Gjykata e Apelit ka lënë në burg pastruesen Rozeta Dobi dhe të birin pasi akuzohen për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesën e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ende kanë mbetur pa pronar 400 mijë euro që u gjetën në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses. Pastruesja ka deklaruar më herët se edhe 400 mijë eurot i kishte marrë në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi.
Prokuroria e Tiranës kërkoi nga Policia Shkencore të bëjë verifikimet për kartëmonedhat dhe po ashtu të kontrollohen disa banesa. Pritet ende përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse e dyshuara dhe i biri kanë llogari bankare dhe sa është shuma në këto llogari. Informacion është kërkuar edhe në Kadastër, për llogaritë bankare dhe pasuritë që zotëron Alda Klosi, por edhe zyrtarë të tjerë në shtëpitë e të cilëve punonte si pastruese Dobi.