Protesta e pedagogëve, “Zëri i Amerikës”: Edhe studentët paraqesin kërkesat e tyre

Protesta e sindikatave të universiteteve publike vazhdoi sot për të dytën ditë me bojkotim të procesit mësimor. Pedagogët i kërkojnë qeverisë rritje të pagave 50 për qind, shtim të fondeve për kërkim shkencor, rishikim të buxheteve për arsimin e lartë. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një takim me rektorët e universiteteve, se koha kur qeveria rriste pagat në mënyrë uniforme ka ikur. Ai shtoi se universitetet mundet të rritin vet pagat, me të ardhurat dhe fondet e tyre

Sot është dita e dytë që universitetet publike në Tiranë dhe qytete të tjera nuk kanë zhvilluar mësim në pjesën dërrmuese të auditoreve, në vazhdim të protestës së pedagogëve dhe stafeve ndihmëse për rritje 50 për qind të pagave.

Ata pohojnë se rritje 7 për qind e pagës, që njoftoi qeveria, kur inflacioni është mbi 10 për qind, mund të quhet thjesht një indeksim, ndërsa shtimi deri në 8 për qind page që kërkon qeveria prej vet universiteteve është i pamundur, sepse pagesat e studentëve janë për shërbimet e studimit të tyre dhe jo për të rritur pagat e pedagogëve.

“Ne kemi kërkuar që pagat tona të rriten me fondet e qeverisë dhe jo me paratë e studemtëve. Duket sikur vendimi i qeverisë është një kurth i vogël për të na future në sherr me studentët, por nuk kanë arritur të na përçajnë. Studentët e dinë që ne nuk i rritim pagat me paratë e studimeve të tyre”, thotë profesore Ilda Kola, në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Sindikatat e universiteteve pohojnë se 9 kërkesat e peticionit të tyre janë minimale dhe legjitime për të kthyer dinjitetin e profesoratit dhe punonjësve universitarë. Pedagogët pohuan që Shqipëria është e fundit në rajon dhe në Europë për pagat e pedagogëve universitarë, madje edhe nëse qeveria Rama do të rritë pagat 50 për qind, siç kërkojnë sindikatat, përsëri ato nuk i arrijnë pagat e pedagogëve të Kosovës.

“Sipas një informacioni të Komunitetit Europian mbi pagat mesatare të pedagogut, Shqipëria është në vend të fundit. Shqipëria në atë tabelë është më poshtë se sa Kosova dhe Maqedonia e Veitu, madje renditet më poshtë edhe se sa Bosnje-Hercegovina. Qeveria duhet ta mirëkuptojë këtë nismë të sindikatave të universiteteve, sepse është një lëvizje për dinjitet dhe arsim cilësor, të cilat nisin nga respekti dhe vlerësimi për dijet e pedagogëve”, thotë profesori Ardian Isufi, në Universitetin e Arteve.

Pedagogët pohuan se buxheti për arsimin e lartë duhet rishikuar, dhe qeveria duhet të ngrejë deri në 5 për qind buxhetin për arsimin, siç ka premtuar vite më parë. Ata kërkojnë po ashtu edhe transparencë me financat e universiteteve.

“Protesta jonë, që shtrihet në gjithë Shqipërinë, nisi dje, vazhdoi sot dhe do të vazhdojë derisa ministria e arsimit të përgjigjet mbi kërkesat tona. Janë kërkesa të drejta dhe minimale, të cilat i kemi parashtruar autoriteteve nga viti 2019 deri sot”, thotë profesor Klodian Dhoska, përfaqësues i Sindikatës.

Por po aq e vendosur sa sindikalistët duket edhe qeveria, e cila deklaroi se, bazuar tek autonomia dhe reformimi i arsimit të lartë, universitetet mund të ngrejnë vet pagat dhe shpërblimet, në varësi nga të ardhurat dhe fitime të tjera përmes projekteve. Kryeministri Edi Rama, tha gjatë një takimi me rektorët e universiteteve, se kjo ishte hera e fundit që qeveria bën rritje page uniforme, dhe se universitetet duhet të thithin vet fonde nga tregu i fushës së tyre për mbaravajtjen dhe kërkimin shkencor.

“Koha kur qeveria rrit pagat në mënyrë uniforme, sepse kërkojnë sindikatat, ka mbaruar bashkë me reformën e arsimit të lartë, e cila është e shkruar. Autonomia universitare është liri, është edhe përgjegjësi”, tha zoti Rama.

Studentët e organizatës ‘Lëvizja për Universitetin’ po ashtu i janë drejtuar qeverisë me një peticion me kërkesa ekonomike, duke kërkuar së paku 100 dollarë financim për të përballuar strehimin e shtrenjtuar nga kriza e fundit si dhe për të lehtësuar studimet e tyre, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

“Për studentët e ekselencës jepet një bursë prej afro 100 dollarë, ndërsa për të tjerët nuk ka ndonjë ndihmë. Për studentët me ndihmë sociale ka një përgjysmim të tarifës universitare, pastaj për gjithë të tjerët, gjithë ngarkesa është në kurriz tonë dhe të familjes tonë”, thotë Loreta Koleci, përfaqësuese e Lëvizjes për Universitetin.

Pedagogët theksojnë se kërkesat e tyre janë thjesht ekonomike, dhe i bëjnë thirrje qeverisë që të mos t’i shohë pedagogët dhe sindikatat si kundërshtarë, por të dialogojë me ta si partnerë për zhvillimin e universiteteve dhe shoqërisë shqiptare. Protesta e pedagogëve pritet të vazhdojë këtë javë me tubime para fakulteteve, e më pas mund të ndryshojë formë, ndërsa pedagogët pohuan se mund të shtojnë tek kërkesat e tyre edhe ato të studentëve./VOA

About Redaksia

Check Also

Zhupa takon fermerët në Konispol: Bashkia na ka braktisur! Na mashtrojnë vetëm për vota

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në takimin me fermerët në Konispol u njoh me …

Leave a Reply

Your email address will not be published.