Berisha bashkëbisedim me shqiptarët në Itali: Në Tiranë është një tiran, armik i egër i votës

Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim online me shqiptarët në Itali. Në nisje të fjalës së tij, Berisha është fokusuar tek lufta kundër krimit të organizuar, ku ka shtuar se Anti-mafia italiane ka qenë një ndihmë e madhe për të luftuar krimin.

Në fjalën e tij, Berisha ka shprehur vlerësimin e tij për Antimafien italiane duke thënë se kanë kontribuar në betejën kundër mafies shqiptare. Duke iu referuar arrestimit të ish-ministrit Saimir Tahiri, ai tha se nëse Antimafia nuk do ta kishin bërë të mundur përfshirjen e tij me grupin Habilaj, socialisti do të kishte poste të larta në qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIM ONLINE ME SHQIPTARËT NË ITALI

Berisha: Së pari ju përshëndes përzemërsisht ju dhe të gjthë emigrantët shqiptarë në Europë, Itali dhe kudo që ndodhen. Ju falenderoj me shumë mirënjohje për ardhjen tuaj sot në këtë foltore të cilën unë e konsideroj shumë të rëndësishme.

Në një bashkëbisedim me ju përfaqësues të shkëlqyer të emigracionit tonë, bashkëbisedim, foltore që zhvillohet në prag të një ngjarje të madhe të Italisë, rikthimit të merituar në pushtet të koalicionit të djathtë, forcave politike të djathta në Itali, rikthim që ka një rëndësi të madhe jo vetëm për Italinë, por edhe për rajonin dhe Europën.

Unë gjithashtu gjej rastin të shpreh mirënjohje të thellë qeverisë dhe kombit Italian për mbështetjen, miqësinë, solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar ata ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha këto dekadat e fundit, spektrit të tërë politik Italian. Ndihmat e mëdha të këtij vendi mik kanë pasur një rol të rëndësishëm në ecjen e Shqipërisë në rrugën e tregut dhe demokracisë. Nuk ka asnjë vend tjetër në të cilën emigracioni shqiptar të ketë arritur në një kohë të shkurtër sukseset e mëdha që kanë arritur emigrantët në Itali.

Sot janë dhjetëra mijëra biznese të suksesshme, të vogla, të mesme e të mëdha që drejtohen nga shqiptarët. Sot janë dhjetëra mijëra studentë që studiojnë në universitet e Italisë. Sot janë dhjetëra mijëra shqiptarë të cilët janë në Shqipëri dhe investojnë pasi kanë krijuar disa kapitale pasi kanë marrë “knoë hoë”, njohuritë për bizneset që kanë zhvilluar në Shqipëri.

Italia dhe Shqipëria kanë një lidhje miqësore shumë të ngushtë, por ashtu siç thotë Adam Smith, që pasuria përhapet, e vërteta është që nëse është përhapur diçka me më shpejtësi në Shqipëri është biznesi iltalian, është kultura italiane, e gjithëanëshme në të gjitha fushat.

Italia, dua të shpreh mirënjohje, jep një kontribut të madh në luftën kundër krimit të organizuar në të dyja anët e Adriatikut. Antimafia italiane ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në betejën kundër mafias shqipare. Unë ju garantj ju se po të mos ishte antimafia italiane, Saimir Skafisti do të ishte sot mbi zëvendëskryeministër të paktën, por ne jemi mirënjohës sepse ata bëjnë një deteje të vendosur kundër organizatave kriminale që dëmtojnë interesat e qytetarëve italianë dhe qytetarëve shqiptarë.

Në vitin 2005, pasi formuam qeverinë unë bëra një vizitë në Itali dhe aty takova mikun tonë të shquar Silvio Berluconin, por edhe drejtuesit e tjerë të koalicionit të qendrës së djathtë. Në atë takim, ajo që më bëri përshtypjen më positive ishin fjalët shumë të ngrohta dhe të vërteta që Berlusconi, Fini dhe Casini folën për emigrantët shqiptarë.

