Komiteti i Bernës kërkoi pezullimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës, Rama nuk tërhiqet

Thirrjet për të pezulluar punimet në Aeroportin e Vlorës nuk e shqetësojnë kryeministrin Edi Rama. Mëngjesin e sotëm, ka uruar ndjekësit ditë të mbarë, shoqëruar me pamjet nga aeroporti. Sipas tij, Aeroporti i Vlorës do jetë më i madhi në Ballkan dhe këtë vepër e cilëson si nyje strategjike, e cila do ndikojë në fuqizimin ekonomik të vendit.

“Mirëmëngjesi, dhe me punën që vijon në rrugën e Aeroportit të Vlorës, i cili do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan, dhe një ndër investimet më të rëndësishme për ekonominë e vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri Edi Rama.

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ditë më parë u kërkoi autoriteteve shqiptare të pezullojnë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe të ndërmarrin një program gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër dhe rishikimin e të dhënave të Raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për zonën ku po ndërtohet aeroporti.

Komiteti i Konventës së Bernës e ka mbështetur kërkesën për autoritetet shqiptare “mbi një vlerësim paraprak të ekspertit, duke e trajtuar çështjen me urgjencë pas ankimimit të organizatës mjedisore shqiptare “Eco Albania” se ndërtimi i aeroportit po përparon me shpejtësi”.

Konventa e Bernës e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës. Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.

About Redaksia

Check Also

Veliaj pranoi se ka aksesuar regjistrin civil, kjo mjafton për ngritur një akuzë për abuzim me detyrën

Gazetari Gjergj Erebara ka ndarë një postim në Facebook, ku e ka kritikuar ashpër veprimin …

Leave a Reply