Nga Bujar LESKAJ
6 Janari i vitit 1991 është një datë shumë e rëndësishme për degën e Partisë Demokratike, dega Vlorë dhe për qytetin tonë.
Është data e mitingut të parë të Partisë Demokratike, mitingu që konfirmoi jo vetëm themelimin, por edhe lidhjen e Vlorës dhe vlonjatëve me PD.
Mijërat e qytetarëve vlonjatë, të cilët vranë frikën dhe mbushën Sheshin e Flamurit, dëshmuan shpirtin demokratik e liridashës të vlonjatëve, shpresën te e ardhmja, përqafuar lirinë e demokracinë.
Mirënjohje për të gjithë ata qytetarë demokratë vlonjatë, që mbushën Sheshin e Flamurit dhe dëshmuan se edhe Vlora kishte ZË e DINJITET!
Mirënjohje për të gjithë ata intelektualë, që me fjalët e tyre dëshmuan se pavarësisht 50 viteve diktaturë, shpirti demokratik e i lirë i Vlorës nuk ishte shkatërruar as nga varfëria, as nga dhuna, frika, terrori e persekutimi.
Me mirënjohje përmend organizatorët dhe folësit në miting: Afrim Jupi, Petrit Stefa, Hasko Hoxha, Dashamir Frakulla nga Vlora dhe drejtuesit e PD të ardhur nga Tirana dhe që folën përpara popullit vlonjat: Prof. Dr. Sali Berisha, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, Arben Imami.
Partia Demokratike ia ka borxh Vlorës e vlonjatëve vrullin, largpamësinë, krenarinë, shpresën e asaj dite…
Dhe PD do t’ja kthejë Vlorës e vlonjatëve shpresën, besimin, ëndrrën, e 6 janarit 1991!