OPERACIONI BUTRINTI – Si e kompromentoi Michael Granoff qeverinë amerikane dhe dinastinë Rothschild

Nga Habjon Hasani

Ekspedita që nisi si një dëshirë ambicioze e diktatorit italian Benito Mussolini për gërmimin e Butrintit në vitin 1924, pas një shekulli mund të degradojë në një hetim nga senati amerikan mbi një aferë të dyshimtë që përfshin qeveritarë të lartë shqiptarë, përfaqësues të fondeve amerikane, favore të kamufluara lobimi ndërkombëtar apo deri dhe njollosjen e emrit të dinastisë financiare Rothschild.

E  gjithë kjo histori ka në epiqendrën e saj një biznesmen të shkathët amerikan, ai quhet Michael Granoff.  Në New York ai drejton një fond investimesh private, ndërsa në Tiranë ai është në krye të një entiteti të quajtur “Albanian American Development Foundation” (AADF).
Entiteti në Shqipëri funksionon si një strukturë ekonomike që gëzon mbështetje zyrtare nga shteti amerikan dhe sidomos USAID. Statusi juridik i këtij entiteti është ende i paqartë, nuk kuptohet ekzaktësisht se deri ku AADF-ja është një institucion shtetëror amerikan dhe në ç’masë është një biznes privat i zotit Granoff.

Së fundmi, në vitin 2022, AADF-ja e drejtuar nga zoti Granoff pas tratativave 4-vjeçare arriti që të lidhë një marrëveshje me qeverinë shqiptare për marrjen në zotërim të Parkut Kombëtar të Butrintit, një pasuri me vlera kolosale arkeologjike, e mbrojtur rreptësisht nga UNESCO, ndërsa prej fillimit të viteve 90-të ky park u shndërrua në dobësinë e një prej njerëzve më të fuqishëm të planetit, Lordit Jacob Rothschild.

Ky i fundit, në vitin 1997 kur Shqipëria u përfshi nga trazirat dhe lufta civile, investoi privatisht një strukturë për mbrojtjen e këtij parku dhe ja doli me sukses. Ndoshta askush më tepër se ai nuk ka ditur të kujdeset për Butrintin në këto 10 dekada të ekzistencës së Parkut.

Por marrja në zotërim e Parkut të Butrintit nga AADF-ja dhe dalja në skenë e biznesmenit Granoff, e parë në kontekstin e një pakete voluminoze dokumentesh publike, orienton drejt një lidhje të drejtpërdrejtë të zotit Granoff me dinastinë Rothschild.

Më datën 21 Prill 2010 në Wales të Anglisë, u themelua entiteti tregtar “The Butrint Foundation Limited”. Themelues i saj ishte Lordi Jacob Rothschild dhe disa personalitete apo bashkëpunëtorë të tij.

Me kalimin e viteve bordi drejtues i këtij entiteti u ndryshua disa herë, deri kur dy vitet e fundit në bordin drejtues shfaqen qartësisht emrat e pasardhësve të Lordit Rothschild, familja e tij biologjike. (Lexo këtu historikun e plotë të kompanisë).

Por në anën tjetër të oqeanit, mijëra kilometra më tej, në New York, dalin gjurmët e entitetit të Rothschildëve, kësaj here të lidhura me biznesmenin amerikan Michael Granoff.

Zoti Granoff rezulton se në vitin 1994 ka themeluar në New York fondin e investimeve të quajtur “Pomona Private Equity Fund”.

Dhjetë vite më vonë, në 2014-ën zoti Granoff ndërsa dorëzonte deklaratën standarde pranë Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve në SHBA (lexoje këtu deklaratën e plotë), ka deklaruar dhe një detaj interesant. Ai ka deklaruar se ndër të tjera është kreu i AADF-së në Shqipëri dhe…”person i besuar i Fondacionit Rothschild”.

Person i besuar do të thotë se ndërmjet Fondacionit të Rothschildëve dhe zotit Granoff ekziston diku një kontratë noteriale nëpërmjet së cilës Fondacionit Rothschild i kalon menjëherë e drejta për të marrë në zotërim entitetin nëse zoti Granoff e ka të pamundur të punojë, nëse arrestohet, ose në çdo rrethanë tjetër që e bën të pamundur angazhimin e tij.

