Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehet i pashqetësuar për largimin e deputetit të Shkodrës, Agron Çela tek Partia Socialiste. Meta thotë se nuk ka pasur asnjë komunikim nga deputeti Agron Çela për vendimin që kishte marrë.
“Unë nuk pengoj asnjë që të bashkohet me partinë e Ramës. Nuk kam pasur asnjë kontakt. Asnjë njoftim prej tij. 3-4 ditë përpara daljes së lajmit të tij, kemi qenë në një mbledhje kryesie, më pas ishim në një aktivitet në Shkodër. Bëri një zgjedhje të tij. Ishte i pavarur.
Në regjimin e Edi Ramës çdo gjë mund të ndodhë. Kush është shqetësimi këtu? Iku një deputet i opozitës që nuk foli kurrë kundër qeverisë? Ka votuar ndonjëherë kundër qeverisë? Jo s’ka votuar. Kur kam qenë dikur në LSI, iku një deputet në Fier, më pas morëm dyfishin e votave” – tha Meta.
I pyetur nëse të larguarit pendohen dhe kërkojnë të kthehen në Partinë e Lirisë, Meta la të kuptohet se nuk ka më vend për ta.
“Nuk dua të merrem me këtë çështje. Secili ecën dhe promovohet në bazë të meritave që ka sot, do ketë nesër. Në Shkodër, edhe në 2019-ën PS-ja ishte vetëm, e humbi. Efekti PD-PL do jetë shumë herë më i lartë se në 6 mars. Shkodra e di që kjo nuk është zgjedhje individësh. Nuk ka rëndësi nga janë të konvertuarit. Shkodra e di se si ka vuajtur në të kaluarën nga një regjim monist. Raporti me Shkodrën është solid” – tha Meta në një intervistë për Syri Tv.