Dhoma Amerikane kundër Ramës: Dhjetëfishimi i gjobave antikushtetues

Dhoma amerikane e Tregtisë në komentet e anëtarëve të saj për paketën fiskale 2023 dërguar Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe ministres së Financave Delina Ibrahimaj vlerëson se paketë e re fiskale sjell një ashpërsim të gjobave, ndërkohë që në këtë kohë krize qeveria duhet të propozonte politika më lehtësuese për tatimpaguesit.

Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore që propozojnë dhjetëfishimin e gjobës për mos lëshimin e faturave nga Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerësohen antikushtetuese. Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë ngrenë shqetësimin se gjobat e propozuara për mos lëshimin e faturës janë përtej normave që parashikon aktualisht legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe nuk është marrë në konsideratë parimi i proporcionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Projektligji sipas AmCham shkel lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës njësoj si ligji 99/2015 i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet të rishikohet nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Nga anëtarët e Dhomës Amerikane kundërshtohen edhe propozimet për unifikimin e akcizës te prodhuesit e birrës. Anëtarët e Dhomës ngrenë shqetësimin se unifikimi do të dëmtojë prodhuesit vendas në raport me birrat e importit. Dhoma amerikane e Tregtisë shprehet se regjimi aktual i akcizës ka qenë në të njëjtën linjë me lejimet e BE-së dhe nuk ka qenë në kundërshtim me direktivën.

Komente të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me Paketën

Rritja e gjobave për shkeljet administrative

Vendosja e gjobës në masën 10% të vlerës së parapagimit, në rast vonese të pagesës së parapagimeve të tatim fitimit, të cilat për nga natyra nuk janë një tatim i maturuar, ka elementë të theksuar të mungesës së proporcionalitetit dhe duhet të shqyrtohet edhe në këndvështrimin e kritereve të vendosura nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 33/2016.

Në vijim, projektligji propozon rritjen e penaliteteve për shkeljet administrative të kryera nga tatimpaguesit si më poshtë:

Gjoba për mallrat e pashoqëruara me faturë bëhet 750,000 lekë nga 75,000 lekë që ishte më herët, por kallëzimi penal bëhet në rast se subjekti është përsëritës dhe jo në shkeljen e parë: Dhjetëfishimi i gjobës për moslëshim të faturave për furnizim, pagese, apo pranim të mallrave nga 150,000 bëhët 1,500,000 lekë.

Gjoba për mos deklarimin e punonjësve apo pagave reale behet 200% e detyrimit për entitetet juridike dhe 100 % e detyrimit për tatimpaguesit e tjerë.

Me miratimin e ligjit për Fiskalizimin u propozua dhe u miratuan ndryshimet dhe të sanksioneve (dënimeve administrative) për ligjin e ri të fiskalizimit dhe zbatimi i këtyre sanksioneve i filloi efektet nga data 1 janar 2022. Pas 10 muaj nga zbatimi i këtyre sanksioneve, propozohet dhjetëfishim i këtyre gjobave për kategorinë e biznesit të regjistruar me TVSH dhe tatim fitim.

Nuk e kuptojmë analizën e kryer nga Ministria që është konkluduar në dhjetëfishimin e gjobave për vetëm një kategori të biznesit. Ne gjykojmë se propozimi për rritjen e gjobave është i pabazuar në ligj dhe antikushtetues.

Së pari, ligji i procedurave përcakton që gjobat e vendosura si shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100% të detyrimit tatimor, kufirin e përgjithshëm të gjobës të caktuar në nenin 111 “Dënimet administrative”, pika 5 e këtij Ligji. Propozimi për dyfishim të gjobave për mos deklarimin e punonjësve apo pagës reale sjell konflikt të nenit të ligjit të procedurave tatimore që nuk lejon që gjobat e vendosura të tejkalojnë 100% të detyrimit.

Gjithashtu, një shqetësim tjetër është paqartësia për zbatimin e kësaj dispozite dhe barra e provës që duhet të ketë dhe administratat tatimore në momentin e konstatimit të shkeljes për subjektet. Referuar dyfishimit të gjobës për mosdeklarimin e punonjësve dhe fshehja e pagës, ju sjellim në vëmendjen tuaj se Dhoma ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me këtë ndryshim, me anë të letrës së saj zyrtare me nr.32 datë 27 qershor 2022 si dhe në platformën elektronike të konsultimeve publike. Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka kthyer asnjë përgjigje kundrejt kësaj letre.