Ne na thanë ata, me shqiptarët këtu nuk kemi asnjë problem, përveç se zhvillime positive dhe kjo shënonte një arritje të madhe të shqiptarëve në Itali. Natyrisht kanë kaluar 17 vite, dhe këto rekorde vetëm se janë përmirësuar gjithmonë e më shumë, janë përmirësuar me shpejtësi të madhe. Ndaj dhe unë do të mbyll këtë ekspoze për të ju lënë ju, kohën e mjaftueshme pyetjeve tuaja dhe nëpërmjet pyetjeve tuaja të trajtojmë problemet e brendshme të Shqipërisë, për të cilat ju jeni thellësisht të interesuar.

Ju faleminderit, vazhdojmë bidesën.

FJALA MBYLLËSE

Ju falenderoj shumë edhe njëherë për praninë dhe ndërhyrjet, diskutimet, pyetjet dhe mendimet që dhatë. Ajo çfarë mund t’ju them është së Shqipëria pas 30 vitesh rruge demokracisë sot është në kuptimin absolut të fjalës, diktaturë njëpartiake dhe personale.

Pse e them këtë? Sot të gjitha pushtetet kontrollohen tërësisht dhe totalisht nga një person dhe parti. Sot Edi Rama ka pushtet, 10 % më shumë seç kishte Ramiz Aliaj pas shkurtit të vitit 1991. Diktaturat personale dhe një partiake nuk është se nuk kanë parti të tjera, në to ka parti të tjera, por një parti e vetme i kontrollon të gjitha dhe ky është rasti tipik, klasik i Shqipërisë.

Edi Rama pasi mori një e nga një të gjitha pushtetet, të fundit Presidentin e Republikës, ashtu siç doli këto ditë ai kishte marrë peng me dosje edhe opozitën shqiptare në mënyrën më të turpshme dhe kriminale.

Pse e them këtë? E them që të ju them ju dhe mbarë shqiptarëve se në Tiranë është një tiran, armik i egër i lirisë tuaj. Një armik i egër i lirive të cilat burojnë nga vota. I lirive të cilat garantohen nga ndarja e pushteteve dhe funksionimi i ligjit. I lirive e cila funksionon me funksionimin e pluralizmit.

Edi Rama haptas para të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës, ka dhunuar votën e lirë të të gjithë shqiptarëve me të gjithë mekanizmat. Me patronazhistët si formë e vjetër e kohës së diktaturës. Me përdorimin e të gjitha institucioneve shtetërore në funksion të partisë shtet në zgjedhje. Me skuqjen e rrugëve nga bandat duke vrarë njerëz dhe duke shpërndarë miliona e miliona euro për të blerë votat. Këto janë të faktuara.

E faktuar është se ai Lulzim Bashës pasi i kishte hapur dosjen për financimet siç ka thënë vetë në mars 2018, financime ruse, pasi ishte zotuar para shqiptarëve se do ti shkonte deri në fund hetimit, përdori hetimin për të marrë peng kreun e opozitës.Kjo është e vërteta.

Meqë jam në këtë temë, dua të ju them këto gjëra. PD-ja është partia e parë politike në Europën ish-komuniste që javët e para pas themelimit kërkoi anëtarësimin në NATO. Në ato javë, muaj dh evite, paritë e tjera të krijuara pas përmbysjes së diktaturave patën qëndrime ambige për shkak të bloqeve etj. PD-ja nuk hezitoi. PD-ja ishte ndër të para parti në qeveri që nënshkroi partneritetin me NATO-n. Hapi bazat e saj, detare e ajrore dhe territorin për instalimet e SHBA dhe NATO në Shqipëri. Ajo anëtarësoi Shqipërinë në NATO.

Bashkë me qeverinë Italiane dhe azere ka luajtur një rol përcaktuar për bllokimin e korridorit të jugut për gazin rus dhe sjelljen e gazit nga Azerbajxhani, ç’ka përbën një kontribut historik në sigurinë energjetike të Europës. Nuk ka pasur kurrë dhe nuk mund të ketë asnjë lloj flirti me Rusinë që në dy shekujt e fundit ka mbajtur qëndrime armiqësore ndaj popullit shqiptar.

