Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohur Kosovën

Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën. Kështu ka deklaruar për mediat serbe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, njofton RTK.

Në një intervistë për “Nova”, ai ka theksuar se BE-ja është në krye të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje ndërmjet dy palëve sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas diplomatit gjerman, është e rëndësishme që përfaqësuesit e serbëve të rikthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në intervistë, Sarrazin iu referua mesazheve të mëparshme nga Beogradi, se presidenti i Serbisë “nuk i beson Gjermanisë”. Ai foli edhe pse Gjermania nuk është e kënaqur me përparimin demokratik të Serbisë, dhe në të njëjtën kohë paralajmëroi se ka dyshime nga ekonomia gjermane se si po zhvillohet Serbia aktualisht.

Në pyetjen se si i sheh Gjermania protestat e serbëve dhe barrikadat e vendosura në veri, Sarrazin tha se situata në veri të Kosovës, nga pikëpamja gjermane, ishte shumë e rrezikshme.

“Ajo është ende shumë e rrezikshme. Kemi një situatë ku shërbimet themelore shtetërore, siç janë shërbimet e sigurisë, aktualisht nuk mund të ofrojnë siguri për serbët, por edhe për qytetarët e tjerë të Kosovës. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të përshpejtohet procesi i kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës”, tha ai.

Diplomati gjerman tha se i kupton emocionet e serbëve nga veriu i Kosovës, por më e rëndësishmja edhe për ta, është që bashkësia ndërkombëtare të bëjë gjithçka për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

“Kjo është një nga arsyet pse ne mbështesim Miroslav Lajçakun dhe Bashkimin Evropian që të kontribuojnë në de-përshkallëzimin e situatës në terren përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne e kemi të qartë se gjithçka nuk ka përfunduar ende, por të paktën tensioni është dukshëm më i ulët se sa ishte në dhjetor”, tha ai.

Ndërsa në pyetjen se a nënkupton propozimi gjermano-francez, se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në fund të procesit negociator, Sarrazin tha se kjo është pjesë e procesit.

“Ne nga Gjermania gjithmonë kemi pasur një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje, në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit. Nuk do ta lidhja shumë me propozimin evropian, por është diçka që sigurisht e pret Gjermania dhe kjo u tha qartë kur kancelari Olaf Scholz vizitoi Serbinë në qershor të vitit të kaluar”, tha ai.

Në pyetjen se pse nuk bëhet publik propozim franko-gjerman, tha se për komunitetin ndërkombëtar, është e rëndësishme që së pari të krijojmë një atmosferë besimi.

“Të gjithë mendojnë se është më mirë që fillimisht të krijohet një atmosferë mirëkuptimi dhe besimi ku drejtuesit mund të flasin për temën pa menduar se diçka do të publikohet. Në të njëjtën kohë, e kuptoj se për popullin e Serbisë dhe Kosovës kjo është një temë e rëndësishme dhe delikate, jo vetëm për politikanët, por edhe për të ardhmen e dy vendeve dhe se nuk është publikuar si e tillë dhe se për këtë arsye”, tha ai.

Debati publik, sipas tij, reduktohet në disa thashetheme dhe informacione që shpeshherë nuk janë të sakta.

“E kuptoj interesin, por gjithashtu i bëj thirrje njerëzve që të kuptojnë situatën delikate dhe të binden se kjo është rruga e duhur”, ka deklaruar Sarrazin, i cili gjithashtu nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të publikohet propozimi.

“Nuk mund ta parashikoj këtë, sepse nuk mbaj përgjegjësi për atë që ndodh në këtë proces. Unë vetëm mund t’ju përcjell këndvështrimin tim të sinqertë për këtë proces, i cili besoj se është shumë i dobishëm dhe ofron mundësi të mëdha për të dyja palët për të hequr qafe të kaluarën, por edhe për të çliruar potencialin e madh që ka rajoni në rrugën drejt Evropës. Mendoj se ky debat po zhvillohet në atë drejtim që të dy liderët, Vuçiq dhe Kurti, t’u jepet mundësia që të jenë më të qartë dhe më të sinqertë në prezantimin e synimeve të tyre strategjike në dialog”, ka thënë Sarrazin.

Edhe nëse arrihet një marrëveshje, siç tha ai, nuk do të jetë fundi i procesit.

“Do të ketë ende shumë punë, por do të ishte një hap i madh përpara dhe mendoj se do të përfaqësonte një mundësi të madhe për rajonin. Kjo është një mundësi e madhe dhe ne shohim shumë më tepër biseda, jo vetëm për dialogun, por edhe për vetë rajonin”, ka deklaruar diplomati Sarrazin.

About Redaksia

Check Also

Konservatorët fitojnë mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet në Kroaci

Partia konservatore në pushtet e Kroacisë, Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) e udhëhequr nga kryeministri Andrej …

Leave a Reply