Fjala ”mik” nuk ka të njëjtin kuptim për kryeministrin Edi Rama, në shtator të vitit 2022 dhe në janar të këtij viti. Termi me të cilin përshkroi marrëdhënien që kishte me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, të vënë nën akuzë për korrupsion, sot për kreu e qeverisë Edi Rama, kishte tjetër kuptim. Përpara gazetarëve, Rama tha se kishte përdorur fjalën ‘mik’ në gjuhën angleze në shtator, që nuk ka të njëjtin kuptim si në shqip sipas tij.
“E para punës, fjala mik është një fjalë shumë e madhe, unë kam folur në gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies dhe kam thënë “Friendly relation”, një raport miqësor. Në këtë sens kam thënë “Po, ka qenë një mik”, por jo mik në kuptimin që kam ndarë me të jetën për shumë vite. E kam takuar disa herë, e kam takuar në zyrën më të rëndësishme të FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zyrën e New York ku më ka prezantuar dhe kolegë të tjerë, ku më ka dhënë dhe nga ato dhuratat, kapele e medalje që në Big Brotherin politik u shfaqën si aparatura përgjimi dhe ka ardhur në Shqipëri, jemi takuar. Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda, opinione lidhur me ato fusha të cilat ai ishte një ekspert i nivelit të lartë, krimi, korrupsioni, Amerika, Ballkani, Shqipëria,”- tha kryeministri.
“Shefi i Kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA kjo është çështje e tij me drejtësinë atje. lëreni të flasë drejtësia në SHBA. Nuk bëhet drejtësia e nuk nxirren fajtorët e nuk bëhen akuzat në këtë farë feje se është e tmerrshme. Dhe nuk është e tmerrshme për mua sepse nuk kam asnjë problem dhe për sa kohë vijoj në këtë detyrë i kam marrë parasysh dhe pres më shumë se kaq, i pres të gjitha. Por është e tmerrshme për këtë popull për këtë vend, për gjithë ato që ne i konsiderojmë vlera shqiptare e parime e tradita. Çfarë të them më shumë se kaq. Bëhet fjalë për një çështje në SHBA që s’ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare, biznes të çfarëdollojshëm, me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë një problem me drejtësinë në vendin tij. Kjo është çmenduri”, deklaronte Rama, në shtator të vitit 2022./Dosja.al