Petrit Doda, deputeti i cili zëvendësoi Alfred Rushajn në Kuvend do të regjistrohet si deputet i Pavarur dhe jo si deputet i grupit parlamentar të PD. Ky është vendimi i marrë së fundmi nga Doda. Ai ka bërë të ditur se vendimin ia ka komunikuar dy grupeve të PD-së dhe është konsultuar me Princ Lekën dhe me deputetë të vjetër.
Sipas Dodës, ky është momenti i cili reflekton për bashkim.
“Unë shkova në Parlament si deputet i opozitës, demokratët më kanë mbështetur. Ngelem deputet i opozitës, por nuk jam as vegël e Edi Ramës dhe as nuk dua të prish balancat brenda grupeve. Ato duhet të bashkohen dhe të çojmë demokratët në pushtet. Krerët i kanë punët e tyre në terezi. Ndërsa demokratët janë në rrugë të madhe, janë pa punë, pa pensione. Unë nuk dua të prish balancat. Unë u futa në listën e kandidatëve me siglën e Legalitetit dhe vendimin e kam konsultuar edhe me Princ Lekën dhe deputetët më të vjetër. Vendimin tim ia kam komunikuar edhe Flamur Nokës. Ai ka për qëllim të bëjë riformatim. Unë nuk jam me grupin e Alibeajt, është keqinterpretuar. i kam kolegë dhe i respektoj. Unë u kam thënë “pajtohuni me demokratët të rrezojmë regjimin e Edi Ramës”.
Rushaj hoqi dorë nga mandati i deputetit për arsye personale dhe automatikisht, vendi i tij i kaloi Dodës.
Ky vendim vjen vetëm një ditë pas Enkelejd Alibeaj pasi mori vendimin për të përjashtuar 4 deputetë të tjerë që janë në krah të Berishës, Tritan Shehun, Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn.