Presidenti amerikan, Joe Biden refuzoi që t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me skandalin e dokumenteve të klasifikuara, të gjetura në qendrën e tij ‘Penn Biden Center’.
Sipas Fox News, dokumentet i përkasin kohës kur Biden ishte zëvendëspresident dhe u zbuluan nga avokatët e tij më 2 nëntor në institutin e politikave ‘Penn Biden Center’.
Shtëpia e Bardhë bëri me dije se bëhet fjalë për dokumente me shënimin si të klasifikuara. Arkivat Kombëtare janë njoftuar dhe i kanë marrë dokumentet nën kontroll.
Por kur u pyet nga reporterët se cili është reagimi i tij ndaj këtyre zbulimeve, Biden nuk dha asnjë përgjigje.
“A keni ndonjë përgjigje për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara në zyrën tuaj?” e pyeti një gazetari. Presidenti uli kokën dhe injoroi pyetjen.
Instituti ‘Penn Biden’ është i lidhur me Universitetin e Penslivanisë dhe është hapur në Uashington në shkurt të vitit 2018.
Ky lajm vjen pasi Biden më herët e kishte kritikuar ish-presidentin Donald Trump kur FBI gjeti dokumente të klasifikuara në banesën e tij në Florida.
“Si mund të ndodhte kjo? Si mund të jetë dikush kaq i papërgjegjshëm,” pati deklaruar Biden.
Trump reagoi ndaj lajmit për zbulimin e dokumenteve të Biden, duke pyetur nëse presidenti do të hetohet nga FBI.
“Kur do të bastisë FBI shtëpitë e shumta të Biden, ndoshta edhe Shtëpinë e Bardhë? Këto dokumente nuk ishin të deklasifikuara”, tha Trump.