Në 32-vjetorin e themelimit të PD, Oerd Bylykbashi tha se zgjedhjet e lira, demokratike dhe pluralizmi janë ato që i duhen demokracisë, duke shtuar se kryeministri Edi Rama ka shkelur disa herë vijën e kuqe.
“32-vite më parë isha vetëm një gjimnazist dhe kur erdhi lajmi se më 8 dhjetori ishin rebeluar studentët në Durrës na erdhi ai lajm, kishim pasion. Po ashtu kur erdhi lajmi se ishte themeluar PD, ndoshta nuk e rrokëm shumë kuptimin e saj. Besoj se të gjithë e kanë brenda një urë që e ka përshkruar vetë. Pluralizmi si themel i ndarjes së pushteteve dhe shtetit të së drejtës. Në demokraci mjaftojnë zgjedhje të mira demokratike dhe pluralizmi. Në këto 9 vite Rama ka shkelur vijën e kuqe të zgjedhjeve, e ka bërë këtë disa herë. Rama ka vënë në shënjestër vijën e kuqe, atë që na ndan nga diktatura, pikërisht pluralizmin”, tha ai
FJALA E N/KRYETARIT TË PD OERD BYLYKBASHKI
I nderuar kryetar i PD, Prof. Dr. Sali Berisha
Të nderuar themelues të PD, drejtues ndër vite, anëtare sipatizantë që jeni sot këtu e që na ndiqni nga larg
Të nderuar miq
Sot kam emocion po aq sa një vit më parë. Si sot një vit më parë pata nderin që para gati 5000 delegatëve të Kuvendit e mijëra antarëve të PD të prezantoj statutin e ri të saj. Emocionet që përjetova kur ngrita kokën dhe pashë atë spektakël demokracie nuk do t’i harroj kurrë.
Para meje vibronte plot besim, shpresë e pasion, një nga aktet më lapidare të demokracisë, shfaqja më e madhe e demokracisë pas ngjarjeve epokale në Qytetin Studenti të dhjetorit 1990 e shkurtit 1991 që sollën pluralizmin dhe demokracinë, Rithemelimi i PD.
32 vite më parë unë kam qenë gjimnazist 16 vjeçar. Na erdhi lajmi se më 8 dhjetor ishin rebeluar studentët. Shkruam në tabelë “Solidarizohemi me studentët!” dhe ishim gjithë pasion e besim, por kishim zili shokët tanë që kishin filluar studimet universitare e na sillnin lajme nga Qyteti Studenti. Kur erdhi lajmi se ishte themeluar PD, ngazëllimi ishte I madh, por ndoshta nuk e kuptuam dimensionin plotë të atij akti.
Zgjodha këtë mënyrë me mbresa personale, e jo një kronologji të ftohtë historike, që të vendos një urë mes 11 dhjetorëve që kanë bërë histori, atij të 1990 dhe atij të 2021, me këtë moment sot. Gjithkush prej jush këtu e ka përbrenda një urë të tillë që ia bën më personal e të vërtetë 11 dhjetorin.
E lehtë ta kuptosh këtë dimension të jashtëzakonshëm të vendosjes së pluralizmit në 11 dhjetorin e sotëm, apo edhe vjet në 11 dhjetorin e stadiumit Air Albania. Por ishte e vështirë ta rrokje në atë 11 dhjetor të 32 viteve më parë dimensionin e momentit kur u shpall themelimi i PD.
Atë ditë lindi pluralizmi politik, themeli i lirisë së shprehjes së mendimit të lirë, lirisë për të zgjedhur me kë të bashkohesh për të çuar përpara idetë, në një garë të drejtë, liria për të zgjedhur mes platformash konkuruese, e këtë zgjedhje ta bësh i lirë, në fshehtësi, e vota jote të jetë e barabartë. Lindi pluralizmi si themel i ndarjes së pushteteve dhe shtetit të së drejtës.