Pra zoti Granoff në terminologjinë juridike shqiptare është ai që ne e quajmë “përfaqësues i autorizuar”.

Nga ana tjetër fondi personal i investimeve të zotit Granoff në New York lidhet në një detaj kuptimplotë me AADF-në në Tiranë.

AADF-ja operon në Tiranë me aureolën e një entiteti të shtetit amerikan, por krahasimi i të dhënave zbulon se AADF-ja ka deklaruar si adresë të selisë qendrore në New York  një adresë identike me fondin privat të investimeve “Pomona Private Equity Fund”, i cili është dhe biznesi privat i zotit Granoff.

Adresa e përbashkët e deklaruar zyrtarisht është:

780 THIRD AVENUE, 46TH FLOOR, NEW YORK NY 10017

Nga shqyrtimi i këtyre të dhënave publike, evidentohen menjëherë dy aspekte:

  1. Implikimi i dinastisë Rothschild me kontrollin e Butrintit nëpërmjet të besuarit të tyre Michael Granoff.
  2. Konflikti i interesit të zotit Granoff i cili ka regjistruar në zyrën e tij private në New York AADF-në, e cila presupozohet si instrument i USAID-it dhe shtetit amerikan.

Ndërsa konflikti i interesit të zotit Granoff dhe personalizimi i AADF-së është një e dhënë arbitrare, roli i familjes Rothschild lyp sqarimin e kontekstit në të cilën janë zhvilluar këto ngjarje.

Hashtag.al ka mundur të interesohet pranë personazheve me informacion të dorës së parë në këtë histori; dhe situata shfaqet tepër interesante.

Një kartvizitë për “borgjezin e ri”

Dy janë personat e lidhur me AADF-në dhe Lordin Rothschild të cilët në Tiranë kanë vepruar energjikisht me qëllim lidhjen e marrëveshjes për të kaluar Parkun e Butrintit nën kontrollin e AADF-së.  Le të bëjmë nga një profil të shkurtër për secilin.

I pari është Richard Hodges, ai është një arkeolog që ka bashkëpunuar prej tre dekadash me Lordin Rothschild për zhvillimin e Butrintit. Është mik personal i Lordit Rothschild, në kontakt të drejtpërdrejtë me të. Arkeologu Hodges tashmë i ka kaluar të 70-at, e ka të vështirë të qëndrojë në botën aktive akademike në universitetet e Evropës. Kontrolli i Butrintit për të është një “pension i artë” që i leverdis për kushtet jetike në të cilat ndodhet.

I dyti është Michael Granoff dora vetë. Një biznesmen ambicioz, me lidhje të fuqishme në administratën amerikane, botën e financës së lartë, diplomacisë dhe të inteligjencës. Ai rezulton si “përfaqësues i autorizuar” i dinastisë Rothschild, por të tillë kjo dinasti ka me qindra. Granoff nuk është mik personal i Lordit dhe nuk bën pjesë në rreshtin e parë të kësaj dinastie.

Ai është një lloj “zengjini i ri” nëse e sheh në kontekstin e dinastive financiare. Granoff është milioner me lidhje të fuqishme administrative dhe shtetërore, por dinastitë janë diçka tjetër, për t’ju afruar kupolës së dinastive duhet mandat, lidhje direkte, miqësi.

Michael Granoff, në ceremoninë ku ju dorëzua titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, 2019

Michael Granoff, në ceremoninë ku ju dorëzua titulli “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, 2019

Granoff është ambicioz, ai nuk duket i kënaqur me statusin e “zengjinit të ri” dhe për të Butrinti ka gjasa të jetë operacioni i mirëmenduar për të siguruar një tjetër lloj kartvizite.

Me këtë marrëveshje, Granoff i siguron vetes një kartvizitë që e ngre atë më lart, e bën atë njeriun që Lordi Rothschild i ka besuar një nga dobësitë e tij më të forta, Butrintin.

Granoff dhe Hodges kanë njohur mirë merakun e Lordit, tashmë 86-vjeç për mënyrën se si do të administrohet Butrinti kur Lordi të mos jetë më.

