Nënkryetari i PD, deputeti Oerd Bylykbashi ka folur sot në News24 për vendimin e Enkelejd Alibeaj për përjashtimin nga grupi të katër deputetëve mes tyre dhe ai vetë.
Në intervistë, Bylykbashi ka sqaruar se përse nuk ka asnjë vlerë ky akt në aspektin politik dhe kushtetues dhe pse është nul.
“Është një llogari e cila po të marrësh parasysh të gjitha shkarkimet duke filluar nga Basha e Alibeaj po bëhen 6, parlamentare dhe partiake. Ai akt qesharak që opinioni publik mësoi pak ditë më parë nuk ka asnjë vlerë. Juridikisht është nul. Shkelje flagrante e statutit. hedh dritë te marrëzia dhe dëshpërimi që i ka kapur disa individë për të mbajtur një pushtet që nuk ekziston.
Ky përjashtim nuk vlen. Mua dhe kolegët e mi të PD-së na kanë votuar demokratët. Së pari ne jemi deputetë. Kemi pranuar të konkurrojmë për PD-në, jemi të nderuar për këtë gjë. Jemi shpallur deputetë në emër të PD-së. Askush nuk na e heq këtë tagër përfaqësimi për llogari të PD-së. Këtë nuk e lejon kushtetuta, kodi zgjedhor, rregullorja e parlamentit. Në aspektin kushtetues e ka vlerën nul. Në aspektin politik e ka vlerën nul. Demokratët e kanë ndarë. Unë jam i nderuar që demokratët më kanë votuar nënkryetar i PD-së. Jemi në një situatë absurdi komik ku pak individë për shkak të një axhende që orkestrohet dhe i intereson Edi Ramës bëjnë këtë situatë.
Në aspektin politik dhe kushtetues vlerën e ka zero. E vetmja vlerë se ia pranon maxhoranca socialiste. Këta mbijetojnë me këtë lloj sjelljeje. Në seancën e fundit të vitit që shkoi ne na u vu në dispozicion një vendim në janar 2022, ku grupi parlamentar, pas asaj që kishin bërë blindimin e partisë nga lidershipi i partisë, ata në vijim të këtij veprimi, mbylljes së PD-së duke lënë jashtë demokratët vendosën të përjashtonin 4 deputetë të tjerë, Vokshin, Spahon, Baçin dhe Nokën.
Një numër deputetësh të tjerë pezulloheshin, mes tyre dhe unë dhe kolegët e tjerë.
Ne këtë vendim e kemi parë vetëm në seancën e fundit të dhjetorit.
Aty pamë që Alibeaj pas dorëheqjes së Rushajt kishte firmos një vendim. Vendimi i referohet një rregulloreje të shtatorit 2017, e cila është e shfuqizuar nga rregullorja e pesë muajve më pas, e cila iu është komunikuar zyrtarisht nga sekretaria deputetëve. Ka dy aspekte, shfuqizon këtë rregulloren që shërben si baza e një vendimi absurd dhe e dyta rregullorja e shkurtit 2018 nuk ka as edhe një germë që autorizon përjashtimin e deputetëve nga grupi parlamentar. E vetmja gjë që thotë që nëse merret një masë i referohen statutit të PD-së.
Përveç absurdit politik, kushtetues dhe ligjor, kemi dhe një akt nul. Ky akt nul ka prodhuar efekte negative në funksionimin e opozitës parlamentare. Parlamenti ka vepruar në diçka të paligjshme. Kjo vepron në interesin e Ramës për të krijuar një situatë të tillë tek opozita sepse ka frikë të japë llogari në 14 maj.
Vetëm aktet e fundit të z. Alibeaj janë akte të mjaftueshme që në kushte normale t’i bësh një mocion për shkarkimin. Alibeaj është zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme në mbledhjen e gushtit 2021”, deklaroi Bylybashi.