Ja ku jemi sot 32 vite më pas dhe ajo që u arrit atëher është në rrezik serioz. Në demokraci nuk ka nevojë për shumë vija të kuqe. Mjaftojnë dy: zgjedhjet e lira e të ndershme dhe pluralizmi.
Zgjedhjet e mira janë shtrat për mirëqeverisje. Në 2009 ODIHR tha: Zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të standarteve. Pasoja: Na u dha e drejta të aplikonim për antarësim në BE, u antarësuam në NATO dhe na u liberalizuan vizat. Garantuam rotacion politik me zgjedhje në 2013 dhe Shqipëria mori statusin e Vendit Kandidat.
Edi Rama në këto 9 vite e ka shkelur vijën e kuqe të zgjedhjeve pa u ndëshkuar. Në 2021 ODIHR tha se zgjedhjet nuk ishin as të lira e as të fshehta. PD tha fjalë por nuk veproi.
Por prej më shumë se një viti Edi Rama ka vënë në shënjestër vijën e fundit që na ndan nga diktatura, PLURALIZMIN.
Fillimisht përdori korruptimin e opozitës duke ofruar bashkëqeverisje okulte. Loboi ndërkombëtarisht që ta përçante PD me non grata pa prova. Ata që bashkëpunuan me Edi Ramën e çentralizuan PD dhe përjashtuan deputetë e demokratë të thjeshtë që nuk ranë dakord. Por demokratët reaguan.
Më 9 shtator 2021, akti i porositur për përjashtimin e Sali Berishës nuk shkaktoi thjesht valë shoku. Atë mbrëmje u vu në lëvizje sistemi imunitar i demokracisë. Foltorja sot ka hyrë në histori dhe në fjalorin politik si sinonim i demokracisë.
Edi Rama acarohet kur mendon se sa vaj i kishte punët para 9 shtatorit 2021 dhe se si i ka sot, kur përballë ka një PD krejt tjetër, me një lidership që nuk bën pazare e një opozitë të vendosur për ta rrëzuar nga pushteti.
Edi Rama përdori policinë e gazin lotsjellës kundër PD, kundër jush. Po përdor padinë e paligjëshme që disa individë, që nuk duan të njohin votën e antarësisë dhe vullnetin e saj, ia kanë ngulur PD-së në trup. Po përdor gjykatën për të mbajtur peng regjistrimin në zgjedhje të PD dhe kandidatëve që u zgjodhën në primare nga 55.000 anëtarë dhe simpatizantë në një proces pa precedent.
Akti më I fundit, më 6 dhjetor nuk ishte sulm kundër Sali Berishës, por kundër PD, kundër çdo demokrati e kundër opozitës. Ishte aggression mbi PLURALIZMIN.
Më 6 dhjetor u kapërcye edhe vija e fundit e kuqe, ajo e pluralizmit. Sot nuk ka më vend për fjalë paralajmëruese, po për veprim. Edi Rama ndëshkohet për prekjen e zgjedhjeve që po vijnë dhe për sulmin ndaj pluralizmit!
Disa kanë zgjedhur diplomacinë, por ne, shumica, kemi zgjedhur demokracinë. Vota e lirë është shpresa dhe zgjidhja!
Demokracia është si lumi. Lumi ka shtratin e tij, dhe shtrati i demokracisë janë zgjedhjet e lira pluraliste e konkuruese. Edi Rama po kërkon t’i vejë një barrierë këtij lumi dhe përpiqet ta mbajë atë me disa shkopinj. Gabim shumë i madh, sepse ky lumë që quhet opozitë demokratike do t’i marrë përpara. Nëse e llogarit ndryshe, i bën llogaritë shumë gabim.
Miq, duke ju uruar gëzuar themelimin e PD, ju bëj thirrje të ngrihemi në mbrojtje të pluralizmit q ë na sollën studentët 32 vite më parë!
Gëzuar!