Së dyti, për një kategori të caktuar (konkretisht subjektet e regjistruar për TVSH dhe tatim fitim) për moslëshimin e faturës dhjetëfishohen gjobat ndërsa për pjesën tjetër të subjekteve nuk ka ndryshime të sanksioneve. Me propozimet në ketë pakete fiskale, vete ligji do të sjelle trajtime të ndryshme të kategorive të biznesit. Ministria në momentin e propozimit të ndryshimeve për dënimet administrative duhet që të bazohet në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit. Subjektet tatimpaguese të cilat janë në të njëjtën “shkelje” do të dënohen në mënyrë të diferencuar sipas propozimit të fundit, pra nuk do të zbatohet parimi i barazisë dhe mosdiskriminimit.

Së treti, për çdo propozim për ndryshim të dënimeve administrative duhet që të merret në konsideratë parimi i proporcionali tetit si një nga parimet më thelbësore kushtetues si dhe parimi kryesor mbi të cilën mbështeten vlerësimet tatimore dhe dënimet administrative. Sipas këtij parimi, dënimet administrative duhet të jenë në përpjesëtim të drejtë me shkeljen e kryer nga tatimpaguesi. Vetëm duke ruajtur parimin e proporcionali tetit, dënimi për shkelje administrative fiton legjitimitetin dhe përafron masën e dënimit me masën e shmangies tatimore.

Parimi i proporcionalitetit është i përcaktuar në Kodin e Procedurave Administrative dhe përcakton që: 1. Çdo veprim administrativ, i cili, për arsye të mbrojtjes së interesit publik ose të të drejtave të të tjerëve, mund të kufizojë një të drejtë individuale, ose mund të cenojë interesa legjitimë. 2. Veprimi administrativ është në përputhje me parimin e proporcionalitetit vetëm kur ky veprim është: a. i nevojshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar me ligj dhe e arrin atë me mjetet dhe masat që cenojnë më pak të drejtat apo interesat legjitimë të palës: b. i përshtatshëm për të arritur qëllimin e parashikuar në ligj dhe në përpjesëtim të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë.

Normat e propozuara për moslëshimin e faturës janë përtej normave që parashikon aktualisht legjislacionin tatimor në fuqi si dhe nuk është marrë në konsideratë parimi i proporcionalitetit i Gjykatës

Ashpërsimi i masave të gjobave në fushën e tatimeve ka qenë objekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila me vendimin nr. 33 datë 08.06.2016 vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të neneve 5, 14, 15, 16 (pika 4 e shtuar në nenin 121), 17, pikat 1 dhe 2, 18 (pika 2 e nenit 124) dhe 20 të ligjit nr. 99/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.

Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese konkludon se gjobat e vendosura me ligjin nr. 99/2015″….. nuk janë proporcionale dhe të arsyeshme për të rivendosur balancën e drejtë midis kërkesave të interesit të përgjithshëm të komunitetit për një ekonomi të formalizuar dhe kërkesave të mbrojtjes së lirisë së ushtrimit të veprimtarisë ekonomike dhe të së drejtës së pronës të tatimpaguesve. Për sa kohë normat ligjore të mësipërme jo vetëm nuk sigurojnë baraspeshën e kërkuar mes së drejtës së kufizuar dhe interesit publik, por përkundrazi e kanë përmbysur atë duke vendosur një barrë të tepruar e të papërballueshme për subjektet tatimpaguese. Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i kërkueses për mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit në ndërhyrjen ligjore dhe për rrjedhojë cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të së drejtës së pronës, është i bazuar dhe duhet pranuar”.

Gjykata vlerëson në vendim se ashpërsia e gjobave në rastin konkret është e tillë sa ato në thelb shndërrohen në dënime penale. Bazuar në karakteristikat dhe qëllimet e ndryshme midis dënimeve administrative me gjobë të vendosura për një shkelje me natyrë administrative dhe atyre të parashikuara për të njëjtën shkelje kur ajo kualifikohet si vepër penale. Gjykata çmon se kjo masë e ligjvënësit e ka kapërcyer logjikën normale të synimit dhe qëllimit të një mase administrative në fushën e taksave dhe të tatimeve. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se masat e gjobave janë dukshëm të ekzagjeruara dhe jo të përshtatshme për të justifikuar arritjen e qëllimit dhe objektivit për të cilin ato janë parashikuar.

