Shkrimtari spanjoll kthehet me një roman italian (titulli, pikërisht: «Italiani») që është një roman lufte dhe, për herë të parë në mënyrë kaq definitive, pasioni. «U jap vlerë kurajës së një grushti pushtuesish që midis 1942 dhe 1943 sulmuan aleatët në Gjibraltar. Qenë fashistë? Qenë njerëz dhe unë rrëfej kurajën e burrave dhe grave».
«Midis 1942 dhe 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, polumbarë luftarakë italianë mbytën apo dëmtuan 14 anije aleate në Gjibraltar dhe në gjirin e Algjezirës». Fillon kështu romani i ri i Arturo Pérez-Reverte, Italiani, që bën të rishfaqen misionet e rrezikshme në ujëra armike të skuadriljes së Arushës së Madhe. Një tribut pasvdekjes për kurajën e një grushti burrash dhe të një gruaje. Ndoshta historia e dashurisë më intensive të treguar nga shkrimtari spanjoll.
Dashuria në kohë lufte është më romantike se dashuria në kohë paqeje?
«Romanticizmi i luftës nuk ekziston. Dashuria në se vallë është më e dëshpëruar, më urgjente. Transformohet në një ndjenjë shumë më akute. Është ndjesia se gjithçka mund të përfundojë papritmas, por është edhe stimuli për të përballuar momentet më të këqija».
Është e vërtetë se ideja lindi nga një film?
«Po. Isha fëmijë dhe shkova me tim atë në kinema për të parë Dy armiqtë me Guy Hamilton, me Alberto Sordi dhe me David Niven, ku ushtarët italianë qenë personazhe frikacakë, patetikë. Ima atë, që ishte i apasionuar pas historisë, më tha: “Mos u beso mashtrimeve të anglezëve, qenë italianë shumë kurajozë”. Më rrëfeu për polumbarët e Arushës së Madhe që patën sulmuar anijet angleze në Gjibraltar, Aleksandri dhe Maltë. Gjithçka ka mbetur në mendjen time, për shumë vite. Çdo herë që gjeja në libër me kujtime lidhur me ato ngjarje, e vendosja menjanë, derikur një ditë “kam parë” romanin. Gjendesha në Gjibraltar dhe kam menduar: “Duhet të kishe qenë vërtet kurajoz për ta kaluar këtë det natën, duke ditur se ndesheshe me vdekjen apo me robërinë”. Qenë italianët».
Edhe pse qëndronin nga ana e gabuar e historisë, me Mussolini…
«Etapa për të cilën shkruaj është kur Italia është ende armike e aleatëve. Nuk kishte arritur ende në atë moment të ndyrë ku fashizmi u vu në shërbim të nazistëve dhe në Itali shpërtheu një luftë vëllavrasëse, nganjëherë mizore dhe absolutisht djallëzore. Ajo nuk qe lufta e sulmuesve, njësisë speciale të Marinës Mbretërore. Për më tepër, shumë ushtarakë që luftuan për Italinë në fazën e parë, pas armëpushimit u rreshtuan përkrah aleatëve. Është e padrejtë që fushata e fundit e errët e fashizmit bëri pis nderin e kujt ka luftuar me dinjitet dhe me kurajë».
Në roman, në të kundërt, anglezët nuk dalin shumë mirë: «Ushtarë të dehur si kafshë… që përfitonin nga uria e lënë nga lufta civile».
«Nuk kam shpikur asgjë. Dëshmi spanjolle të epokës rrëfejnë për rituale të anglezëve, që e kalonin kufirin në kërkim të putanave dhe alkoolit».
Gjibraltari anglez është ende një problem për ju spanjollët?
«Jo për muaj, edhe pse në Spanjë zyrtarisht ruan rivendikimin e vjetër territorial, tashmë është e qartë se Anglia nuk do ta cedojë kurrë Gjibraltarin».
Shkruani se fiksioni mundëson të penetrohet më thellë në histori sesa përshkrimi i pastër i fakteve. Është kështu?
«Historianët janë të detyruar nga shtrëngesa e realitetit, se jo gjithmonë është e nevojshme apo e dobishme për një tregim të mirë. Narrativa e lirë më mundëson të shkoj deriku në gazetar apo një historian nuk mund të shtyhen dhe fiksioni në fund u sjell klientë të rinj historianëve, pasi lexuesi dëshiron të dijë më shumë dhe kërkon në librat e historisë komplementin e asaj që ka mësuar nga romani. Më ka ndodhur edhe mua fëmijë. E kam zbuluar historinë e Francës pasi kam lexuar Tre musketierët».
