Elon Musk i bllokon llogarinë gazetarit të Zërit të Amerikës, tregon arsyen…

Elon Musk, pronari i ri i medias sociale Twitter, deklaroi në këtë platformë muajin e kaluar se është i përkushtuar ndaj fjalës së lirë. Por të enjten, ai pezulloi llogaritë në Twitter të disa gazetarëve, përfshirë llogarinë e korrespondentit kryesor të Zërit të Amerikës për çështjet kombëtare, Steve Herman.

Ndjekësit e zotit Herman, i cili është ish-shefi i zyrës së korrespondentëve të Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, u përballën në llogarinë e tyre me një ekran të zbrazët dhe mesazhin “Llogari e pezulluar”.

Llogaritë e gazetarëve nga rrjeti i transmetimeve CNN, gazetat The New York Times dhe The Washington Post, si dhe të disa gazetarëve të pavarur, shfaqën mesazhe të ngjashme.

Nuk u bë menjëherë e qartë pse u pezulluan llogaritë. Kërkesa për koment e dërguar nga Zëri i Amerikës në adresën e postës elektronike të publikuar në faqen e kompanisë Twitter për kontaktet me mediat, u kthye mbrapsht si e padërgueshme.

Shumë nga këta gazetarë kanë shkruajtur artikuj apo kanë komentuar për ndryshimet e bëra në Twitter nga zoti Musk.

Në përgjigje të mesazheve në Twitter të enjten, zoti Musk u shpreh në këtë platformë se: “Të më kritikoni gjithë ditën është shumë në rregull, por të nxirret qëllimisht vendndodhja ime në kohë reale dhe të rrezikohet familja ime nuk është (e pranueshme)”.

Zoti Musk shtoi se “disa rregulla për nxjerrje të qëllimshme të informacionit identifikues vlejnë për ‘gazetarët’ ashtu si për të gjithë të tjerët’, duke iu referuar kështu rregullave të vendosura nga Twitter për ndalimin e publikimit të të dhënave personale.

Zoti Musk kishte pezulluar më parë një llogari në Twitter, @elonjet, që ndiqte lëvizjet e avionit të tij personal, duke përdorur informacionin që është i disponueshëm publikisht. Ai tha se djali i tij ishte “përndjekur nga një i çmendur”, që përdorte informacionet nga kjo llogari.

Megjithëse disa prej personave llogaritë e të cilëve u pezulluan e raportuan incidentin, asnjë prej tyre nuk kishte nxjerrë të dhëna vendndodhjeje apo përmbajtje që mund të përshkruhej si të dhëna personale, u shpreh rrjeti CNN në një njoftim publik.

Zoti Musk shkruajti të enjten se pezullimet do të zgjasnin shtatë ditë. Më pas, një anketim u zhvillua në Twitter, ku pyeteshin ndjekësit se kur duhet të riktheheshin llogaritë e pezulluara. Pasi 43% votuan për rikthimin e menjëhershëm të këtyre llogarive, zoti Musk tha se do ta ribënte anketimin për shkak se pati më shumë opsione se ç’duhej.

Zoti Herman ka raportuar për herë të fundit për Zërin e Amerikës në lidhje me platformën Twitter në shtator. Të enjten, ai po shkruante në Twitter për rastin e @elonjet.

“Kisha shkruajtur disa herë mbrëmjen e së enjtes për këtë dramë në rritje, që pati filluar me pezullimin e të ashtuquajturës llogari robotike që nxirrte vendndodhjen e avionit privat të Elon Musk-ut”, i tha zoti Herman Zërit të Amerikës.

Në mesazhin e tij të fundit në Twitter, zoti Herman publikoi një link për një artikull të gazetës Washington Post dhe shkruajti: “Më shumë reagime për vënien në shënjestër të enjten mbrëma të gazetarëve në Twitter”.

Pak më pas, llogaria e tij u pezullua. Zoti Herman tha se nuk mundej më të dërgonte mesazhe apo të reagonte ndaj mesazheve të të tjerëve.

Nëpërmjet një deklarate në orët e vona të së enjtes, Zëri i Amerikës konfirmoi se llogaria e zotit Herman ishte pezulluar dhe i bëri thirrje platformës së mediave sociale që ta riaktivizonte atë.

“Zoti Herman është një korrespondent me përvojë që ruan standartet më të larta të gazetarisë dhe e përdor platformën e medias sociale për mbledhje lajmesh dhe për komunikim. Zoti Herman nuk ka marrë asnjë informacion nga Twitter-i se përse ishte pezulluar llogaria e tij”, u shpreh në një email zëdhënësi i Zërit të Amerikës, Nigel Gibbs.

“Si korrespondenti kryesor për çështjet kombëtare, zoti Herman mbulon zhvillimet në vend dhe ato ndërkombëtare, dhe ky pezullim dëmton aftësitë e tij për të kryer detyrën si gazetar”.

Një zëdhënës i gazetës New York Times tha se “Pezullimi i sotshëm i llogarive në Twitter të disa gazetarëve të shquar, ndër ta edhe Ryan Mac i gazetës New York Times, është i debatueshëm dhe për të ardhur keq. As gazeta dhe as zoti Ryan nuk kanë marrë një shpjegim përse kjo ndodhi. Shpresojmë që të rikthehen të gjitha llogaritë e gazetarëve dhe që Twitter do të ofrojë një shpjegim bindës për këtë veprim”.

Në një deklaratë, rrjeti CNN i përshkroi pezullimet si “impulsive dhe të pajustifikuara” dhe tha se i ka kërkuar Twitter-it një shpjegim. CNN-i tha se do të rivlerësojë marrëdhënien me këtë platformë, bazuar në përgjigjen që do të marrë.

David Kaye, një ish-raportues i posaçëm i OKB-së për lirinë e shprehjes dhe mendimit, shkruajti në llogarinë e tij në platformën Mastodon se ajo që po ndodh në Twitter është thjesht frikësim. Ai tha se “nëse merresh me gjërat që nuk i pëlqejnë Elonit, atëherë përjashtohesh”.

Twitter po përdor gjithnjë e më shumë automatizimin, në vend të shqyrtimit nga punonjësit, për të kontrolluar përmbajtjen, i tha këtë muaj agjencisë së lajmeve Reuters Ella Iwin, drejtorja e re në Twitter për mirëbesimin dhe sigurinë.

Në momentin e pezullimit, zoti Herman, një gazetar me eksperiencë i transmetimeve, kishte rreth 112 mijë ndjekës.

Zoti Herman i tha Zërit të Amerikës në orët e vona të së enjtes se kishte marrë një lajmërim se llogaria e tij ishte pezulluar përgjithnjë. Në lajmërim gjendej një link ku mund të apelohej vendimi. Kur ai klikoi këtë link, iu shfaq mesazhi: “Asnjë rezultat. Lutemi përpiquni të kërkoni për diçka tjetër”.

Ndryshimet në Twitter janë me interes për audiencat globale, tha zoti Herman.

“Është qartazi një histori që po rritet për lirinë e shtypit dhe njerëzit janë të interesuar pasi ka të bëjë me një platformë shumë të madhe të medias sociale, një person që më duket se është personi i dytë më i pasur në botë. Dhe e gjitha kjo po ndodh në Amerikë, me Kushtetutën tonë, Amendamentin e Parë dhe demokracinë”.

About Redaksia

Check Also

“La Repubblica”: Kush është avokati i narkotrafikantëve pas paktit 1 miliard euro Rama-Meloni

Gazeta e njohur italiane La Repubblica ka shkruar një artikull për marrëveshjen mes Italisë dhe …

Leave a Reply