Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se historia e PD-së deri ën vitin 2013 është historia e një force tërësisht demokratike. Gjatë fjalës së tij në 32-vjetorin e themelimit të PD-së, Berisha tha se gjatë këtyre viteve në opozitë, PD e drejtuar nga Basha ka tradhëtuar interest e qytetarëve dhe ka bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama.
Ai shtoi se kjo forcë politike u shndërrua në një fasadë të një qeverie që sipas tij kalonte nga dështimi në dështim dhe nga vjedhja në vjedhje.Sipas Berishës, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, në kupolën e lartë drejtuese të PD-së po bëheshin plane për bashkëqeverisje me Edi Ramën.
“PD dorëzoi pushtetin pas një gabimi me skemat piramidale në vitin 1997, ndaj një rebelimi të dhunshëm, i largoi me votë ata që erdhën në pushtet më dhunë në vitin 2005 dhe në vitin 2013 garantoi rotacionin. Në këtë kontekst, kjo histori është historia më demokratike e një force politike. Shtatë vite në opozitë ishin vite të një fatkeqësie të vërtetë. Të jesh ën opozitë nuk është kurrë turp. Je pushteti moral i vendit, sepse qëndron gardian i interesave të qytetarëve.
Sepse nuk të josh asgjë tjetër veç interesit të qytetarëve. Por mjerisht, kjo nuk ndodhi me PD-në. Kjo parti, për shkak të takimeve të fshehta dhe marrëveshjeve të fshehta, për shkak të bizneseve të fshehta të kreut, të përziera dhe të papërziera me qeverinë, ajo u shndërrua në një fasadë të një qeverie që kalonte nga skandali në skandal.
Dhe në zgjedhjet e 25 prillit, një besim i jashtëzakonshem i qytetarëve shqiptarë, u tradhëtua. U shkelmua. Për interesa më të ulëta dhe meskine. Vetëm e vetëm që PD të shndërrohej në një aleate të PS-së së Edi Ramës. Në një kohë që demokratët e demokratet ndoshta qanin edhe me ngashërim për rezultatin, në krahun tjetër bëheshin plane për bashkëqeverisje me Edi Ramën”, u shpreh Berisha.