Gazetarja Beti Njuma gjatë prezantimit të takimit që organizoi Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë me temë “Trashëgimia në rrezik”, u shpreh se, Tirana ka humbur betejën me trashëgiminë. Ajo tha se, Tirana është një qytet që sot lëngon, është pa kujtesë, pa identitet
“Tirana është qyteti im, ku unë kam lindur, ku jam rritur, është qyteti i gjyshërve dhe të parëve të mi, tiranas të vjetër, autoktonë. Qyteti ku kam zgjedhur të rris fëmijët e mi. Mbi të gjitha është një qytet që sot lëngon, është pa kujtesë, pa identitet, ka humbur shumëçka nga kujtesa historike. Kemi qenë dëshmitarë të asaj batërdie që i është bërë.
Nuk jam kundër ndërtimeve, por gjithçka duhet bërë në një raport të drejtë me identitetin, kujtesën historike, me atë që përbën zemrën e një qyteti. Tirana ka humbur betejën me trashëgiminë. Të huajve dhe fëmijëve tanë kemi pak për t’u treguar. Organizatorët më thanë që për 1 javë u munduan të gjenin një shesh, një hapësirë me pak identitet të trashëgimisë historike. E kishim të vështirë të gjenim një hapësirë të tillë, gjë që tregon se çfarë i kanë bërë Tiranës njerëz që kanë patur pushtetin dhe kanë vulën e tyre mbi qytetin tonë të dashur”, u shpreh Njuma.