I theksova këto sepse bëhët një zhurmë, në një kohë kur sot Edi Rama nga një anë voton dhe bashkëpunon, sepse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nga ana tjetër është avokati i vetëm i politikës filo ruse të Vuçiçit në Europë. Mbron aksin Beograd-Moskë.

I kërkon Europës të mos i bëjë presion Vuçiçit për sanksionet ndaj Rusisë, paçka se Serbia është kthyer në prapavijë të fuqishme të Rusisë që kur ka nisur lufta në Ukrainë. Pretendon më mirë kështu se sa Serbia të respektojë sanksionet ndaj Rusisë. Herë pas here përdor terminologjinë e Vuçiçit dhe ka shndërruar Shqipërinë në një vasal të Beogradit.

I thashë këto, për të theksuar se në çfarë rreziku të madh është sot Shqipëria. Ju jeni dëshmitar të ritmeve tmerrësisht të shpejta të shpopullimit të vendit. Është politikë absolutisht e qëllimshme. Në vitin e dytë të qeverisjes së tij ai ka prishur 9 mijë ndërtesa dhe biznese, duke I nxjerrë njerëzit në rrugë, duke u lënë alternativë të vetme largimin nga Shqipëria.

A i keni ndjekur ju zhvillimet këto ditë. Në Shqipëri kanë mbi kate dhe pallate dhe kulla pa leje. Të gjitha të klientelës së Edi Ramës dhe flitet edhe vetë atij.

U zotua se do të përdorë ligjin. Çfarë përdorimi bëri. Ndjek penalisht një zonjë 82-vjeçare në Nartë se ka ndërtuar një kotec pulash pa leje. Ndërkohë që pallatet e kullat në mes të Tiranës thotë se do ti legalizojë në kundërshtim me çdo ligj.

Ky është i lidhur këmbë e krye me krimin dhe drogën, drogën dhe krimin. Kjo përbën një vështirë tjetër për shqiptarët. Pasiguria e madhe i detyron ata të largohen masivisht nga Shqipëria. Varfëria në rritje. Shqipëria po polarizohet në mënyrë të rrufeshme. Vitin e kaluar INSTAT thotë se Shqipëria pati një rritje ekonomike 9.3 %. Çdo njeri që e dëgjon këtë shifër thotë se ky qenka vendi i punës. Po punësimi sa ishte, sipas INSTAT, punësimi u rrit gjithsej me 0.4 %. Ata që kanë njohuri elementare e kuptojnë se 9.3 % është mali i narko eurove. Nuk përkthehet në asgjë, mirëqënie prosperitet për qytetarin shqiptar.

Nëse 8 vite më parë ne kishim rrogën mesatare më të lartë në Rajon, sot kemi rrogën mesatare më të ulët në rajon 30% më të ulët se Kosova.

Ngritët shqetësimin e madhe për çmimet. Janë shndërruar në një mekanizëm të tmerrshëm të vjedhjes së qytetarëve shqiptarë.

Bordet komuniste tha Edi Rama janë të dobishme. Po janë të dobishme sepse cakton çmimin që do dhe me çmime të rritura shton të ardhurat në arkën e tij, në vend që të ua kthejë qytetarëve shqiptarë, ua kthen oligarkëve të tij.

Kosova caktoi 150 mln euro për të ndihmuar qytetarët e saj për të përballuar çmimet e rritura, Edi Rama caktoi gjithsej 50 mln. Në Kosovë çmimet janë 30% më të ulëta se në Shqipëri.
Tani ka bërë një rritje të jashtëzakonshme të energjisë, pse? Do të godasë me çdo kusht shtresën e mesme. I ka shpallur luftë të hapur shtresës së mesme. Por çfarë mund të jetë një shoqëri pa shtresën e mesme. Kurrë nuk mund të zhvillohet.

