Domosdoshmëria e shpalljes së zgjedhjeve vendore

Nga Ylli ASLLANI

Kur kanë ngelur edhe dy javë nga dita e fundit e përcaktimit të datës së zgjedhjeve vendore, mos shpallja ende e dekretit të Presidentit po bëhet dita ditës edhe më e pritshme për opinionin publik.

Ndërkohë në bazë të Kodit Zgjedhor zgjedhjet e reja nuk janë larg. Data 16 Prill 2023 është data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Data 14 Maj 2023 është data e fundit.

Në kushte normale dekreti për përcaktimin e datës së votimit është një akt i thjeshtë procedural në tagrin e detyrave që Kushtetuta përcakton për Kreun e Shtetit. Është si të thuash një datë e nevojshme për të çelur siparin e një procesi paraprak, aq të domosdoshëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve pluraliste.

Në kushtet shqiptare të një beteje absurde politike të sundimit një partiak kjo datë merr një rëndësi të posaçme.

Mos harrojmë se në zgjedhjet vendore të vitit 2019 dekretimi i ditës së zgjedhjes u bë ‘casus belli’ në betejën e qeverisë për uzurpimin e njësive vendore. Vetë zgjedhjet u cilësuan ndërkombëtarisht të rrëzuara apo votime pa zgjedhje.

Pasojat e këtij pushteti njëpartiak janë të qarta dhe të dhembshme për çdo qytetar! Rrëzimi i demokracisë së brishtë vendore dhe manipulimi hartës zgjedhore po prodhon çdo ditë njësi vendore të falimentuara!

Ndaj hedhja e hapit të parë për caktimin e ditës së votimeve nga ana e Presidentit merr rëndësi të posaçme për vijimin e procesit.

Krahas iniciativës Presidenciale duhet një angazhim serioz i të gjithë faktorëve politikë, por dhe një periudhë e mjaftueshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në kuadrin kushtetues shpallja e ditës së zgjedhjeve vendore kryhet jo më vonë se 9 muaj nga dita e shpalljes prej KQZ të rezultateve në rang vendi të zgjedhjeve të shkuara.

Nëse do pranonim si referencë zgjedhjet e 30 Qershorit dhe 27 Korrikun e vitit 2019 si ditën e shpalljes së rezultatit të tyre, atëherë do të ishte 27 Tetori i vitit 2022 dita e fundit e shpalljes së tyre.

Por vitin e kaluar Kodi Zgjedhor ka ndryshuar në mënyrë konsensuale nga partitë politike.

Tashmë dita e zgjedhjeve nuk është më 30 Qershori, por një datë brenda fashës zgjedhore 15 Prill-15 Maj të vitit 2023, duke afruar kështu datën zgjedhore me të paktën 45 ditë dhe së shumti me 65 ditë.

Me një fjalë 27 Tetori si data e fundit e shpalljes së dekretit bie. Dhe një llogaritje e thjeshtë tregon se data e fundit e shpalljes së zgjedhjeve vendore të vitit 2023 do të jetë e shumta 12 Shtatori i këtij viti.

12 Shtatori si datë ruan periudhën Kushtetuese 9 mujore parazgjedhore dhe i jep shans të fundit partive politike, KQZ dhe Komisionit të reformës zgjedhore të plotësojë gjithë mangësitë e vërejtura nga zgjedhjet e kaluara.

Ky fakt do të duhej të ishte analizuar me kohë dhe zgjedhjet do të kishin mundësi të shpalleshin të paktën një muaj më parë!

Në të gjitha aspektet kjo do të ishte një ndihmesë e rëndësishme për të gjithë aktorët dhe procesin paraprak zgjedhor. Por me sa duket ngurrimi i panevojshëm ndonjëherë trajtohet si “pjekuri”!

Mos harrojmë se mbi tryezën e politikës shqiptare rëndon jo vetëm hija e zgjedhjeve të uzurpuara njëpartiake, por ka më shumë se 20 rekomandime të paplotësuara të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2019. Ndërkohë ka patur të tjera rekomandime në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, dhe aq më tepër edhe eliminime absurde të forcave politike nga gara elektorale.

Por përcaktimi i ditë së zgjedhjeve është dhe një sinjal edhe për drejtësinë. Një mesazh për ti kujtuar se është momenti për të përmbyllur detyrimet kushtetuese dhe për ti dhënë fund ndërlikimit të saj në çështje që mbajnë peng procesin e ndershëm e të pa anshëm elektoral!

Ndofta nisur nga kjo apati për dekretimin e datës së zgjedhjeve, këto ditë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi po hedh i pari hapin për ti kujtuar partive parlamentare që të fillojnë sa më parë punën për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Rekomandimet përbejnë një paketë të plotë dhe të ngarkuar problemesh e angazhimesh si:

Listat e zgjedhësve, përbërja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, patronazhistët, procedurat e nxjerrjes së rezultatit, pjesëmarrja e emigrantëve, financimi, ankimimet dhe sanksionet administrative, fushata në media përfshi edhe atë në rrjetet sociale, përdorimi i fondeve publike në fushatë, dixhitalizimi etj.

Këto janë disa nga çështjet që KQZ vlerëson se duhet të marrin vëmendjen për reformim prej komisionit të posaçëm parlamentar. Aq më tepër që harta e njësive vendore e reformës territoriale konsiderohet e politizuar dhe favorizuese për partinë në qeverisje.

Në këtë kuptim përcaktimi ditës së votimit merr vlerë më shumë se çdo herë tjetër. Me këtë ditë është i lidhur një proces kompleks elektoral.

Pikërisht për gjithçka më sipër do të duhet si fillim shpallja sa më shpejt e një dekreti Presidencial për caktimin e datës zgjedhjeve!

Ajo është dita e marrjes së përgjegjësisë dhe e provës së madhe për të gjithë shqiptarët.

About Redaksia

Check Also

‘Non grata’, Berisha tregon zyrtarët amerikanë që u angazhuan për dosjen në SHBA

“Pres që vendimi i “non grata” të ndryshojë pas fitores së Donald Trump”, u shpreh …

Leave a Reply