Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të pas publikimit të faturave në media, ku biznesmeni Klodian Zoto i ka paguar udhëtimet dhe hotelet luksoze ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në kohën kur ishte ministër Financash, duke e implikuar direkt në çështjen e inceneratorëve.
Në një prononcim për gazetarët, Rama fillimisht nuk pranoi të bënte asnjë koment dhe pas insistimit të gazetarëve sulmoi mediat.
Ndër të tjera, Rama tha se, “nëse ne nisemi për një betejë dhe kemi qëllim të caktuar dhe rrugës dikush ose disa këpusin dhe dardha e mollë për t’u futur në shportë pas shpinës time, punën nuk e kanë me mua por me drejtësinë”.
Ndërkohë gazetari Klodian Tomorri, duke folur për MCN TV, tha se kjo situatë tregon se në organizatën mafioze qeveritare ka nisur sherri.
“Kjo është një katrahurë aq e madhe sa ka përfshirë gjithë shtetin dhe qeverinë. Ajo që po ndodh me inceneratorët në Shqipëri, është ajo që ndodh me organizatat mafioze ku kërcet sherri për ndarjen e plaçkave të luftës. Kjo është ajo që po ndodh me inceneratorët.
Kohët e fundit ka shantazhe dhe luftë të brendshme me aktorët kryesorë në këtë histori se procesi i ndarjes së plaçkës ka krijuar pakënaqësi dhe sherre. Tani që afera ka shpërthyer, po kërkohet të bëhet dikush kurban.
Kjo është katrahurë aq e madhe sa nëse inceneratorët do hetoheshin tamam në Shqipëri nuk do kishte më shtet, e gjithë klika do paralizohej se është një aferë që ka përfshirë gjithë hierarkinë e qeverisë”, tha Tomorri.