Prestigjiozja angleze “The Guardian”: Mafia po pastron 1.6 miliardë euro me ndërtimet në Tiranë

Një metaforë banale. Kështu e quan kullën-Skënderbe në Tiranë, OIiver Wainwright që shkruan në gazetën “The Guardian”. Pak rëndësi ka ky vlerësim, patjetër që tutori i kullave të Tiranës, Edi Rama, do dalë e do thotë se ai është një xhevahir, se përkundruall monumentit tanimë të vjetëruar është një kokë e madhe e Skënderbeut, brenda të cilit banojnë shqiptarët që mund të ndërzehen për brezin e ardhshëm nën frymëmarrjen simbolike të heroit kombëtar. Punë opinionesh, sepse edhe zhvillimi erdhi në pikën që imponohet me teka dhe vegime personale, pa llogaritur paratë.

Dhe në fakt te këto të fundit ia vlen të shihet shkrimi. Studio që e ndërton, hollandezja, MVRDV akuzohet se ka ndërtuar një shëmti në Londër, Marble Arch Mound, ka kaluar në Ballkan, ku sipas autorit ka rezervuar metaforat e veta. Jo për të dhuruar ndonjë gjë kushedi çfarë, por më saktë për të fituar duke hedhur pasqyrat e radhës për indigjenët.

Ata duket se i kanë ruajtur metaforat më banale për Ballkanin duke supozuar ndoshta se më pak nga klientët e tyre apo kritikët do të shohin nga afër ndërtesat në fjalë.

Që vë në dukje se me të njëjtin mesazh studio ka ndërtuar edhe Downtown One, kulla me hartën e Shqipërisë si reliev, që shihet si një ndërtesë që po pëson erozion të parakohshëm. Hollandezët pas firmës kanë sens ironie kur një prej tyre, Winy Maas thotë se:

Këto kohë qytetet në botë po ngjajnë me njëri-tjetrin. Përherë i inkurajoj t’i rezistojnë kësaj, të gjejnë karakterin individual dhe ta theksojnë atë. Tirana ka mundësinë e një kanavaci të bardhë për struktura me densitet të lartë. Mund të jetë progresive në këtë sens…

duke na dhënë të kuptojmë sesi “një filozofi” bashkohet me një babëzi për të prodhuar këtë që jetojmë. Në një leksion të vitit 2018, Maas, ka mbrojtur simbolikën nacionaliste me lehtësinë e matrapazit.

Kisha një bisedë më disa politikanë europianë për këtë. Është nacionalizmi i keq apo i mirë? Por Shqipëria ka nevojë për të, të tregojë se është seksi dhe se është e lezetshme citohet ai.

Kështu sesi duket qyteti ku jetojmë ne dhe çfarë simbolesh duhet të prezantojë e di dikush në Hollandë që ka gjetur dorën e gatshme në Tiranë e padyshim edhe trurin si kanavacë të bardhë për të luajtur me trillet e veta. Dhe për të bërë para, ndoshta shumë. Pa pyetur se nga vijnë paratë që paguajnë për këto arena cirku si zonë urbane. 510 dollarë për m2 kostoja në shtijen me 3000-4000 dollarë/m2.

Ndonëse MVRDV pretendon se kryen kontrolle për klientët e vet në përputhje me ligjet hollandeze. Është e njëjta studio që projektoi qendrën tregtare “Toptani” në vitin 2005 e ndërtuar më pas nga të tjerë.

Studio ka patur disa projekte të parealizuara mes të cilave një bllok apartamentesh anës liqenit që në vitin 2008, mesa duket ndërtuar tashmë nga Bashkim Ulaj. Një resort alla James Bond në bregdet për një rus të pasur në një kodër artificiale. Ndërkohë që siç thotë gazeta, studio fitoi të drejtën e shndërrimit të Piramidës në një qendër të teknologjisë së informacionit pa garë. Po kulla – Skëndërbe si na doli në dritë? Maas shpjegon se pas gjithë këtyre punëve:

Pastaj Edi tha: ‘Dua të bëj diçka me histori’. Dhe kështu lindi gjigandi

Kjo është historia e kullave dhe Tiranës që po merr formën kaotike të sistemit nervor të një njeriu të vetëm me “vizionin e kullave bosh”, ndërkohë që duhet vënë në dukje se krime të tilla urbanisitike me kosto afatgjata, zbulojnë krimin e qarkullimit të parave të pista. Është lajm i mirë që gazeta vë në dukje një faull të tillë në një qytet që Europës nuk i thotë asgjë veç krimit, sepse Stuart Pearce në Londër dhe ky ambasadori britanik në Tiranë, kanë rastin të gjejnë materiale për të pasuruar listën e non gratave dhe t’i japin fund pandëshkueshmërisë, tani që me shqiptarët kanë gjetur terezinë të merren të gjithë në Angli, por duke u përqendruar te kalimet e La Manshit. Në fakt kur thonë Mafia Shqiptare, është e udhës që atë ta kërkojnë në Tiranë, jo në Londër apo Milano. Sepse ne shohim sesi miliona euro çlirohen sepse “befas Edi Thotë”.

About Redaksia

Check Also

Vokshi: Molotovi më e pakta ndaj atyre që grisën dhe shkelën Kushtetutën

Deputetja demokrate Albana Vokshi thotë se protesta shprehu revoltën e qytetarëve, ndërsa theksoi se nga molotovët …

Leave a Reply