VOA: PD kërkon rihapjen e hetimit për fondet ruse të Bashës

Në Shqipëri, ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili udhëhoqi këtë forcë politike nga viti 2005 deri në mars të 2022, kur dha dorëheqjen, mohoi sot informacionet e bazuara në një raport amerikan të zbulimit, të bëra të ditura mbrëmë, nga një burim i qeverisë amerikane, se “në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”.

Në një postim në Twitter, zoti Basha shkroi se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”. Viti 2017, përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, se në atë vit, ajo kishte marrë tre pagesa, me një vlerë totale prej 675 mijë dollarësh për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka pranuar pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërkohë që kompania Muzin, ka deklaruar se 150 mijë dollarë janë paguar përmes shoqërisë ‘Biniatta Trade LP”, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Investigime të ndryshme mediatike në atë kohë, ngritën dyshime për fije të shumta lidhjesh të kompanisë Biniatta, të cilat çonin drejt Rusisë.

Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve të tjerë që sipas ‘Muzin Capitol Partners’ ishte paguar direkt nga PD. Në dokumentin që firma Muzin ka paraqitur në Departamentin e Drejtësisë figuron shifra 500 mijë dollarë dhe thuhet se ajo është bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

Për to zoti Basha dha dy shpjegime të ndryshme. Në nëntor të vitit 2017 ai e kishte shpjeguar pagesën me fonde të mbledhura nga një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, pa kaluar përmes PD-së. Ndërsa në mars të vitit 2018 deklaroi se “çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

Në reagimin e sotëm, zoti Basha vë në dukje se dhe hetimet për këtë çështje në Shqipëri, nuk kishin zbuluar asnjë financim rus. “Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja”, shkroi ai në postimin e tij në Twitter.

Zoti Basha u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës në qershor të vitit 2019, dhe në një replikë ndaj deklarimeve të tij, Prokuroria u shpreh se përmes një komunikate zyrtare se “PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”, theksohej në deklaratën e prokurorisë. Në Janar të vitit 2020 Gjykata e Tiranës, pushoi çështjen, ndërkohë që vetë prokuroria u paraqit me dy qëndrime të ndryshme.

Por sot, Partia Demokratike, e cila drejtohet tanimë nga ish kryeministri Sali Berisha, duke komentuar informacionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për këtë çështje foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë. “Gjithë përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, u shpreh PD-ja përmes një deklarate të zëdhënëses së saj Floriana Garo.

Partia Demokratike tha se “kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë”, ndërsa njoftoi se “do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet”, u shpreh zonja Garo.

About Redaksia2

Check Also

Meta: Jam optimist për fitoren e opozitës, 80% e shqiptarëve tashmë janë në opozitë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi …

Leave a Reply

Your email address will not be published.