Me çmimin e energjisë që ka shpallur godet 80 e ca mijë familje. Godet shtresën e mesme të vendit. Po vendos edhe një taksë tjetër, 23%. Po numëroj këto vetëm për tu dëshmuar ju se sa emergjente është situata në Shqipëri.

Miku ynë italian Grimaldi u ndal në korrupsionin në shëndetësi. Shkatërrimtar. Dy tregues dua të ju jap unë ju. Covidi në Shqipëri ka shkaktuar vdekshmërinë më të lartë në Europë dhe një nga 3-4 vendet më të larta në botë. Qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepi për kujdesin shëndetësor 60% më shumë se qytetarët europianë. Kjo është e vërtetë edhe për shërbimet e tjera.

Pra ka një vend në rrokullisje. Realisht një shoqëri në shpërbërje dhe koha, ditët, javët kërkojnë betejë, betejë dhe vetëm betejë.

PD sot është në këmbë dhe ajo do të angazhohet në një betejë të fuqishme. Së pari në mbrojtjen dhe lirinë e të drejtave të shqiptarëve dhe rikthimin e votës së lirë.

Sigurimin e votës për ju, emigrantët dhe diasporën kudo që ndodhen në botë. Edi Rama ka qëndrimin e afërt të etërve të tij ndaj diasporës dhe emigracionit. Ai ka frikë nga vota juaj, sepse e di që atë nuk e manipulon dot me patronazhistë dhe banda.
Ju garantoj se PD do të bëjë gjithçka dhe bashkë me ju do të garantojë votën e lirë tuaj dhe të shqiptarëve në Shqipëri.

Shqipëria ka nevojë për ndryshime urgjente, ndaj krizës dhe në afatgjatë. Por Shqipëria siç e njihni ju është një vend me potenciale dhe rezerva të jashtëzakoshme natyrore, në të cilën mund të prosperojnë me shpejtësi shqiptarët.

Padiskutim llogarisim kontributin tuaj, të bizneseve, mendjeve tuaja. Ndaj dhe do të bëjmë gjithçka për klimën më miqësore për investitorët shqiptarë dhe miqtë tuaj italianë në Shqipëri, për ta bërë këtë vend edhe njëherë vendin më tërheqës në rajon për investime.

Ne do të bëjmë gjithçka për vendosjen e ligjit në këtë vend. Shqipëria është një vend i bekuar. Jo krimi dhe droga, por mendja dhe djersa e shqiptarëve duhet ta zhvillojnë Shqipërinë.

Kam besim se me të rinjtë shqiptarë, në Shqipëri, emigracion, diasporës, do të ndërtojmë një administratë të re e cila do të çojë Shqipërinë me shpejtësi drejt horizonteve që meriton në Bashkimin Europian.

Marrëdhëniet me Italinë mike, janë të një rëndësie të veçantë dhe ju bëj thirrje ju të jepni çdo kontribut në këto zgjedhje dhe të votoni për koalicionin e djathtë.

Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për marrëdhëniet më të mira miqësore sikundër deri sot. Me Italinë, vendet mike në Europë, SHBA dhe vendet e lira, Shqipëria do të jetë një vend i sigurtë për qytetarët e saj, institorët e huaj. Nuk do të eksportojë krim si sot, në rajon dhe Europë, por do të eksportojë potencialet e mëdha të saj natyrore që disponon.

Ju falënderoj edhe njëherë për praninë tuaj këtu dhe ju ftoj të vazhdojmë së bashku këtë betejë të një rëndësie vendimtare, për fatin e demokracisë shqiptare.

Asgjë nuk do të mund të pengojë këtë revolucion, lëvizje, e cila do të shpëtojë Shqipërinë nga rrokullisja e madhe që po pëson.

Ju falënderoj shumë, përshëndes ju, familjet tuaja, miqtë tuaj. Familjet tuaja në Shqipëri, në Itali dhe kudo që jeni.
Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Edi Rama qetësohu, dosja penale për Olsin e Xibrakës ekziston e pezulluar!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i është përgjigjur Edi Ramës, ndërsa shprehet …

Leave a Reply