Disa shprehje të romanit të bëjnë të mendosh për çka po ndodh në Ukrainë. Për shembull, togeri që thotë: «E njohim situatën e ushtrisë tonë dhe të mos krijojmë iluzione». Bashkëluftëtari i përgjigjet: «Pastaj është edhe nderi».
«Është ajo që ka ndodhur nga Troja në ditët tona. Në të gjitha luftërat ku kam qenë dëshmitar — dhe kam parë shumë — ka njerëz për të cilët gjëja më e rëndësishme nuk është fitorja sesa bërja e detyrës së tyre. nuk po flas për patriotizmin, për atdhe apo për flamur. Fjalë shpesh të manipuluara shpesh nga tregëtarët e politikës, nga diktatorët dhe nga maskarenjtë. Flas për dinjitetin personal. Nuk kam parë askënd të luftojë për Nikaraguan apo për Eritrenë. Më shumë e bënin për familjen dhe për nderin e vet, ose për urinë. Për këtë arësye nuk më intereson politika, por njerëzit; italianë, fashistë ose jo, që pëmbushnin një detyrim. Njerëz që nuk kanë pasur drejtësinë historike që meritonin. Kalimin e natës, të ftohtin, vetminë, rrezikun në ujërat armike.. Nuk është një mirënjohje për fashizmin e Mussolini apo të atdheut, por për vlerën e të rinjve kurajozë».
Si ish gazetar i vijës së parë, sipas jush po ndodh diçka e ngjashme në luftën ruso – ukrainase?
«Natyrisht, në të dyja frontet. Janë rusët që luftojnë pasi besojnë se është detyra e tyre ta bëjnë, është zanati i tyre apo i kanë mobilizuar. E njëjta gjë ndodh në Ukrainë. Kur njeriu është ëarg nga lufta, është e lehtë të provojë simpati apo antipati. Unë jam kundër Mussolini dhe Hitlerit dhe në favor të Churchill dhe de Gaulle. Jam me partizanët. Por kur një njeri i afrohet një qenieje njerëzore, djaloshit 18 vjeçar që vuan nga i ftohti, nga frika dhe nga uria në një llogore, idetë politike zbehen. Nuk më interesojnë historitë e mëdha, por historitë e vogla të qenieje njerëzore».
Tek «Italiani» njerëzit jetojnë me kameratizëm dhe pastaj është edhe një grua, që lufton e vetme. Kështu shikohen gjinitë?
«Gruaja, prej karakteristikave sociale, historike dhe biologjike, ka një vetëdije të vetmisë së saj intelektuale dhe fizike që i mungon burrit. Kjo e bën shumë interesante si heroinë letrare. Kur gruaja vepron, lufton, hakmerret, urren e bën në mënyrë më magjepsëse, narrativisht, se çdo personazh mashkullor. Polumbari italian, Teseo Lombardo, nuk thotë asgjë inteligjente, në të gjithë romanin, nuk është brilant. Është një ekzemplar i bukur i mashkullit italian. Është ai që ka lexuar klasikët dhe me shikimin e tij e transformon në hero. Është ai që e krahason me Hektorin, Uliksin, Akilin. Si në jetën reale: çmimi më i mirë për një njeri është një grua e kthjellët që e shikon me admirim. Ndëshkimi më i keq, një grua inteligjente që e shikon me përçmim».
Teseo duket sikur del nga një roman rozë i Liala, bukurosh, muskuloz, i djersitur…
«Nuk e njoh Liala… I fejuari i vajzës time, si ajo nënujor, është një tip kështu, i nxirë, flokë të shkurtëra, shpatullgjerë, epshor. Si polumbarët e Arushës së Madhe që e kam parë në fotografitë e epokës. Raul Bova është një ngordhalaq krahasuar me të».
Mbetet romani juaj më romantik.
«Po, është historia e vetme e dashurisë që realisht mund të quhet kështu. Është hera e parë që protagonistët e mi duhen në mënyrë absolute përgjatë gjithë romanit. Ndoshta, në moshën 70 vjeçare, po plakem dhe po zbutem».
Në roman citoni Alberto Sordi, Ugo Tognazzi, Dino Risi… Ju pëlqen Italia?
«Është atdheu im i dytë. Italiani është i aftë të bëjë gjëra që të tjerët nuk arrijnë as t’i imagjinojnë».
(nga La Lettura)
Përgatiti
ARMIN TIRANA