Ukraina dhe Rusia bëjnë këmbimin më të madh të të burgosurve

Ukraina ka bërë të ditur se në kuadër të këmbimit të të burgosurve ka rikthyer 215 ushtarë, derisa i ka dorëzuar Rusisë 55 të tillë, përfshirë politikanin pro-Moskës, Viktor Medvedchuk.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka bërë të ditur këtë këmbim të të burgosurve në adresimin e tij para kombit më 21 shtator.

Zelensky ka thënë se pesë komandantë ushtarakë, duke përfshirë liderët e mbrojtjes në fabrikën e çelikut Azovstal, janë dërguar në Turqi, në kuadër të një operacioni që është përgatitur paraprakisht, dhe për të cilin është pajtuar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Të liruarit nga burgu do të qëndrojnë në Turqi “në siguri totale dhe kushte të rehatshme” deri në fund të luftës, ka thënë Zelensky.

Në mesin e 55 të burgosurve të dërguar në Rusi ka qenë edhe Viktor Medvedchuk, ish-ligjvënës ukrainas dhe aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë Zelensky.

Medvedchuk është mbajtur nën arrest shtëpiak prej majit të vitit 2021, nën akuzat për tradhti.

Zelensky edhe më herët ka propozuar këmbimin e tij me të burgosurit e luftës që janë mbajtur nga forcat ruse.

Ky është këmbimi më i madh i të burgosurve prej nisjes së luftës në fund të muajt shkurt.

“Ne kemi arritur të lirojmë 215 persona”, ka thënë shefi i kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak.

Sipas tij, 108 kanë qenë luftëtarë në regjimentin e Azovit.

Yermak ka thënë po ashtu se këmbimi i të burgosurve ka ndodhur në lokacione të ndryshme.

Zelensky ka thënë se në mesin e ushtarëve të rikthyer janë edhe pesë britanikë dhe dy amerikanë, të cilët janë transferuar nga Rusia në Arabinë Saudite, në kuadër të këmbimit.

Të burgosurit e luftës janë këmbyer në ditën kur presidenti rus, Vladimir Putin ka shpallur mobilizim të pjesshëm.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë në një intervistë televizive se do të mobilizohen 300.000 rezervistë me përvojë përkatëse ushtarake.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

About Redaksia

Check Also

Maqedonia e Veriut bllokon nismën e “Ballkanit të Hapur”, Opozita: Ku lidhet Shqipëria me Serbinë?

Opozita maqedonase doli kundër nismës së ‘Ballkanit të Hapur’, duke bllokuar një marrëveshje në parlament. …

Leave a Reply

Your email address will not be published.