Granoff nga ana tjetër ka qenë në dijeni të mungesës së një interesi apo dobësie nga ana e trashëgimtarëve të Lordit sa i takon Butrintit. Djali i Lordit Nathaniel Rothschild është tërësisht i angazhuar në projekte multimiliardëshe biznesi, pasioni i tij është të bëjë ski në dëborë, fatkeqësisht ai nuk ka ndonjë merak të veçantë për Butrintin. Trashëgimtarët e tjerë të Lordit gjithashtu e gjejnë veten të huaj në këtë histori. Thjesht respektojnë dobësinë e patriarkut të familjes dhe kaq.

Është pikërisht ky konteksti oportun që Granoff e ka nuhatur mirë, duke i ofruar Lordit Rothschild një skemë të re e cila do i sigurojë Butrintit vijëmësinë sipas merakut dhe amanetit të Lordit Jacob Rothschild.

Për Lordin kjo është një lloj zgjidhje që i jep garanci, ndërsa për Granoff përfundimi i marrëveshjes është kartvizita e tij e re. Një armë e çmuar, një status i ri, prestigj i padiskutueshëm për këtë “zengjin të ri” e të distancuar nga kupola financiare dhe dinastitë.

Skemën e re që i siguronte kartvizitën e lakmuar, Granoff mund ta kurdiste vetëm nëpërmjet një marrëveshje me qeverinë shqiptare.

Detajet e kësaj marrëveshje të cilat do i shqyrtojmë në vijim, ka gjasa ta implikojnë zotin Granoff jo thjeshtë në konflikt interesi me AADF-në, por mund ta ekspozojnë atë dhe si një njeri që ka shpërfillur kërkesat bazike të Lordit për territorin e Butrintit dhe si njeriun që ka anashkaluar në mënyrë arbitrare një studim të investuar nga Fondacioni Rothschild për piketat e marrëveshjes me shtetin shqiptar.

Butrinti si operacion i sofistikuar lobingu  

Michael Granoff i ka nisur përpjekjet për kalimin e Parkut të Butrintit në kontrollin e AADF-së të paktën që prej vitit 2014. Ai ka këmbëngulur që ky projekt të realizohej me çdo kusht dhe njeriu që e kishte në dorë realizimin e këtij plani kaq të rëndësishëm për Granoffin ishte vetëm një: Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.


Rama me mjeshtëri ka kuptuar gjithë ngutin dhe këmbënguljen e Granoffit për këtë marrëveshje, ka kuptuar nevojën e tij për një “kartvizitë të re” dhe sigurisht që ka qenë plotësisht i qartë se Granoffit po i bëhej një lëshim i paprecedent, po i jepej një pasuri nën mbrojtjen e rreptë të UNESCO-s.

Nëse Granoff ngjan si “zengjin i ri” përballë kupolave dhe dinastive financiare, lidhjet e tij të shumëfishta në administratën dhe shtetin amerikan, kanë tjetër valencë në kontekstin e një vendi të vockël dhe të prapambetur si Shqipëria.
Nderi dhe lëshimi kolosal po i bëhej një biznesmeni me lidhje shumëfishe matanë oqeanit, lidhje të cilat shpesh janë vendimtare në garën e ashpër dhe kaotike të politikës në Tiranë.

Nevoja e Granoff për një “kartvizitë të re”, ishte një moment i artë për ta shndërruar atë në një aset politik në Tiranë, në një lloj lobisti të cilit i është bërë lëshim kolosal, duke e zhytur zotin Granoff në një detyrim moral dhe personal të përjetshëm ndaj kryeministrit Rama.

Procedurat ligjore për marrëveshjen e kalimit të Butrintit nën kontrollin e AADF-së nisën diku nga viti 2019.

Në Prill 2020, një raport studimor i hartuar nga AADF dhe Ministria e Kulturës përcaktonte konturet e territorit të Butrintit që do kalonte nën kontrollin e AADF-së. Ky raport u mbikëqyr direkt nga Fondacioni Rothschild për Butrintin në Londër.

Pika kyçe e këtij raporti lidhej me atë që quhej “zona B”, ose zona pranë Ksamilit.

