Antonio Konte shpreson që Kristiano Ronaldo të vazhdojë formën e tij të qetë përpara porte edhe sot kundër Totenhemi të vizitojë “Old Trafford”. Sulmuesi portugez nuk po bën një sezon në standardet e tij të zakonshme, ndërsa ka shënuar vetëm 2 gola në 12 ndeshje për Mançester Junajtidin në të gjitha kompeticionet.
37-vjeçari nuk është një zgjedhje e parë për sulmin e Erik ten Hagut. Por 5 herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi një gol spektakolar ndaj “Spërsave” në Londër sezonin e shkuar, duke i ndihmuar “Djajtë” të fitonin 3-0. Ai rezultat solli shkarkimin e Nuno Espirito Santos.
Totenhemi vuajti një humbje 3-2 në “Old Trafford” më pas falë tripletës së CR7-ës. Duke folur në konferencën e djeshme, tekniku italian këmbënguli se ishte Ronaldo ai që e mundi skuadrën e tij në përballjen e fundit dhe jo Junajtid.
“Sezonin e shkuar ai shënoi një tregolësh kundër nesh. Po flasim për një lojtar të pabesueshëm, një futbollist klasi. Po flasim për një lojtar, i cili vazhdon të bëjë diferencën për skuadrën në të cilën luan. Unë e admiroj shumë Kristianon për profesionalizmin e tij, por shpresoj që të qëndrojë urtë, jo si sezonin e shkuar, kur ai shënoi tre gola. Ne humbëm 3-2, por na mundi ai jo Junajtid. Më kujtohet shumë mirë, sepse luajtëm një ndeshje shumë të mirë”.