Mediat spanjolle shkruajnë se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez dëshiron të organizojë një ndeshje miqësore në inaugurimin e stadiumit të ri Santiago Bérnabeu kundër Al-Nassr, e cila do të ishte edhe një shans për Cristiano Ronaldon për t’i dhënë lamtumirën këtij klubi.
Sipas raportimeve, Ronaldo do të luante njërën pjesë në fanellën e klubit për të cilin ka nënshkruar së fundmi dhe tjetrën me fanellën e Real Madridit, gjë që do të ishte mënyra më e mirë për t’u thënë lamtumirë tifozëve të Klubit Mbretëror të cilëve ai i solli kaq shumë lumturi dhe sukses në të kaluarën.
Ronaldo është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Realit, pasi ka realizuar 450 gola në 438 ndeshje.
Portugezi luajti për Realin për nëntë vjet dhe fitoi katër trofe (pesë gjithsej në karrierë) në Champions League.
Mësohet se ndeshja miqësore do të luhet në stadiumin Santiago Bernabeu pasi të kenë përfunduar plotësisht punimet për rikonstruksionin e tij.
Ronaldo u transferua nga Manchester United te Real Madridi për një shumë prej 94 milionë eurosh në vitin 2009 dhe u largua nga klubi mbretëror në vitin 2018 kur iu bashkua Juventusit.
Pas kësaj, ai luajti për Manchester United, me të cilin ndërpreu kontratën para Botërorit në Katar dhe vazhdoi karrierën në Arabinë Saudite, ku nënshkroi për Al-Nassr.