Nga Katerina Sula
Qeveria shqiptare nuk e rinovoi kontratën koncesionare me kompaninë franceze ‘Aleat’, e cila ka 16 vjet që prodhon karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Tani do të jetë një biznes shërbimi publik shqiptar, i krijuar për këtë qëllim, që do të jetë në krye të tij, bëri të ditur ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Aleat sh.p.k. operon në Shqipëri në bazë të një kontrate koncesionare të lidhur ndërmjet Ministrisë së Brendshme Shqiptare dhe konsorciumit që bashkon francezen IDEMIA SA dhe Fondacionin Shqiptar të Zhvillimit (AADF) për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kontrata e koncesionit u nënshkrua në 2008 dhe u rizgjat në 2013 për dhjetë vjet – prandaj skadon në vitin 2023.
Me 109 zyra në të gjithë vendin, në vitin 2021 Aleat u rendit i pari në mesin e të gjitha kompanive për sa i përket fitimeve, me një normë fitimi rreth 40%.
Fitimet e saj arritën në 2.6 miliardë lekë (rreth 22.3 milionë euro), sipas televizionit Scan. Koncesionari Aleat i mundësoi Shqipërisë të ishte ndër vendet e para në Evropë që do të zbatonte teknologji biometrike për kartat e identitetit. Janë pikërisht këto reforma që mundësuan heqjen e vizave nga Bashkimi Evropian për shtetasit shqiptarë.
Sot, duke investuar në prodhimimin “me forcat tona” të pasaportave dhe kartave të identitetit Shqipëria mund ta vërë në pikpyetje këtë regjim pa viza.
Bëhet fjalë për rreziqet që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe standardet e sigurisë. Gjatë sulmit kibernetik të datës 10 shtator 2022, për të cilën Shqipëria akuzoi Iranin, AKSHI u bllokua dhe të dhënat e shtetasve shqiptarë, përfshirë ato të disave bankave, janë hakuar. Nga ana tjetër, Aleat dhe databaza e tij nuk u prekën.
Largimi i kompanisë franceze vjen pas largimeve të ngjashme në sektorin bankar dhe telekomunikacion. /Courrier des Balkans/ Përktheu Lapsi.al