Projektligji që po diskutojmë shkel lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës njësoj si ligji 99/2015 i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet të rishikohet nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Një argument tjetër është fakti se ashpërsimi i gjobave tatimore rrit automatikisht korrupsionin e administratës tatimore pasi përpara një gjobe të lartë, tatimpaguesi bie më lehtë pre e presionit të administratës tatimore për korrupsion me qëllim shmangien e pagesës se gjobës. Për më tepër, që mosdeklarimi i punonjësve është një shkelje jo e lehtë për t’u verifikuar dhe praktika ka treguar shumë raste kur vendimet e administratës për penalizimin e subjekteve janë shfuqizuar nga Drejtoria e Apelimit Tatimor dhe gjykata.

Për sa më sipër, sugjerojmë rishikimin e propozimit për dhjetëfishimin e gjobave dhe të merren në konsideratë komentet tona.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar

Ky ndryshim prek më së shumti prodhuesit shqiptarë të birrës duke qenë se kapacitetet e tyre të prodhimit janë më pak se 200,000 HL/vit. Si pasojë norma e akcizës për prodhuesit vendas të vegjël (pra, me një prodhim me pak se 200,000 HL/vit), parashikohet të bëhet e njëjtë me importuesit/ prodhuesit e huaj të mëdhenj (pra, me nje prodhim me shume se 200.000 HL/vit).

Relacioni shpreh se këto ndryshime bëhen në kuadër të rekomandimeve të FMN-së. Megjithatë, në këndvështrimin tonë, sipas Direktivës 92/84/KEE te BE, vendeve anëtare iu lejohet të aplikojnë një normë të diferencuar akcize bazuar në sasitë dhe nivelin e prodhimit vjetor (kufiri i vendosur është 200,000HL). Pra, regjimi aktual i akcizës ka qenë në të njëjtën linjë me lejimet e BE-së dhe nuk ka qenë në kundërshtim me direktivën.

Ne fakt, unifikimi i akcizës së birrës për të gjithë prodhuesit, pavarësisht nga kapaciteti dhe sasia e prodhimit vjetor do t’i vendosë këta prodhues (sidomos ata vendas që prodhojnë nën 200,000 HL/vit) në disavantazh në raport me prodhuesit e mëdhenj ndërkombëtarë që kanë mundësi të ndjekin strategji të kostove të ulëta si rezultat e ekonomive të shkallës.

Jo më kot BE-ja e ka lejuar një diferencim të tillë, dhe është e paqartë mbi çfarë bazë relacioni e konsideron si “favorizuese” normën aktuale të akcizës për prodhuesit vendas të birrës me prodhim më pak se 200,000 HL/vit. Duke konsideruar dhe efektin e pritshëm të përllogaritur nga vete Dogana, mendojmë se nuk është shumë i nevojshëm ky ndryshim, sidomos në këtë periudhë të vështirë ekonomike për tregun në përgjithësi.

Hapësirat e krijuara për shmangie si rezultat i regjimit aktual nuk duhet të përbejnë arsye të rëndësishme për këtë ndryshim, përkundrazi, qeveria, për rastet e abuzimit, duhet të përmirësojë mekanizmat e parandalimit dhe kontrollit të saj por jo të ndryshojë normat e taksat duke i rritur ato.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë

Përderisa TVSH-ja ngarkohet nga blerësi i energjisë elektrike përmes mekanizmit te reverse charge (ngarkesa e kundërt), dhe furnizimi është ne thelb i tatueshëm e jo i përjashtuar për nga natyra, sugjerojmë qe ne nenin 157 te saktësohet qe “furnizimi brenda vendit i energjisë elektrike të destinuar për t’u shitur nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë” është i tatueshëm me 0% pra si furnizim i ngjashëm me eksportet, ose i përjashtuar por me te drejtën e kreditimit të TVSH-së në blerjet e lidhura me të. Kjo me qëllim për të shmangur koston e TVSH-së së pakreditueshme për furnizuesit e energjisë elektrike, kur qëllimi i skemës është në fakt nxitja dhe lehtësimi i tregtimit të energjisë.

About Redaksia

Check Also

Ymer Barçi prezanton kandidaturën në Primare për Bashkinë e Matit

Të dashur demokratë, anëtarë e simpatizantë Të dashur matjanë! Të nderuar zonja dhe zotërinj! Unë …

Leave a Reply

Your email address will not be published.