Ali Baba dhe dyzet hajdutët

Përkthim nga Agim Xh Dëshnica

Në një qytet në Persi jetonin dikur dy vëllezër. Njërin e quanin Qazim, tjetrin Ali Baba. E kur  i ati i tyre u nda nga jeta, Qazimi u martua me motrën e një tregtari të madh. Me vdekjen e tregtarit, tërë pasuria e tij i mbeti Qazimit. Ndërkohë Ali Baba mori për grua një vajzë të varfër, por mjaft të zgjuar e të shkathët, me emrin Margina. Për të mbajtur familjen Ali Baba çdo ditë, mblidhte  dru zjarri thellë në në një pyll e i shiste në pazar. Njëherë, teksa shkonte  udhës për në qytet me magjarin e ngarkuar me dru, ai pa së largu një varg me kalorës, që po vinte përballë. Pastaj dëgjoi trokun  e kuajve. U fsheh me të shpejtë prapa një rrapi trungtrashë.  Magjarit ia lidhi nofullat me litar. Në çastet kur kalorësit kaluan para tij, Ali Baba vuri re,  se kuajt e karvanit ishin të ngarkuar me thasë. Pak hapa më poshtë, ata ndaluan para një shkëmbi të thepisur.

I pari i tyre shtatgjat, ngriti duart e thirri:

– Hapu  sezam!

Befas një portë e gurtë dhe e gjerë lëvizi dalëngadalë dhe u hap. U duk një shpellë e thellë. Dyzet kalorësit  me kuajt e ngarkuar. hynë brenda  dhe pas pak, porta u mbyll prapa tyre. Pasi kaloi një farë kohe, ajo u hap  përsëri  dhe ata dolën jashtë.

U dëgjua prapë, po ai zë:

-Mbyllu  sezam!

Kalorësit ikën me vrap nëpër udhën nga erdhën. Troku i kuajve u degjua  për disa minuta, pastaj u shua. Ali Baba i ndoqi i tronditur me sy deri  larg. Pluhuri ngrihej anash e prapa, më së fundi  asnjë kalorës nuk u pa më. Ali Baba  sakaq,  u mendua pak dhe u bind, se të dyzet kalorësit ishin hajdutë me sende të vjedhur në qytet. Pasi  e mblodhi veten, ai brodhi sytë poshtë e lart, e lidhi magjarin prapa rrapit dhe doli nga vendi, ku qe fshehur. Bëri disa hapa duke parë  majtas  djathtas,  ndaloi para shkëmbit. dhe thirri:

– Hapu, sezam! – Porta vigane e gurtë lëvizi ngadalë dhe u hap. Ali Baba vështroi njëherë përqark, u fut në shpellë dhe pas pak, duke u dridhur thirri:

-Mbyllu sezam!

Brenda, në shpellë Ali Baba u mahnit nga ato që pa. Një sallë e gjerë qe mbushur përplot me qilima  ngjyra – ngjyra, me topa mëndafshi, me vargje xhevairesh,me arka plot me florinj e me sa e sa gjëra të tjera të çmueshme!  Ali Baba eci rreth e qark i hutuar, i lumtur, por edhe i trembur. Më në fund, ndaloi te arkat me florinj. Në dy hejbe mblodhi florinj, aq sa mund të mbante dhe thirri përsëri:

– Hapu, sezam!

Doli jashtë duke vështruar me vemendje udhën.  Andej ia dha thirrmës edhe njëherë:

– Mbyllu, sezam!

Dhe shkoi e mori magjarin prapa rrapit. Ia shkarkoi drutë, vari në samar hejbet me florinjë, ia hipi magjarit dhe e ngau të ecte me sa i hanin këmbët për në shtëpi. Kur arriti atje, i tregoi  gruas se ç’kishin brenda hejbet. Mandej shkoi në shtëpinë e vëllait të merrte kandarin. Por kunata kureshtare, tha me vete: „Çfarë do të peshojë ky?“

Pastaj shpejtë e shpejtë,ia mbështolli kandarin me një beze te lyer me mjaltë. Kur Ali Baba mbaroi punë dhe ia ktheu, ajo pa një monedhë ari të ngjitur poshtë kandarit. E,sapo i shoqi u kthye në shtëpi, ia tregoi  monedhën e artë.

– Ali Baba –i tha ajo me zili-tashti është i pasur! Ja, shikoje këtë!

Qazimi shkoi menjëherë ta pyeste të vëllanë. Ali Baba i tregoi fije e për pe se çfarë i kishte ndodhur te shkëmbi i madh. Atëherë ai, u nis me vrap drejt shkëmbit. Atje, ashtu si i vëllai, thirri:

–  Hapu sezam!

Porta e gurtë u hap. Qazimit s’iu prit. Hyri brenda në shpellë e u mahnit me mallrat e shtrenjta e me arkat plot floririnj e xhevaire  ngjyra –  ngjyra .

