Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund ndjekjes penale të Julian Assange-t, thanë mediat kryesore nga SHBA-ja dhe Evropa që kanë bashkëpunuar me themeluesin e WikiLeaks, duke ngritur shqetësimin e lirisë së shtypit.
“Aktakuza ndaj tij krijon një precedent të rrezikshëm dhe kërcënon që të minojë amendamentin e parë të Amerikës dhe lirinë e shtypit”, u shprehën përmes një letre të hapur botuesit dhe redaktorët e gazetave “The Guardian”, “The New York Times”, “Le Monde”, “Der Spiegel”, dhe “El País”
Zoti Assange kërkohet nga autoritetet amerikane për 18 akuza, përfshirë atë për spiunazh, për shkak të publikimit nga Wikileaks të dokumenteve konfidenciale të ushtrisë amerikane dhe të kabllogrameve diplomatike.
Mbështetësit e tij thonë se ai është një hero, pasi ka ekspozuar aktet e paligjshme të SHBA-së, përfshirë ato në konfliktet në Afganistan dhe Irak.
Dje u mbushën 12 vjet nga dita kur mediat bashkëpunuan për të publikuar pjesë nga mbi 250 mijë dokumente që Assage siguroi.
Materialet rrodhën te WikiLeaks nga ushtarja e atëhershme amerikane, Chelsea Manning. Në letër thuhet se “dokumentet ekspozuan “korrupsionin, skandalet diplomatike dhe çështje të spiunazhit në shkallë ndërkombëtare”.
Zoti Assange qëndroi i strehuar për shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër para se të dërgohej në burg më 2019 për shkelje të lirisë me kusht. Ai vazhdon të jetë në një burg në Londër, ku po pret që të vendoset për ekstradimin e tij. Nëse do të ekstradohet në SHBA, ai mund të dënohet deri me 175 vjet burgim.
Ekipi i tij mbrojtës e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë të Londrës, teksa po tenton që të parandalojë ekstradimin.
“Të publikosh nuk është krim”, thuhej në letrën e publikuar të hënën.