Zbardhen rrëfimet që dëshmitarët kanë dhënë për ngjarjen e së martës në plazhin e Potamit në Himarë ku humbi jetën tragjikisht një vajzë 7-vjeçare nga goditja e skafit që drejtohej nga komisari i policisë Arian Tase. Përpara prokurorëve ka qenë babai i të miturës që ka rrëfyer si ndodhi ngjarja.
“Rreth orës 14.00 kam qenë duke u larë bashkë me vajzën në afërsi të bregut. Kam parë një skaf me ngjyrë të bardhë, me dy persona në bord, që ka ardhur në bregun e plazhit. Në të ka hipur një grua dhe dy fëmijë. Shoferi i mjetit lundrues, pasi ka kaluar litarin me piketa, ka ardhur në drejtim tonë dhe është futur me një shpejtësi skëterrë duke më ndarë mua dhe vajzën për të marrë kthesën, duke goditur me motorët vajzën dhe duke i shkaktuar prerje në gjithë trupin. Kam bërtitur dhe kam parë që drejtuesi është nisur të largohej, por është kthyer, ka ndaluar skafin dhe ka ardhur në breg”, ka thënë babai i vajzës.
Edhe një familjar i 7-vjeçares flet për veprimet e Tases në drejtimin e skafit të fuqishëm.
“Mjeti lundrues e goditi të miturën me helikat e motorëve. Bledari dhe njerëzit që ishin në breg të detit filluan të bërtasin: “Ndalo se e vrave”. Mjeti lundrues ka vijuar të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Në këtë moment kam hyrë në det dhe e kam nxjerrë të miturën pa shenja jete”, është shprehur i afërmi.
Ndërsa një dëshmitare thotë bashkëshorti i kishte kërkuar të njoftonte policinë duke parë mënyrën si po lëvizte skafi mes pushuesve, por në ato momente situata ka dalë nga kontrolli.
Prokuroria thotë se ngjarja ka ndodhur në një zonë që është kategorikisht e ndaluar për kalimin e mjeteve lundruese dhe se mjeti ka qenë me shpejtësi të lartë.