PPP-të korruptive, rritet me 2,4 mln euro financimi për konçesionin e laboratorëve

Me një vendim qeverie që u publikua së fundmi në Fletoren zyrtare, Qeveria rriti me 10% financimin për kontratën koncesionare të laboratorëve, e cila është në vitin e tretë të zbatimit.

Sipas vendimit të qeverisë, që detajon shpenzimet për financimin e shërbimit spitalor përcaktohet se financimi për koncesionin e laboratorit, ndaj kompanisë “Laboratory Network” do të arrijë në mbi 1.6 miliardë lekë këtë vit nga 1.3 miliardë lekë që ishin projektuar në buxhetin fillestar të këtij viti.

Vlera e financimeve për koncesionin e laboratorit vetëm këtë vit u rrit me 2.4 milionë euro.

Kostot më të mëdha i ka “Qendra Spitalore Nënë Tereza”. Nga buxheti vjetor i QSUT-së mbi 8 miliardë lekë, 764 milionë lekë ose 9% e totalit të financimit shkojnë për koncensionin e laboratorit.

Kontrata PPP e laboratorëve nisi në vitin 2019 dhe përfundon në vitin 2028 më një shumë financimi 13 miliardë lekë pa TVSH. Vlera vjetore e financimit është 1.3 miliardë lekë, por duket se gabimet në hartimin e kontratës do të vënë buxhetin e shtetit në vështirësi për financime shtesë. Këtë rrezik e lajmëroi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shteti gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro.

KLSH konstatoi se vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mos-ofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente.

Por ndërsa qeveria shtoi financimet ndaj PPP-së së laboratorëve fitimet e kompanisë që zotëron këtë koncesion kishin një normë të kënaqshme fitimi.

Të ardhurat e kompanisë sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishin 1.3 miliardë lekë në vitin 2021, ndërsa fitimi para taksave ishte 233 milionë lekë.

Norma fitimit për koncesionin e laboratorëve ishte 19 % më shumë se, dyfishi i normës së fitimit mesatare në tregun shqiptar.

Nga aspekti i fitimeve, kontratat PPP janë bizneset më suksesshme në vendin tonë. Por duke qenë se aktiviteti i tyre bazohet në fondet buxhetore, normat e larta të fitimit tregojnë se qeveria nuk është duke administruar me përgjegjësi taksat e shqiptarëve. Të ardhurat e kompanisë Laboratory Network vitin e kaluar ishin sa 12 për qind e fondeve që qeveria shqiptare ka vene në dispozicion të rimbursimit të medikamenteve./MONITOR

About Redaksia

Check Also

KAYO dhe Guna Tactical, 17 milionë euro kontrata nga shteti për uniforma, mjete dhe pajisje ushtarake

Dy kompanitë me kapital shtetëror në ushtri, Guna Tactical dhe KAYO kanë marrë deri më …

Leave a Reply