Rëndohet situata nga përmbytjet në Shkodër, qark i cili ndodhet prej një jave nën pushtetin e motit të keq. Në bashkinë Shkodër 1400 hektarë tokë në ujë, ndërsa hidrocentralet kanë hapur portat duke shkarkuar uji pasi niveli në tre diga ka arritur pranë pikës maksimale. Banorët fajësojnë shtetin për shkarkimet nga HEC-et, ndërsa tregojnë se prej një jave janë braktisur nga qeveria.
Shkodra vijon prej një jave të jetë nën pushtetin e motit të keq, teksa gjatë orëve të fundit është rritur sipërfaqja e përmbytur nga uji duke shkuar në 1400 hektarë. Zona më problematike është ajo në njësinë Administrative Ana e Malit, ku aktualisht llogariten mbi 1100 ha tokë nën ujë, rruga e Obotit e bllokuar dhe ujësjellësi i Oblikës jashtë funksionit, ndërsa 15 banesa kanë prezencë uji në oborre.
Kryeplaku i fshatit Obot, Gregor Pema dhe Kryetari njësisë administrative Arben Ceni fajsojnë shkarkimet nga hidrocentralet për përmbytjet, ndërsa akuzojnë qeverinë se i ka braktisur, duke mos ofruar asnjë ndihmë për banorët.
Por situata nuk duket aspak optimiste, pasi të dhënat nga KESH, tregojnë se tre hidrocentralet në lumin Drin janë pranë pikës maksimale. Në Fierzë niveli është 193.5 metra, ose 2.5 metra larg kuotës maksimale, ndërsa në Koman niveli ka arritur në 174 metra apo vetëm 1 metër larg kuotës maksimale.