900 mijë euro pasuri si Drejtor i Tatimeve

Deklarata e pasurisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi, ka ngritur dyshime të forta mbi veprimtarinë e tij në administratën shtetërore.

Sipas të dhënave të karrierës profesionale të paraqitura në faqen zyrtare në internet të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ceno Klosi nga përfundimi i shkollës në 2002 ka punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE.

Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/10/2021 është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Ajo që bie në sy duke kryqëzuar CV-në dhe deklaratën e pasurisë së drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve është rritja eksponenciale e pasurisë së Ceno Klosit pas marrjes së detyrave shtetërore.

Në 13 vite drejtues në banka të nivelit të dytë, Ceno Klosi ka arritur të blejë në 2010 me një kredi prej 45 mijë eurosh një apartament në Tiranë me vlerë prej 6.8 milionë lekë me sipërfaqe 93.2 m2.

Në tetor 2016 një vit pasi ishte punësuar në OSHEE si drejtor ekonomik Ceno Klosi deklaron se ka blerë me një kredi 200 mijë euro një apartament tjetër prej 160 m2 në Tiranë. Dy vite e katër muaj pas blerjes së apartamentit të dytë, në janar 2019 Ceno Klosi hap një biznes në Angli, me adresë një vilë luksoze dhe jep 140 mijë paund me fajde.

Xhepat e Klosit vazhdojnë fryrjen gjatë detyrave shtetërore pasi në qershor 2021, muaj kur është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës- Kanalizimeve, Ceno Klosi blen një apartament me vlerë 280 mijë euro, nga të cilat 60 mijë euro vijnë nga kursimet dhe rreth 150 mijë euro janë marrë kredi.

Nga përshkrimi kuptohet se apartamenti është në një zonë luksi pasi ka një sipërfaqe prej 154 m2 dhe plotë 91 m2 janë verandë. Gjatë kësaj kohe Klosi deklaron se disponon mbi 48 mijë paund depozitë nga kursime familjare dhe depozita të tjera me vlerë gati 30 mijë euro. Ndërkohë bashkëshortja e tij deklaron se ka një depozitë bankare me rreth 100 mijë euro.

Për t’u theksuar është se Ceno Klosi nuk disponon të ardhura nga biznesi privat në Shqipëri dhe nuk ka ndonjë aktivitet privat. Iu mbetet autoriteteve për të hetuar në thellësi pasurinë e Ceno Klosit i cili gjatë 13 viteve punë në sektorin privat arriti të blejë vetëm një apartament 6.8 milionë lekësh, ndërsa gjatë 6 viteve në detyra shtetërore vuri një pasuri prej gati 900 mijë euro.

About Redaksia2

Check Also

Drama e shkollës, vetëm 22 studentë të rregjistruar tek Gjeografia, 7 tek Fizika, 0 tek…

Arkeologjia dhe trashëgimia kulturore, është një ndër programet me më pak interes në Universitetin e …

Leave a Reply