Ditën kur Arben Ahmetaj, numri 2 i qeverisjes së Edi Ramës për një kohë të gjatë, u filmua në qytezën luksoze të Gstaad në Alpet e Zvicrës, opinioni publik në Shqipëri ishte i zënë me të tjera skandale që prodhon thuajse çdo ditë qeveria e Ramës. Nga resorti ku pushojnë miliarderët, Arben Ahmetaj nuk duket i shqetësuar fare të paktën për një gjë: nga hetimet e SPAK.
Pas vetëm 13 ditësh hetimi, Prokuroria e Posaçme arriti në përfundimin se padia e depozituar ndaj dy prokurorëve Ened Nakuçi dhe Klodian Braho, të cilët nuk kanë hetuar për për skandalin e faturave të Arben Ahmetajt, duhet rrëzuar.
Edhe pse provat për akomodimin e Arben Ahmetajt në hotele luksoze në mbarë Europën, së bashku me partneren e tij, me paratë e Klodian Zotos, ishin të të nxjerra nga një akt-ekspertë, SPAK deklaroi se prokurorët nuk kanë shpërdoruar detyrën dhe nuk kanë penguar zbulimin e të vërtetës.
Madje të dhënat nga sistemi TIMS, provonin se edhe mbrojtja publike e Ahmetajt, se po i vënë gjoba dhe se nuk ka qenë në këto hotele, nuk qëndron.
Në historinë e drejtësisë shqiptare, ka pasur lajthitje, por argument më qesharak dhe fyes se ai i përdorur nga SPAK për të mbrojtur dy prokurorët e tyre, zor se mund të ketë. SPAK deklaron se procesi i çmuarjes së provës është një proces i ndërlikuar pasi përbërës të tij janë jo vetëm komponentët juridikë, por edhe ata të brendshëm dhe psikologjikë.
Më tej në vendimin e mosfillimit shpjegohet kuptimi shqip i bindjes së brendshme që dy prokurorët patën për ministrin e financave Arben Ahmetaj, që SPAK e përkthen se është ajo ndjenjë që formohet tek organi procedues në bazë të përshtypjeve të tij për drejtësinë. Me fjalë të tjerë, faktet për Arben Ahmetajn u injoruan përpara gjendjes psikologjike të dy prokurorëve.
Ndërkohë lajthitja i lë vendin mashtrimit. Në njoftimin e SPAK, thuhet se ndaj dy prokurorëve është vendosur mosfillim i procedimit penal, duke argumentuar se hetimi vijon i ndarë në 4 akte të tjera. Nëse i hedh një sy katër akteve që janë ndarë për hetim nga prokurorët Braho dhe Nakuçi, emri i Arben Ahmetajt apo Ministrisë që ai drejtonte, nuk figuron në asnjë vend.
Të vetmet ministri të përfshira në aktin 277/2, janë të Mjedisit dhe ajo e Energjisë dhe Industrisë, në atë kohë në varësi të Damian Gjiknurit. Pra, e thënë më qartë, vetë SPAK ka mbrojtur qëndrimin e prokurorit Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, të cilët jo vetëm nuk e kanë përfshirë në hetimet Arben Ahmetajn, por ai nuk është marrë kurrë në pyetje nga këta prokurorë për hetimet e inceneratorëve.
Në hetimet prej 13 ditësh për këtë skandal që është përfshirë Ahmetaj, SPAK nuk sqaron nëse janë bërë verifikimet në kompjuterin e Klodian Zotos dhe a janë përfshirë këto fatura për ish Ministrin e Ekonomisë. Nxitimi për të mbyllur këtë hetim, ngre dyshime nëse Ahmetaj do të merret i pandehur, pasi figuron që ka firmosur disa dokumente si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, ku ka shprehur dakordësinë për dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit dhe atij të Fierit.