Revolta e pedagogëve të universiteteve publike ka mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka bërë thirrje përsëri, që të gjithë qytetarët të bashkohen me protestën e lëvizjes universitare, që mbahet këtë të hënë në Tiranë përpara Korpusit të Universitetit të Tiranës.
“Sot, në ora 11:00, para Universitetit Politeknik të Tiranës, protesta e fuqishme kombëtare e universiteteve. Të gjithë në protestë!”, shkruan Berisha.
Dje, në një deklaratë të PD thuhej: “Departamenti i Arsimit të Lartë pranë Partisë Demokratike, mbështet Lëvizjen universitare që synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies, që shkon drejtpërdrejt në dobi të studentëve e, njëherësh, në reformimin e modernizimin e jetës së brendshme të universiteteve, në hartimin e zbatimin e strategjive politike, ekonomike, sociale e të tjerave aspekteve fondamentale në jetën e vendit që janë bllokuar qysh ne vitin 2015 me miratimin e Ligjit 80, i cili – siç është shprehur prej vitesh nga specialistët – centralizon dhe burokratizon funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë.
Një universitet në krizë është tregues i drejtpërdrejtë dhe i padiskutueshëm i një shteti në krizë dhe pasojat e kësaj gjendjeje do të jenë jashtëzakonisht të shpejta dhe të rënda, – paralajmëroi PD, – ndaj i bëjmë thirrje të gjithë stafeve universitare, pedagogë e studentë, stafe ndihmës akademike e administrativë në mbarë vendin, që më 31 tetor, në orën 11:00 të jemi të gjithë bashkë në protestën kombëtare tek Korpusi Qendror i Universitetit Politeknik të Tiranës për t`i kërkuar me ngulm qeverisë të angazhohet seriozisht në plotësimin e kërkesave të lëvizjes universitare, pjesës më elitare të shoqërisë sonë”.