjë ndryshoi dhe TKOBAP kategorizohet në një sistem të ri pagash, kurse TK jo!

E papranueshme! Ende nuk është dhënë një shpjegim publik për këtë”, thuhet në letrën drejtuar Ramës dhe Margaritit.

Aktorët në fund theksojnë se do ta presin reagimin e qeverisë deri në 31 gusht, më pas do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre. Janë këta artistë, njerëz të artit, të cilët të mbështetur nga shoqëria civile dhe qytetarët, katër vite më parë zhvilluan protesta kundër vendimit të qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar, të cilin e konsideruan si pjesë të rëndësishme të edukimit kulturor të një populli.

Por për shkak të protestave të tyre, ata duket se janë ndëshkuar nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka diferencuar nga kolegët e TKOBAP, ku ndryshe nga ata, nuk kanë përfituar nga rritja e pagave. Kjo pavarësisht se aktorët e Teatrit Kombëtar kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e keqpagimit të tyre.

Ndryshimet

Qeveria miratoi disa ndryshime në vendimin për caktimin e strukturës dhe nivelet e pagave të nëpunësve civilë të administratës publike. Vendimi prek në mënyrë të drejtpërdrejtë punonjësit e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, të cilëve u përcaktohet qartë kategoria e pagës që përfitojnë për secilin pozicion. Gjithashtu, vendimi përcakton edhe një herë formulën e përfitimit të shtesës për vjetërsinë në punë.

Vendimi i botuar tashmë në Fletoren Zyrtare shpjegon nivelet e pagave të punonjësve të trupës artistike në Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Teatrin Kombëtar të Komedisë dhe Cirkun Kombëtar. Vjetërsia në punë për punonjësit, që paguhen në Teatrin Kombëtar, jepet në masën 2% pas çdo viti pune deri në 25 vjet dhe llogaritet mbi vlerën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë.

Në vendimin nr. 187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Në pikën 1/3 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm: Në shkronjën “a” shtohet emërtesa “Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor”; Në shkronjën “b”, emërtesa “Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor” shfuqizohet. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2022, përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, për politikat e reja të pagave. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2022./Panorama/

About Redaksia

Check Also

BIRN: 106 miliardë lekë të inceneratorit të Tiranës kanë shkuar në drejtim të paditur

Kompania koncesionare Integrated Energy BV SPV, e cila është aktualisht nën administrim shtetëror, ka dështuar …

Leave a Reply