Duke mbledhur prej tyre andej – këndej, humbi shumë kohë. Më së fundi, meqë nuk mundi të merrte më tepër, vendosi të dilte, ndaj thirri:

– Hapu, elb! – porta e gurtë nuk lëvizi. Pra, ai i kishte harruar fjalët që duhej të thoshte.  E përsëriti  thirrjen  me zë  më  të fuqishëm,  por porta prapë nuk u tund nga vendi. Gjithë natën Qazimi e kaloi i mbyllur në shpellë. Të nesërmen u kthyhen të dyzet hajdutët. Të habitur gjetën brenda Qazimin e afër tij dy hejbe të mbushura përbuzë. Dhe,  pa një, pa dy, ia prenë atij kokën me kama. Kapua  i tyre, teksa eci përmes sendeve të vjedhur, vuri re se nëpër arka mungonin  shumë nga florinjtë. I ngrysur tha:

– Këtu paska hyrë edhe një tjetër! Kush të ketë qenë ai qafir?

Një nga hajdutët e njohu të vrarin.

– Vëllai i këtij, – tha, – quhet  Ali Baba, shet dru  në qytet.

Kapua i hajdutëve, me ta dëgjuar, pa humbur kohë, doli jashtë dhe, hipur mbi kalë, u sul për në qytet. Pyet këtu e pyet atje, e gjeti shtëpinë e Ali Babait. Shënoi mbi portë me shkumës të bardhë numrin dy. Dhe u largua pa u ndjerë. Gruaja e mençur e Aliut, Margina, sapo vuri re shenjën, vrapoi nëpër mëhallë dhe portë më portë shënoi me shkumës të bardhë numrin dy. Ndërkohë, dyzet hajdutët u nisën të vrisnin Ali Babën, por u hutuan, kur panë numrat dy, në çdo portë.  Kapua i zemërruar u dha urdhër hajdutëve të ktheheshin pas dhe bashkë me ta  shkoi në shpellë. Pasi vrau mendjen, iu kujtua rruga, ku ndodhej  shtëpia  e Ali Babait, ndaj urdhëroi të bënin gati tridhjetë e nëntë qypa të mëdhenj mbushur me mustardë dhe mushkat, tek do t’i ngarkonin ato. Në çdo qyp u fut një hajdut. Kapua u kënaq nga puna e kryer aq shpejt. Pastaj, në krye të karvanit, hipur mbi kalë me mushkat e ngarkuara me qypa, mori udhën për qytet. Ndaloi para shtëpisë së Ali Babait dhe trokiti në portë. Ali Baba doli sakaq në prag.

– Jam tregtar vaji! – tha kryehajduti. – Meqë në qytet mbërrita vonë, nuk gjeta asnjë han për mallin dhe mushkat.  Ju lutem,  më jepni një dhomë  vetëm për këtë natë.

– Mirëse keni ardhur! – iu përgjigj i zoti i shtëpisë. – Urdhëroni, hyni brenda! Mushkat dhe mallin do t’i lini në oborr prapa shtëpisë.

Pas kësaj, Ali Baba me mikun u shtruan për darkë. Ndërkaq Margina doli prapa shtëpisë në borr për pak vaj. Sapo iu afrua qypit të parë dëgjoi një zë të mbytur:

– Është koha për të dalë?

Margina, i ra në të menjëherë, se çfarë po ndodhte. Me zë të ashpër burri iu përgjigj:

– Prit, se koha ende s‘ka ardhur! – Po ashtu ajo u foli edhe tridhjetë e tetë  të tjerëve dhe i taposi të gjithë qypat. Kështu, të mbyllur brenda, asnjë prej tyre, nuk mundi të dilte.

Margina u kthye me të shpejtë në  kuzhinë dhe hodhi pak helm në një gotë me verë.  Andej vajti në dhomën, ku ishte shtruar darka dhe gotën ia dha kapos së hajdutëve. Ai e piu menjëherë dhe ra përdhe pa frymë. Ali Baba u zemërrua dhe e shahu gruan rëndë. Ajo në çast tërhoqi zinxhirin e sahatit nga  trupi i shtrirë në dysheme dhe nxori një kamë çeliku.

– Ja, me këtë teh të prehtë, – i tha të shoqit, – do të ta hiqte kokën nga trupi, ky hajdut i rrezikshëm!

Ali Baba i gëzuar si asnjëherë në jetë, e përqafoi Marginën dhe lëvdoi Zotin për dhuratën e paçmuar, gruan e zgjuar e guximtare, që i kishte dhënë.

Ata jetuan të lumtur e të pasur tok me dy djemtë e tyre. Dhe përherë ndihmonin njerëzit në  nevojë, të varfërit e pleqtë e sëmurë.

About Redaksia

Check Also

Falja e namazit të Kurban Bajramit, kreu i KMSH: Festë e dyfishtë, përkon me ditën e xhumasë!

Mëngjesin e sotëm, në faljen e namazit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i KMSH …

Leave a Reply