Pas zonimit që bënë ekspertët, dhe konstatimit në terren të disa zonave të ndërtuara rrotull Ksamilit, në raportin studimor u vendos që nga Parku të shkëputeshin rreth 150 hektarë, si territor i kompromentuar që nuk kishte më kuptim të mbrohej.

Një vendim i qeverisë Rama më 26 janar 2022, vendosi që zona e Butrintit të zvogëlohej, për pasojë u vendos që nga 9 mijë e 424 hektarë gjithsej të mbeteshin si zonë e mbrojtur 8 mijë e 622 hektarë.

Diferenca është 800 hektarë.

Pra zonës së mbrojtur ju hoqën nga qeveria 800 hektarë, ndërsa studimi i përbashkët i AADF-së me Ministrinë e Kulturës parashikonte reduktimin e vetëm 150 hektarëve.

Vendimi i qeverisë shkëputi 650 hektarë më shumë nga sa parashikonte studimi zyrtar i monitoruar dhe nga Fondacioni Rothschild dhe nga UNESCO.
Në këto 650 hektarë të shkëputura, po zhvillohen plane dhe projekte për fshatra turistikë.

Vet Lordi Rothschild në disa raste ka shprehur këmbënguljen e tij, që zona të reduktohej sa më pak, sidomos pjesa pranë Ksamilit, ku ndodhi shkëputja.

Në këto kushte abuzive, Michael Granoff lidhi marrëveshjen me qeverinë shqiptare në muajin Prill 2022.

“Zengjini i ri” dhe ambicioz, shkeli zotimin që kishte marrë për të ruajtur sa më shumë territorin e Parkut.
Granoff lëshoi 650 hektarë të pasurisë arkeologjike direkt me firmën e parë që hodhi në marrëveshje, si një ogur që paralajmëron shpërfilljen e tij jo vetëm në raport me praktikat transparente mbi të cilat presupozohet se punon AADF-ja, por mbi të gjitha tregon dhe hipokrizinë e tij ndaj angazhimit personal që kishte marrë para Lordit Rothschild për ruajtjen e Butrintit.

Ndoshta këtë devijim abuziv të Michael Granoff më mirë se kushdo tjetër e kuptonte Edi Rama. Disa javë më parë në një konferencë ku i pranishëm ishte dhe Granoff, Rama e thumboi hidhur atë duke i thënë me sarkazmë: “Michael, mirëseerdhe në klubin tonë të të korruptuarëve dhe kriminelëve”.

Bën përshtypje se kur Rama e thumboi publikisht atë, Michael Granoff dhe ndihmësi i tij Martin Mata, rrinin të dy të kompleksuar para kryeministrit shqiptar, ngërdhesheshin lehtë me batutat e tij, por nuk dukej sikur ishin dhe aq të gëzuar me atë që po ndodhte.

Me siguri që Granoff ka dijeni se diçka ka lëvizur në Washington dhe se kjo marrëveshje e lidhur prej tij me qeverinë shqiptare, mund ta ekspozojë AADF-në në implikim me praktika korruptive, e për më tepër mënyra si erdhi kjo marrëveshje mund ta ekspozojë personalisht Granoffin si shkaktarin e një problemi që përdhos reputacionin e dinastisë Rothschild.

Në Washington kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, Robert Menendez është vënë në lëvizje dhe po mbledh evidenca mbi implikimin e AADF-së në çështjen e Butrintit.

Senatori amerikan Robert Menendez

Hashtag.al ka parë disa e-mail-e dhe komunikime të bëra nga dy ndihmësit e senatorit Menendez të quajtur Damian Murphy dhe Jason Tuber. Të dy ndihmësit e senatorit kanë kontaktuar disa persona të lidhur me çështjen në Shqipëri dhe gjetkë për të mbledhur evidenca në kuadër të një hetimi në senat mbi marrëveshjen e Butrintit dhe implikimin e AADF-së në një skemë favorizimi për fshatrat turistikë në dëm të Parkut të Butrintit, problem që dëmton imazhin e SHBA-ve dhe rrënon besueshmërinë e AADF-së si entitet me të cilin operon shteti amerikan./ Hashtag.al

About Redaksia

Check Also

Trump sulmon prokurorin: Do hetohet, është i korruptuar, mund të ekzekutojë njerëz

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ish-kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të …

Leave a Reply