Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ka kërkuar intensifikimin e ndjeshëm të luftës ndaj pastrimit të parave dhe frenimin e iniciativave që komprometojnë daljen e Shqipërisë nga lista gri e “Moneyval”.
Në këtë mënyrë, kreu i “AmCham” bëri edhe një herë të qartë, kësaj here indirekt, qëndrimin kundër amnistisë fiskale, nismën e kontestuar të qeverisë Rama. Jaço i bëri deklaratat në Konferencën Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ku solli në vëmendje apelin kritik të Bashkimit Evropian dhe FMN-ja ndaj Shqipërisë. “Prej dy vitesh, ‘Moneyval’ mban Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave. Vetëm 14 vende në botë janë pjesë e listës gri. Asnjë vend në Evropë ose i Ballkanit Perëndimor nuk është pjesë e kësaj liste. Ndaj është me një rëndësi themelore frenimi absolut i çdo lloj iniciativë, e cila do komprometonte luftën ndaj pastrimit të parave dhe prioritetin e plotësimit të kushteve për të dalë nga lista gri. FMN-ja dhe BE-ja kërkojnë pikërisht këtë”. Por, pavarësisht kundërshtive të shprehura nga BE-ja, opozita, biznesi, ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore apo edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar të cilat e kanë parë amnistinë fiskale si kërcënim për evazion fiskal, dëmtimin e konkurrencës në treg, por edhe si shteg për pastrimin e parave të pista, qeveria duket e vendosur për ta çuar para nismën me “pretekstin” se e ka kërkuar 60 për qind e shqiptarëve. Draftligji parashikon deklarimin vullnetar të pasurisë deri në 2 milionë euro pa penalitete dhe përkundrejt një detyrimi tatimor modest.
PASTRIMI I PARAVE
Jaço nënvizoi se fenomeni i pastrimit të parave dëmton bizneset e ndershme në vend, frenon investitorët e huaj si dhe dëmton konsumatorin. Sipas tij ky aktivitet i paligjshëm krijon imazhin e një tregu të pasigurt ku investitorët serioz dhe ata të huaj nuk duan të përfshihen. “Depërtimi i botës së krimit apo organizatave kriminale në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pabarazisë përmes përvetësimit të privatizimeve dhe koncesioneve të dyshimta me procedura abuzive, rritjes së ekonomisë informale dhe përhapjen e korrupsionit në çdo degë të tij. Të gjitha këto cenojnë lirinë e tregut dhe konkurrencës duke bërë që bizneset e ndershme të pësojnë rrudhje të performancës në aktivitetet e tyre dhe nga ana tjetër investitorë të huaj të heqin Shqipërinë nga lista e vendeve që projektojnë për të investuar, duke e parë si treg të pasigurt”.
Jaço mori shembullin e tregut imobiliar, ku sipas tij fenomeni i pastrimit të parave në ndërtim ka dëmtuar konsumatorin duke bërë që rritja e çmimit të apartamenteve të mos jetë e njëjtë me indeksin rritjes së pagave të qytetarëve. “Është një terren i favorshëm për grupet kriminale që duan të pastrojnë paratë. Ka një tendencë nga publiku që pastrimin e parave e ka parë si një krim të butë. Por pasojat e këtij krimi dëmtojnë biznesin duke i nxjerrë disa prej tyre jashtë loje. Ndikon dhe te konsumatori në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Është jashtëzakonisht negative për investitorët e huaj. Nëse është një treg ku ndodh pastrimi i parave nuk është një treg i sigurt. Kemi tkurrjen e investimeve të huaja dhe rritjen e investimeve që kanë të bëjnë me pastrimin e parave. Pastrimi i parave krijon imazhin e një tregu të pasigurt ku nuk duan të përfshihen investitorët serioz.
Unë do të doja që ta shikonit dhe nga aspekti i konsumatorit. Është e prekshme çfarë ndodh me sistemin imobiliar. Çmimet rriten me ritme tepër të larta nga rritja e indeksit të pagave dhe nuk do shumë që ta kuptosh që pas kësaj veprimtarie fshihet fenomeni i pastrimit të parave”, tha Jaço duke shtuar më tej se “lufta ndaj informalitetit përmes eliminimit të parasë ‘Cash’ dhe kalimit drejt ekonomisë dixhitale përmes një kornize ligjore në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian do të shmangte evazionin fiskal dhe ekonominë informale”. Presidenti i Dhomës Amerikane vlerësoi diskutimet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe rolin e rëndësishëm të medias në trajtimin e fenomenit të pastrimit të parave, por edhe çështjeve të tjera me rëndësi për situatën ekonomike por edhe atë sociale.